/ATSH-Z.Tosku/- 12 Maji është Dita Ndërkombëtare e Infermierisë, datë kjo që i përket në fakt përvjetorit të ditëlindjes së Florence Nightingale, në nder të së cilës, Këshilli Ndërkombëtar i Infermierëve e shpalli atë si një datë të shënuar.
Sikurse në gjithë botën, edhe në Shqipëri në kuadër të kësaj dite, Urdhëri i Infermierit organizon një sërë aktivitetesh.
Figura e Nightingale është një forcë udhëheqëse në fushën e infermierisë, ku arritja e saj më e madhe ishte pikërisht transformimi i infermieristikës në një profesion të respektueshëm për gratë. "Kujdesi infermieror është një art dhe që të realizohet si art, kërkohet përkushtim i plotë dhe përgatitje e fortë, sikurse bën për çdo vepër piktori apo skulptori; me ndryshimin që nuk ke të bësh me një telajo apo një mermer të ftohtë, por me trupin njerëzor, tempullin e shpirtit të Zotit. Është një nga artet e bukura. Madje më i bukuri i Arteve të Bukura!", ka qenë një nga thëniet kyçe të Florence Nightingale.
Në Shqipëri
1912- Gra të moshuara përdornin barna për kurim dhe trajtim të të sëmurit. Sëmundjet ngjitëse ishin të përhapura.
1914 - U ngrit Drejtoria e Përgjithshme Shëndetësore. - Mungesë e theksuar e mjekëve, farmacistëve, infermierëve, mamive. - U hap një spital në Vlorë për nevojat e luftës.
1917 - Krijimi i asistencës publike në Korçë e Shkodër nga ushtritë austro-hungareze.
14 Maj 1919 - Kryqi i Kuq Amerikan në Tiranë hapi "Spitalin shqiptaro - amerikan" i drejtuar nga znj. Bruck dhe më 1932 u quajt " Spitali i përgjithshëm Zog i I-rë".
30 Dhjetor 1921 - Krijohet Kryqi i Kuq Shqiptar dhe njihet nga KK Ndërkombëtar në Gjenevë më 1923.
1923 - Hapet shkolla e parë e infermiereve vizituese.
1926 -1933 - Fondacioni Rockfeller ndihmon në luftën kundër malaries dhe organizon sesione të veçanta në shumë rrethe të vendit. Përgatiten specialistë dhe hapen ambulanca si në Vlorë, Durrës.
1932 - 1937 - U hap kursi për agjentë mjekësorë djem në spitalin Zog i I. Ata do të punonin përkrah mjekëve në malësi. Iu dha rëndësi kujdesit për foshnjat pasi mortaliteti ishte i lartë. Ambulancat në Tiranë dhe Shkodër kishin për qëllim të përhapnin në popullatë rregullat e higjenës për mirërritjen e fëmijës. U hap shkolla e infermiereve në Tiranë ku drejtohej nga 2 franceze. - U përgatitën rreth 155 mjekë në 1937, 29 mami dhe 20 infermierë, një numër ky tepër i vogël.
1939 -1944 Koha e Luftës së II-të Botërore - Ekzistonin 9 spitale dhe u hapën një spital në Durrës dhe një maternitet në Tiranë. - U dërguan për studime mjekë dhe mami si dhe formoheshin të tjerë nga KKSH por që nuk i plotësonin nevojat dhe numri i tyre ishte i paktë.
Koha e Luftës Nacionalçlirimtare - U çelën kurse infermierore, "kurset e grave për ndihmën e parë" të organizuara në ilegalitet në rrethet kryesore të vendit nga infermierë ose mjekë patriotë.
1944 - U ngrit Ministria e Shëndetësisë - Kurset kishin një program të studiuar dhe të hartuar mirë dhe i përgjigjeshin nevojave të kohës - U formua një seksion shëndetësor i përbërë nga 7 anëtarë, mjekë, infermierë, farmacistë që organizonin të gjithë punën për problemet e ushtrisë.
1946 - Formimi i OBSH, ku morën pjesë edhe shqiptarët. - Konferenca e parë Shqiptare. - Hapja e kurseve 5 vjeçare për infermier në disa rrethe të vendit.
1948 - Teknikumi mjekësor në Tiranë. Programi i parë i shkollës së mesme profesionale 3 vjeçaer.
1952- Instituti i lartë Mjekësor që më vonë, në 1957 mori emrin Fakulteti i Mjekësisë
1954 - Politeknikumi mjekësor në Tiranë 4 vjeçar pas 7 dhe 8 vjeçares
1957 -1959 - Kurse kualifikimi 1 -2 vjeçar në disa rrethe - Një shkollë 5 vjeçare në Tiranë
1968 -1980 - Shkolla 3 vjeçare për infermiere pas 8 vjeçares në Tiranë si dhe pranë spitalit kurse 2 vjeçare. - Kurse pa shkëputje nga puna
1980 - 1990 - QSUT, Instituti i Higjenës dhe epidemiologjisë, Instituti i Studimeve Ushtarake, Instituti i Mjekësisë Popullore, Instituti i Siguracioneve Shëndetësore etj. - Kurse 1 vjeçare për infermierë dhe mami pas shkollës së mesme e barazvlefshme me formimin e mesëm 4 vjeçar profesional.
1992 - Shoqata e Infermierëve dhe mamive të Shqipërisë.
1994 - Shkollat Larta të Infermierisë me 3.5 vite studimi pas arsimit të mesëm.
2005 - 2006 - Fakultetet e Infermierisë shtetërore dhe private në shumë rrethe të vendit që përgatisin kuadro të lartë me sistemin e Bolonjës me një program europian 3 + 2, bachelor e më pas Master profesional e Shkencor.