TIRANE, 21 Maj/ATSH/- Në kuadër të Kryesisë Shqiptare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP),të premten paradite,  datë 22 maj, në Hotel Sheraton, do të zhvillohet takimi i Ministrave të Punëve të Jashtme të SEECP-së dhe Takimi Vjetor i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), aktivitet i cili zhvillohet në kuadër të Kryesisë Shqiptare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).
Në takim, ku do të marrin pjesë përfaqësuesit e 13 vendeve pjesëmarrëse të SEECP, të Bashkimit Evropian, të Komisionit Evropian dhe të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), do të diskutohet mbi situatën në rajon, zhvillimet politike të vendeve anëtare të Procesit, realizimin e prioriteteve të Kryesisë Shqiptare, bashkëpunimin në rajon, hapat e ndërmarra në procesin e integrimit në strukturat Euroatlantike.
Po nesër, pranë selisë së Kuvendit të Shqipërisë, do të mbahen mbledhjet teknike të tre Komisioneve Parlamentare të SEEEP-së, të Komisionit të Përhershëm dhe të Grupit të Punës.
Në mbledhje do të diskutohen nga tre komisionet e asamblesë rezoluta e raporte që kanë në fokus sigurinë, mbrojtjen e kufijve, luftën kundër terrorizmit, mbrojtjen e fëmijëve si dhe projektet e përbashkëta rajonale në fushën e energjisë dhe infrastukturës. Gjithashtu në takimet e kësaj date komisionet do të bëjnë zgjedhjet e tyre për të vendosur kryesinë e secilit komision.
Aktiviteti do të kulmojë me mbledhjen e Asamblesë Parlamentare, me datë 23 maj 2015, në sallën e konferencave pranë Hotel Sheraton
Punimet do të drejtohen nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, njëkohësisht President i Asamblesë Parlamentare të kësaj Presidence, Ilir Meta.
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë do të përmbyllë veprimtarinë e tij si kryesuese e Asamblesë Parlamentare të SEECP-së, per vitin 2014 - 2015.
Në këtë aktivitet do të marrin pjesë delegacionet nga: Sarajeva, Sofia, Athina, Prishtina, Zagrebi, Podgorica, Shkupi, Kisinau, Bukureshti, Beogradi, Lubjana dhe Ankaraja.
Më poshtë axhenda në kuadër të takimeve të RCC dhe SEECP që do të zhvillohen në sallat Iliria 1 dhe 2 në Hotel Sheraton.
Ora 9:00 çelja e takimit të RCC, ku Ministri Bushati do të mbajë fjalën përshëndetëse
Ora 12:00 Prezantimi i platformës digjitale SEEDS
Ora 16:00 çelja e Ministerialit të SEECP, ku Ministri Bushati do të mbajë fjalën përshëndetëse
Ora 19:00 Konferencë për shtyp e Ministrit Bushati dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Bullgarisë z. Daniel Mitov./a.gegvataj/