Shpallja e datës së re të zgjedhjeve nga ana e presidentit Ilir Meta ditën e djeshme ka sjellë reagime në radhët e politikanëve dhe jo vetëm.

Pas anulimit të 30 qershorit, në një konferencë për mediat, Meta prezantoi dje dekretin e ri sipas së cilit 13 tetori do jetë data e zgjedhjeve vendore.

Në këtë prizëm, ditën e sotme nënkryetari i Kuvendit, Myslim Murrizi e ka ironizuar këtë vendim të presidentit duke ia cilësuar dekretet si ftesa për dasëm.

"Një grup “ çunash” shoqni e vjetër, i duan zgjedhjet në të djela të ndryshme. Mblesi i përbashkët pasi konsultohet me dajën e madh të gjithsejcilit dhe gjen mundësinë për lokal e për orkestër,  jua pret datën me dekrete të veçanta. Për këta të qëverisë e preu qysh më 5 nëntor dhe mendoi si datë “dasmë” 30 qershorin. Për këta të LSI e preu dje dhe caktoi 13 tetorin. Për Paskalin dhe Koçon 20 tetorin. Për Muhon ka zgjedhur 8 nëntorin."- ironizon Murrizi.

Sipas tij, të gjithë lakmojnë të martohen me të njëjtën  'nuse', për pushtetin dhe paranë, karriken dhe privilegjin.

"Ngushëllime o përbindesh që nuk u ngopët kurrë"-  kështu do u thonë shqiptarët politikanëve, shprehet me bindje nënkryetari i Kuvendit.

E plotë:

“Dekretet për zgjedhje si ftesa për dasëm.

Një grup “ çunash” shoqni e vjetër, i duan zgjedhjet në të djela të ndryshme.

Mblesi i përbashkët pasi konsultohet me dajën e madh të gjithsejcilit dhe gjen mundësinë për lokal e për orkestër,  jua pret datën me dekrete të veçanta.

Për këta të qëverisë e preu qysh më 5 nëntor dhe mendoi si datë “ dasmë” 30 qershorin.

Për këta të LSI e preu dje dhe caktoi 13 tetorin. Për Paskalin dhe Koçon 20 tetorin. Për Muhon ka zgjedhur 8 nëntorin.

Pastaj çdo të djelë për nga një “lider” që sot kishin zënë radhë qysh në orën 05:00 para presidencës njëlloj si dikur për një pagure qumësht. Kismet deri nga behari që vjen çdo parti do të këtë dekret më vetë dhe çdo bashki nga 20-30 kryetar.

Ahhh sikur të ishte 16 tetori ditë e djelë! Të gjithë do ta pranonin si datë zgjedhjesh dhe do ta mbanin dekretin si dekoratë. Sepse të gjithë janë pjellë e regjimit, që festonte më shumë se çdo festë datën 16 tetor.

Kërkojnë data të veçanta se duan të njëjtën orkestër. Duan të njëjtin lokal, të njëjtin guzhijerë, të njejtet krushq e të njejtën dasmorë. Por lakmia, babezia dhe amoraliteti i tyre është i pa i magjinueshem se e gjithë “ tufa” kërkon të “ martohet” me të njëjtën “ nuse”. Të gjithë lakmojnë për nuse pushtetin dhe paranë, karriken dhe privilegjin.

Ndaj prej 29 vitesh zihen mes vetes si ujqërit, në emër të mender demokracisë që askush nga kjo tufë nuk e dëshiron kurrë. Edhe pse datën e “ dasmes” e duan veç e veç, kohën e “ vdekjes” do ta kenë të shpejtë dhe të përbashkët.

Ndaj me bindje jua them, që ka ardhur koha që shqiptarët të ju thonë shumë shpejt.

Ngushëllime o përbindësh që nuk u ngopët kurrë.”