Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi dënimin me 12 vjet burg për biznesmenin italian Francesco Becchetti. Më 30 shtator, Apeli i GJKKO-së ia uli me 5 vjet dënimin prej 17 vjetësh burg të dhënë në shkallën e parë. Francesco Becchetti është shpallur fajtor për “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikim Dokumentesh”, “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.
Sipas vendimit të Apelit, me 12 vite burg u dënua edhe Mouro de Renzis, nga 16 vjet burg që e dënoi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë. Ai është shpallur fajtor për akuzat “Falsifikim të dokumenteve”, “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “Krijimi i skemave mashtruese” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”. Bashkimi i të gjitha akuzave në një të vetëm, solli uljen e dënimit me 4 vite. Ndërsa në fuqi u la dënimi për Eriona Troplinin dhe Liliana Condimitti, të dënuara me nga 8 vite burg secila.
Biznesmeni italian Francesco Becchetti vazhdon të jetë në arrati dhe për të ka një mandat arresti ndërkombëtar. Gjyqi në Apel ndaj Becchettit është zvarritur prej disa kohësh. Nga janari i vitit 2024, seanca në Apel ishte shtyrë 20 herë.








Komente
Komento