“Duke filluar nga nesër grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të qëndrojë në këtë krah dhe grupi i Partisë Demokratike në krahun tjetër, sepse kjo është e majta dhe e djathta duke i parë nga pozicioni i Kryetarit dhe jo nga pozicioni tjetër. Shtoj se pozicioni nuk ndryshon asgjë në thelbin e problemeve”
Fotografia e sallës së Kuvendit më 15 prill 1991 është ndër imazhet më pikante të historisë së tranzicionit shqiptar. Është Kuvendi i parë pluralist, i dalë nga zgjedhjet e 31 marsit 1991, vetëm pak muaj pas rënies së diktaturës dhe nisjes së procesit të pluralizmit politik. Në garën elektorale përballë njëra-tjetrës ishin PPSH-ja dhe Partia Demokratike, e sapothemeluar.
Në këtë imazh të parlamentit të parë pluralist, grupi i deputetëve të opozitës është vendosur në anën e djathtë të sallës, në një prej tri pjesëve të saj, ndërsa në dy pjesët e tjera janë deputetët e PPSH-së, e cila kishte fituar mazhorancën. Në rreshtat e parë të kolonës së opozitës spikasin portretet e deputetëve demokratë Azem Hajdari, Neritan Ceka, Gramoz Pashko, Arben Imami dhe, pak më pas, Sali Berisha e të tjerë. Përballë tyre janë deputetët e PPSH-së, mes të cilëve shfaqen prurjet e reja nw PPSH si Fatos Nano por edhe drejtues tw lartw tw udhwheqjes komuniste si Xhelil Gjoni.
Kjo ishte vendosja e deputetëve në sallë gjatë dy viteve të para të jetës parlamentare në pluralizëm. Por më 11 janar 1993, në fund të një seance parlamentare, kryetari i Kuvendit, Pjetër Arbnori, njoftoi deputetët për një ndryshim të pazakontë: mazhoranca demokrate dhe opozita socialiste do të ndërronin vendet në sallë.
Arbnori u shpjegoi deputetëve se, duke nisur nga dita e nesërme, grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të ulej në krahun e majtë, ndërsa ai i Partisë Demokratike në krahun e djathtë, sipas pozicionimit që shihej nga vendi i kryetarit të Kuvendit.
“Të keni parasysh që duke filluar nga nesër grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të qëndrojë në këtë krah dhe grupi i Partisë Demokratike në krahun tjetër, sepse kjo është e majta dhe e djathta duke i parë nga pozicioni i Kryetarit dhe jo nga pozicioni tjetër. Shtoj se pozicioni nuk ndryshon asgjë në thelbin e problemeve”, do të shprehej Arbnori në seancë.
Seanca e ditës tjetër do të shoqërohej me ilaritet, batuta dhe të qeshura. Deputetët socialistë kërkonin vende specifike në krahun tjetër, aty ku për dy vite kishin qëndruar deputetët e PD-së. Në disa raste, deputetë të caktuar refuzuan të uleshin në karrigen e një kolegu. U deshën të paktën dy orë që deputetët të sistemoheshin në vendet e reja, në krahun tjetër të sallës.
Ishte një ndryshim në pamje, por edhe një nga ato episode të vogla që tregojnë atmosferën e pazakontë të viteve të para të parlamentarizmit shqiptar. Dy vjet pas zgjedhjeve të para pluraliste, edhe vetë ndarja fizike mes të majtës dhe të djathtës në sallën e Kuvendit po merrte formën e saj të re.
Por përtej episodit të karrigeve, ky moment i vogël i parlamentarizmit të parë pluralist tregon diçka më të rëndësishme për mënyrën se si drejtohej atëherë Kuvendi. Përplasja politike ishte e fortë, shpesh e ashpër dhe dallimet mes dy krahëve ishin të thella. Megjithatë, mënyra e komunikimit në sallë kishte një kufi që, në shumicën e rasteve, respektohej.
Pjetër Arbnori e drejtonte seancën me një autoritet që nuk buronte vetëm nga funksioni i kryetarit, por edhe nga mënyra se si komunikonte me deputetët. Edhe kur ndërhynte për të vendosur rregull, gjuha e tij ruante një lloj elegance dhe ironie që e zbuste tensionin pa e relativizuar debatin. Batuta ishte shpesh pjesë e komunikimit parlamentar, por nuk shndërrohej në fyerje. Ironia mund të ishte e fortë, por synonte situatën apo argumentin, jo poshtërimin e kundërshtarit.
Në atë sallë përballeshin njerëz me bindje politike krejt të kundërta dhe me histori shumë të ndryshme. Ishin deputetë të një vendi që sapo kishte dalë nga diktatura dhe që po mësonte rregullat e një sistemi të ri politik. Debati ishte i fortë, por ekzistonte edhe një vetëdije se Kuvendi ishte institucion dhe se fjala e deputetit kishte peshë përtej konfliktit të momentit.
Kjo shihet edhe në mënyrën se si Arbnori u drejtohej deputetëve. Ai mund të korrigjonte, të ndërpriste apo të qortonte, por përpiqej ta ruante autoritetin e institucionit pa e kthyer sallën në një arenë personale. Deputetët e dy krahëve, pavarësisht përplasjeve, ruanin një formë komunikimi që sot duket gjithnjë e më e rrallë.
Sot, duke parë sallën e Kuvendit, kontrasti është i fortë. Përplasja politike ka mbetur, por shpesh është zhveshur nga etika e komunikimit parlamentar. Fjalori agresiv, ndërprerjet, fyerjet, akuzat personale dhe përplasjet që tejkalojnë argumentin politik janë bërë pjesë e një komunikimi që e dëmton vetë institucionin.
Në vitet e para të pluralizmit, parlamentarët po mësonin demokracinë. Sot, pas më shumë se tri dekadash, paradoksi është se një pjesë e sallës duket sikur ka harruar disa prej rregullave më themelore të saj.
Fotografia e 15 prillit 1991 dhe episodi i janarit 1993 nuk tregojnë një parlament pa konflikte. Përkundrazi, tregojnë një parlament ku konflikti ishte i fortë, por ku ekzistonte ende një përpjekje për ta mbajtur atë brenda kufijve të institucionit. Ndoshta ky është edhe ndryshimi më i madh mes asaj salle dhe sallës së sotme: jo mungesa e përplasjes, por mënyra se si përplaseshin./ TemA











Komente
Komento