Në Shqipëri janë 761 mijë qytetarë që marrin pension mujor, referuar shifrave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore deri në fund të tremujorit të parë të vitit. Referuar shifrave të vëna në dispozicion nga ISSH, sot pensioni mesatar është sa 22% e pagës mesatare të vendit, ose sa 38% e pagës minimale. Pensioni mesatar urban është 19 mijë e 373 lekë, ai rural është 11.7 mijë lekë.

Pensionistët janë edhe kategoria më e prekur nga çdo ndryshim çmimesh sado e vogël që të jetë. Në kushtet kur lufta në lindjen e mesme ka përmbysur tashmë pritshmëritë për rritje ekonomike dhe çmime në kontroll, institucionet ndërkombëtare sugjerojnë paketa mbështetëse të targetuara tek grupet vulnerabël.

Qeveria është shprehur se të parët që do të jenë në vëmendje do të jenë pensionistët, nëse situata me çmimet përshkallëzohet. Por deri më tani e vetmja shtesë që po marrin mijëra pensionist është bonusi mujor që ka nisur të jepet prej janarit të këtij viti. Por shifrat e siguruara pranë institutit të Sigurimeve tregojnë se jo të gjithë po përfitojnë.

“Numri total i pensionistëve që kanë përfituar kompesime në zbatim të VKM nr. 828, datë 30.12.2025 “Për kompesimin e e të ardhurave mujore të pensionistëve”, është 614.797 pensionistë”, thuhet në përgjigjen e ISSH.

Praktikisht nga 761,402 pensionistë bonus, nuk kanë përfituar rreth 1460 mijë pensionistë. Kjo për shkak të tavaneve të caktuara nga qeveria në vendimin e dhjetorit ku vendosi që bonusin 1800 lekë në muaj ta marrin vetëm ata që kanë pension urban të plotë deri në 40 mijë lekë. 800 lekë marrin ata që kanë të pension urban të pjesshëm deri në 22 mijë lekë, 1 mijë lekë do të marrin ata me pension rural deri në 18 mijë lekë.

Ekspertët e ekonomisë Fatos Çoçoli dhe Romina Radonshiqi, thanë në ‘Portofol’ në Report TV se kjo është një padrejtësi, dhe se duhet të korrigjohet në dhjetor, kur jepet edhe shpërblimi i fundvitit.

“Një pjesë mirë e pensionistëve që ndoshta kanë edhe nivel më të ulët se ai i pensioneve mesatar, nuk mund të kenë para mjaftueshëm as për të shpenzuar një javë e jo më të flasim për të mbyllur muajin”, thotë Radonshiqi.

“Ne sot e kemi 8 në 10 pensionistë që u është rritur pensioni për shkak të këtyre shtesave mujore por duket sikur 18 pensionistë janë të pakënaqur, për shkak të diferencime. Ndaj të parët që do t'i japësh më shumë në dhjetor janë këto që sot nuk kanë marrë bonus. Për gjysmën e dytë të vitit nga korriku e deri në dhjetor, ato të ardhura më shumë, përdori për të rritur bonusin mujor të pensionistëve”, thotë Çoçoli.

Situata me pensionet është problematike prej vitesh, jo vetëm për shkak të deficitit të lartë për shkak të emigrimit, rënies së lindshmërisë dhe mungesës së fuqisë punëtore, por edhe pse 55% e pensionistëve në vend marrin pension të pjesshëm, pasi nuk kanë vitet e plota të punës për të dalë në pension.

Vjet u lidhën 55 mijë pensione të reja, me mesatarisht 24.6 vite punë nga 38.8 vite që duheshin në 2025-ën për të marrë pension të plotë. Ndërsa këtë vit duhen 39 vite për pension të plotë pleqërie.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:24
Çmimet e larta, ekspertët: Qeveria të nxjerrë ‘kartën e pensionistit’, të blejnë ushqime pa taksa

Rritja e çmimeve të produkteve bazë po rëndon gjithnjë e më shumë buxhetet e pensionistëve, ndërsa ekspertët e ekonomisë propozojnë masa të reja për të lehtësuar barrën financiare të kësaj kategorie.

Ekspertja e ekonomisë, Romina Radonshiqi, sugjeron krijimin e një skeme mbështetëse përmes një “karte pensionisti”, e cila do t’u mundësonte të moshuarve të blejnë produkte të caktuara me lehtësira fiskale.

“Pensionistët të kenë një kartë ku mund të blenë produkte me lehtësira fiskale do të ishte shumë mirë. Por dhënia e disa parave për momentin për të zbutur varfërinë se mori disa para shtesë unë mendoj që nuk do ta zbuste varfërinë ,do të ishte vetëm një moment”, thotë Radonshiqi.

Në të njëjtën linjë është edhe eksperti Fatos Çoçoli, i cili propozon pilotimin e “kartës së pensionistit”, duke hequr TVSH-në për produktet bazë të shportës ushqimore.

“Pilotoje kartën e pensionistit, është karta që në qoftë se ti do shkosh të blesh bukën, TVSH-ja e bukës ta kesh zero. Do shkosh në një supermarket kudo ku blen ushqimet e shportës, të kesh ulje taksash. Patjetër me kufizime dhe në mënyrë të kontrolluar”, thotë Çoçoli.