140 metra katrorë për mos ardhur te ty

140 metra katrorë për mos ardhur te ty

140 metra katrorë për mos ardhur te ty. Jo, se ti do të vije për vizitë, por gjithsesi. Të jem e qartë që në fillim. Këto radhë nuk do të t’i kisha shkruar po të mos kishte ndodhur e gjithë kjo që nuk dua as t’ia them emrin. E para nuk do të kishte qenë nevoja se do të ishim takuar në ndonjë kafene. E dyta se do të të kisha nisur ndonjë sms për të të thënë klb, flm dhe e treta, …

Nuk ka asnjë të tretë. Mes nesh nuk ka pasur as të dytë. Po të shkruaj meqë edhe ti ke kohë të lexosh. Mbase ti nuk do ta lexosh fare se ose përton ta lexosh këtë letër nga gërmat e vogla të celularit tënd të vjetruar, ose e di fare mirë se çfarë do të të them dhe nuk ke nevojë ta lexosh. Megjithatë, unë po të shkruaj se nuk i dihet. Jo vetëm kaq, por mbyllur brenda në një hapësirë që në letër shkruhet se është 140 metra katrorë bashkë me ballkonin, banjat dhe hapësirën e përbashkët (sa më ka marrë malli për këtë hapësirë që ndodhet përtej pragut që nuk e kapërcej dot hë për hë) nuk kam absolutisht fare se cfarë të bëj. Prandaj po të shkruaj jo se më mori malli për ty. E kam parasysh fytyrën tënde kur ta lexosh këtë letër. Madje jam e bindur që sapo portieri t’i bierë ziles do të jesh e sigurt që ke një letër dhe unë. Do t’i rrish gjithë turinj edhe postierit, por ai nuk të ka asnjë faj.

Gjithë paraditen kam larë dyshemenë aq fort saqë në to mund të shoh edhe fytyrën e të parëve tanë. Aroma e ilacit të dyshemesë ka zënë vendin e parfumit që bleva herën e fundit në Paris. Vetëm pasi e kam hedhur ngadalë në kovën bojëblu me ca si lule të vogla që mezi duken anash rehatohem. Marr leckën e fus në një vend të caktuar brenda në kovë dhe aty e shtrydh. Ah cfarë kënaqësie kur e përdredh atë leckë brenda kovës. Sikur shtrydh portokolla e limona në kopshtijet e Sicilisë që i kam parë në një dokumentar në television. Mos më pyet se në cfarë kanali se nuk më kujtohet. Atëherë televizori nuk është si tani. Shqetësohet “i ziu” sa herë lëviz unë nga divani. “Ku shkove”, “Kur do të kthehesh” më duket sikur thonë “sytë“ e tij. Më vjen të ngrihem fare nga divani e të mos kthehem për nja dyzet e shtatë sekonda. “Në banjë do shkoj, o idiot”. Imagjino kam nisur të flas me televizorin.

Por le të kthehem te lecka. E shtrydh mirë e mirë dhe laj dyshemenë. Ah, po harrova që këtë ta thashë. Momenti më i preferuar është ai kur pasi kam nxjerrë nga frigoriferi të gjitha perimet jeshile, shtoj edhe ca me ngjyrë patëllxhani, speci, dhe domateje dhe i “përplas” mbi banak. Më duket vetja si në ndonjë film ku aktorja kryesore (dmth unë) ngjan së paku me Monika Belucin, ose me Catherine de Neuve. Kënaqësinë më të madhe e marr kur i pres si në videot që shoh në youtube: marrim këtë, e hedhim atje dhe pastaj, pastaj bëjmë një vrimë në ujë.

Të kisha pasur pak muzikë ta shoqëroja këtë proces do të kishte qenë edhe më mirë. Për ty e kam, se unë për vete muzikë dëgjoj gjithë kohën. Ti e di mirë që unë e kam qejf Copinin.

Pasi kam vënë gjellën në zjarr mendoj me vete se cfarë mund të vë të tjetër në zjarr apo cfarë mund të laj, fshij, pastroj, lexoj dhe cdo folje tjetër që mbaron me “oj” dhe bëhem gati të shtroj tavolinën.

Ah pjatat, pirunjtë, lugët, thikat, gotat dhe pjatancat që kishim blerë bashkë dhe qeshnim e thoshim se nuk do t’i përdornim kurrë i kam nxjerrë të gjitha. Tani edhe kur bëj një sanduic i nxjerr lugë për recel. Nuk i dihet mbase pas sanduicit më hahet një copë bukë me recel. Mos më pyet përse nuk bëj vetë recel. Nuk i kam qejf fare ëmbëlsirat. Ama një vazo recel fiku, një qershie, një dardhe, një molle dhe një patëllxhani i mbaj gjithmonë se nuk i dihet. Ja si vijnë punët.

Kur bie mbrëmja vë pak muzikë dhe shoh ndonjë film që e kam parë tridhjetë e shtatë herë. Ai teatri si titullohet “Pallati 176”? Më kujtohet një batutë “kur i zbriste shkallët fap e fup si flutur. Dritë, dritë që ju bëftë mamaja”.

Kot t’i tregoj të gjitha këto se para një ore folëm dy orë në telefon, por gjithsesi ta kesh edhe këtë letër të shtysh ditën nesër.

p.s. zarfin po ta nis të hapur se nuk lejohet pështyma, thonë.

I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Arrestohet pronari i kompanisë 'Ritron Kopi' në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore maqedonase

Arrestohet pronari i kompanisë 'Ritron Kopi' në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore maqedonase