Pas projektit gjigant turistik Tavolara Bay në Sardenjë qëndrojnë disa nga emrat më të njohur të biznesit ndërkombëtar, fonde investimi dhe kompani të regjistruara në parajsa fiskale. Nga drejtues të grupit të birrës AB InBev, që zotëron markat Corona, Stella Artois dhe Budweiser, deri te ish-presidenti i Kraft dhe miliarderë brazilianë me interesa në hoteleri, pasuri të paluajtshme dhe financë globale. Por ajo që po ndez debatin në Itali nuk janë vetëm emrat e investitorëve. Në qendër të polemikave është edhe një klauzolë në dokumentet e projektit që përmend mundësinë e një “Kontributi Qeveritar” nga shteti italian.
“Le të imagjinojmë një vend ku luksi dhe natyra bashkëjetojnë në harmoni”. Kjo është ideja që promovon Alberto Biancu, 39 vjeç, drejtuesi i projektit Tavolara Bay. Por pas luksit dhe natyrës fshihet edhe elementi vendimtar: kapitali.
Projekti synon të shndërrojë një pjesë të bregdetit të Gallurës në veri të Sardenjës në një destinacion ekskluziv me vila që arrijnë deri në 13 mijë euro për metër katror, hotel me pesë yje, struktura turistike dhe plazhe private.
Çfarë është Tavolara Bay?
Tavolara Bay parashikohet të ndërtohet në territorin e komunës Loiri Porto San Paolo, përballë ishullit Tavolara dhe rreth 20 kilometra në jug të Porto Rotondo-s.
Plani përfshin ndërtimin e një hoteli me pesë yje, 26 vilave luksoze, strukturave turistike dhe një fushe golfi me 18 gropa. Investimi llogaritet në qindra milionë euro dhe shtrihet në 120 hektarë tokë, ose rreth 1.2 milionë metra katrorë.
Që në fillim projekti ka ndarë opinionin publik. Mbështetësit e konsiderojnë një mundësi zhvillimi ekonomik dhe turistik për zonën, ndërsa kundërshtarët e shohin si një ndërhyrje të rëndë në një nga zonat më të mbrojtura dhe më të bukura të bregdetit sard.
Në këtë histori ekziston edhe një element tjetër që ka tërhequr vëmendje. Sipas burimeve lokale, këshilltari i turizmit në komunën Loiri Porto San Paolo, Riccardo Biancu, është vëllai i Alberto Biancu-t, drejtuesit të projektit. Autorët e investigimit theksojnë se nuk kanë mundur ta verifikojnë zyrtarisht këtë informacion.
Vendimi i qeverisë që ndryshoi gjithçka
Rajoni i Sardenjës dhe institucione të tjera kishin ngritur kundërshtime lidhur me përputhshmërinë e projektit me kufizimet peizazhistike të zonës.
Megjithatë, promotorët e projektit përdorën procedurën e Zes Unica, e cila i jep qeverisë italiane kompetenca të posaçme për të përshpejtuar procedurat administrative dhe urbanistike.
Për shkak të mendimeve të kundërta mes institucioneve, vendimi përfundimtar kaloi në Këshillin e Ministrave. Më 4 qershor, qeveria italiane autorizoi vazhdimin e procedurave për projektin.
Për kritikët, ky vendim krijon një precedent që mund të dobësojë sistemin e mbrojtjes së brigjeve të Sardenjës. Për mbështetësit, bëhet fjalë për një procedurë të ligjshme që lejon realizimin e një investimi strategjik.
Katër transaksione pas vendimit të Romës
Menjëherë pas vendimit të qeverisë ndodhën katër operacione financiare në Luksemburg. Katër investitorë të rinj të huaj hynë në projekt, mes tyre një kompani financiare nga Ishujt e Virgjër Britanikë dhe një fond me bazë në Bahamas.
Autorët e investigimit theksojnë se kjo mund të jetë rastësi, por fakti mbetet se hyrja e investitorëve të rinj ndodhi menjëherë pas dritës jeshile të dhënë nga qeveria italiane.
Klauzola që ka ndezur debatin
Pika më e debatueshme gjendet në dokumentet e kompanisë Tavolara Bay srl, e cila kontrollon projektin. Në një ndryshim të fundit të statutit është futur një mekanizëm i veçantë kompensimi për aksionerët e pakicës. Bëhet fjalë për nenin 17, të quajtur “Claw-back i aksionerëve të pakicës”.
Sipas dokumenteve, mekanizmi do të aktivizohet nëse kompania merr “Kontributin Qeveritar” brenda pesë viteve nga 30 qershori 2025. Dokumentet e aksionerëve e përkufizojnë këtë si “subvencionin e mundshëm në para që qeveria italiane do t’i japë kompanisë në kuadër të Tavolara Bay – Kontrata e Zhvillimit Turistik”.
Sipas statutit, nëse ky kontribut jepet, aksionerët italianë mund të përfitojnë një rishpërndarje të kuotave përmes mekanizmit claw-back. Për momentin nuk ekziston asnjë subvencion i miratuar. Ekziston vetëm pritshmëria. Megjithatë, pritshmëria është konsideruar aq e rëndësishme sa është përfshirë në statut me formulë të detajuar llogaritëse.
Kush janë italianët në projekt?
Katër italianë kontrollojnë së bashku 13% të Tavolara Bay.
Alberto Biancu është drejtuesi dhe administratori i deleguar i projektit.Ca rlo Di Biagio është ish-drejtues i lartë në kompani si Procter & Gamble, Ducati dhe Roberto Cavalli. Ezio Simonelli, aktualisht president i Lega Serie A, ka qenë për vite këshilltar fiskal i Silvio Berlusconit. Selia e Tavolara Bay ndodhet pikërisht në zyrat e tij në Milano.
Italiani i katërt është Davide Bizzi, sipërmarrës i njohur në sektorin ndërkombëtar të pasurive të paluajtshme. Në shtator 2025 ai bleu për 500 mijë euro pjesëmarrjen që më parë zotërohej nga amerikania Chang Karin Rin Hui, residente në Gjenevë.
Secili prej katër italianëve zotëron aktualisht rreth 3.3% të kapitalit. Sipas investigimit, Alberto Biancu nuk iu përgjigj kërkesave për sqarime mbi strukturën e projektit dhe çështjet e ngritura.
Boshti brazilian që kontrollon projektin
Pesha kryesore e investimit është në duart e grupit brazilian Jhsf Capital. Grupi kontrollon 44% të Tavolara Bay dhe drejtohet nga sipërmarrësi Josè Auriemo Neto. Jhsf është i njohur në Brazil për aktivitetin në hoteleri luksoze dhe pasuri të paluajtshme, përmes markës Fasano.
Partneri i tij kryesor është kompania luksemburgase Csfg Re Europe, e cila zotëron 43% të projektit. Së bashku, Neto dhe Csfg kontrollojnë shumicën dërrmuese të Tavolara Bay.
Nga Corona dhe Budweiser te Harvardi
Pas Csfg qëndrojnë investitorë të shumtë ndërkombëtarë. Njëri prej tyre është Claudio Moniz Barreto Garcia, ekonomist dhe filantrop brazilian. Ai është anëtar i bordit të AB InBev, kompania më e madhe e birrës në botë, pronare e markave Corona, Stella Artois dhe Budweiser.
Garcia është gjithashtu pjesë e Harvard Global Advisory Council. Ai investon në Tavolara Bay përmes kompanisë Azulona, të regjistruar në Delaware. Në projekt ka hyrë edhe Miguel Nuno Da Mata Patricio, ish-drejtues i AB InBev dhe deri pak muaj më parë president i Kraft.
Mes investitorëve përmenden edhe Inovare Ventures nga Ishujt e Virgjër Britanikë dhe Bessemer Corporation nga Bahamas.
Miliarderi që bleu Pro Recco
Një figurë tjetër qendrore është Alexandre Behring da Costa. Në mars 2026 në projekt hyri kompania e tij Clbb Real Estate me bazë në Nassau, Bahamas.
Behring është bashkëthemelues i fondit të famshëm 3G Capital, i krijuar nga miliarderët brazilianë Jorge Paulo Lemann, Carlos Alberto Sicupira dhe Marcel Herrmann Telles.
Fondi 3G ka luajtur rol kyç në krijimin e AB InBev, blerjen e Burger King dhe bashkimin e Kraft me Heinz.
Behring ishte më pas president i Kraft-Heinz. Në Itali ai u bë i njohur edhe pasi bleu klubin e vaterpolos Pro Recco në vitin 2024.
Truste amerikane, fonde nga Bahamas dhe aristokraci malteze
Një pjesë e investitorëve operojnë përmes trusteve dhe fondeve. Mes tyre është The Haddad Family Trust në Wyoming, që lidhet me Claudio Haddad, ish-drejtues i bankës qendrore braziliane dhe themelues institucionesh jofitimprurëse në ekonomi dhe inxhinieri.
Në projekt ka hyrë edhe Daniel Mahseredjian, i konsideruar i afërt me familjen Haddad. Aksione zotëron gjithashtu Hudson Investment, fond me bazë në Bahamas i administruar nga UBS në Nassau. Identiteti i investitorëve përfitues nuk bëhet publik.
Më e lehtë është të identifikohet Prime & Partners nga Malta, e kontrolluar nga Filippo Maria Alberto Carlo Buffa di Perrero Costa di Trinità, pjesëtar i një familjeje me rrënjë në aristokracinë e vjetër sabaude.
Pyetja që mbetet pa përgjigje
Lista e investitorëve tregon se pas Tavolara Bay qëndrojnë kapitale të mëdha dhe emra me peshë në financën ndërkombëtare.
Megjithatë, debati në Itali nuk ka të bëjë vetëm me luksin, vilat apo hotelin me pesë yje.
Pyetja që vazhdon të ngrihet nga kritikët është një tjetër: nëse projekti mbështetet nga miliarderë, fonde investimi dhe familje me pasuri të konsiderueshme, a ka vërtet nevojë për një “Kontribut Qeveritar” nga shteti italian? /Përshtatur me shkurtime nga CorrieredellaSera
Komente








