22 viktima me COVID-19/ 16 raste të reja brenda 24 orëve (377 në total) ! 30% e të infektuarve janë shëruar! (VIDEO)

TIRANË- Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 175 persona të dyshuar, prej të cilave kanë rezultuar pozitiv me koronavirus 16 raste të reja, duke çuar në total numrin e të prekurve në 377. Lajmi i mirë është se 30% e të infektuarve është shëruar, ku e përkthyer në shifra rezultojnë 116 persona që kanë fituar betejën me këtë virus vdekjeprurës. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit ka pasur 12 të shëruar, teksa nga ana tjetër, betejën me këtë sëmundje e kanë humbur deri tani 22 qytetarë. Viktima është një 90-vjeçar nga Tirana, i cili vuante nga disa sëmundje bashkëshoqëruese.

Nga 175 teste të kryera, 11 kanë qenë personel mjekësor, nuk dihet specifikisht se cilit spital i përkisnin, dhe fatmirësisht të gjithë kanë rezultuar negativ. Referuar njoftimit zyrtar, ka pasur një rritje të numrit të pacientëve të shtruar në spitalin COVID/2 te "Shefqet Ndroq", ku 6 nga 7 pacientët që ndodhen aty, janë në terapi intesive. Kjo sepse ky spital është ngritur për trajtimin e personave të prekur me koronavirus që janë në gjendje më të rëndë. Ndërkohë, në shërbimin infektiv aktualisht janë 66 të shtruar, 5 prej tyre janë në terapi intensive. 

Shkodra, Tirana dhe Hasi janë tre qytetet ku shifrat janë rritur me shpejtësi duke u shndërruar në"shembullin" më të keq se si mos respektimi i distancimit social është shkaktari kryesor për rritjen e bilancit të të infektuarve.

Harta e qyteteve të prekura me koronavirus, përgatitur nga Report Tv

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive
Tiranë 177 raste
Shkodër 44 raste
Durrës 38 raste
Fier 26 raste
Korçë 16 raste
Lezhë 14 raste
Has 12 raste
Elbasan 10 raste
Kavajë 8 raste
Vlorë 5 raste
Lushnje 5 raste
Krujë 5 raste
Rrogozhinë 4 raste
Tropojë 4 raste
Pukë 4 raste
Mirditë 3 raste
Berat 2 rast

Shifrat e përditësuara, 6 prill

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:58
Shënohet viktima e 22 me COVID, ndërron jetë 90-vjeçari

Një pacient 90-vjeçar ka humbur jetën në spitalin infektiv, si pasojë e tromboembolisë pulmonare, njofton Ministria e Shëndetësisë.

90-vjeçari ishte i prekur edhe nga COVID19 dhe vuante nga disa sëmundje bashkëshoqëruese (tromboemboli pulmonare, diabet mellitus, hipertension). Pacienti ndodhej i shtruar prej 5 ditësh në spitalin infektiv në gjendje të rëndë shëndetësore.

Sipas mjekëve që e kanë trajtuar gjatë gjithë kësaj kohe, shkaku i vdekjes së 90-vjeçarit është tronboembolia pulmonare.

Ora 13:04
Shërohen nga koronavirusi edhe 3 mjekë (21 në total)

Mes 12 personave që kanë mundur koronavirusin, 3 janë personel mjekësor duke çuar kështu në 21 numrin e bluzave të bardha që janë shëruar. Kështu bën të ditur ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

"Edhe 3 personel shëndetësor janë shëruar pas testit konfirmues nga laboratori i virologjisë në IShP. Shkon në 21 numri i mjekëve dhe infermierëve të shëruarve nga COVID19. Deri tani 116 qytetarë dhe staf mjekësor e kanë mundur COVID-19", shkruan Manastirliu.

Ora 12:34
Infektohet mësuesja në Fier, jetonte në të njëjtin pallat me çiftin e të moshuarve të prekur nga COVID-19

1586169329_Pallati.JPG

Një mësuese ka dalë pozitiv me COVID-19, duke çuar numrin e të prekurve në 26 numrin e të infektuarve në Fier. Ajo jetonte në të njëjtin pallat me çiftin e të moshuarve që u konfirmuan me koronavirus disa ditë më parë. Mësuesja e prekur jeton në shtëpi me prindërit e saj të cilët janë vetëizoluar pas përgjigjes së analizave. Për pasojë, pallati ku jeton mësuesja është dezinfektuar. Një gjë e tillë është bërë edhe pas konfirmimit se janë prekur me koronavirus çifti i të moshuarve.

Ora 12:05
Të prekur me COVID-19 tre punonjës të policisë kufitare në Has, u infektuan nga kolegu i tyre

Tre rastet të konfirmuara me COVID-19 janë 3 punonjës të Policisë Kufitare, të cilët janë infektuar më herët nga kolegu i tyre. Të tre punonjësit janë të vetëizoluar së bashkë me familjen e tyre. "Pacienti zero" në Has është një e moshuar e cila kishte pasur histori udhëtimi në një nga zonat e kuqe dhe pas kthimit në vendlindje mori pjesë në një ceremoni mortore, ku fatkeqësisht infektoi vëllanë e saj të ndjerë dhe motrën. Pak ditë më parë u shfaq një vatër e re me 7 të infektuar të një familjeje që nuk kishin lidhje me rastin e parë dhe së fundmi 3 punonjësit e policisë kufitare të Hasit. Në total, Hasi numëron 12 të infektuar e COVID-19, mes të cilëve njëri ka humbur jetë.

Ora 11:50
Ministria e Shëndetësisë: Rreth 40 mjekë të infektuar me COVID-19, gjysma janë shëruar! (VIDEO)

Rreth 40 është numri i bluzave të bardha të infektuar me COVID-19! Një shifër e tillë është konfirmuar nga zv. ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli, teksa theksoi se gjysma e tyre është shëruar.

Ora 11:47
Berati me një rast të ri me COVID-19/ Infektohet një 75-vjeçar, djali rezulton negativ

Rasti i ri i konfirmuar me COVID-19 në Poliçan është një 75-vjeçar nga Pronoviku. Nuk dihet ende historiku i infektimit të 75-vjeçarit, teksa mësohet se i është bërë tamponi dhe ka rezultuar negativ.  

Ora 09:42
6 raste të reja brenda 24 orëve në Shkodër/ Zgjerohet rrethi i të infektuarve të dy familjeve në Dobraç dhe Kiras

1586159066_shkoder5.jpg

Koronavirusi është përhapur me shpejtësi në Shkodër, dhe ky qytet është bërë shembull se si mos respektimi i masave të marra ka çuar në një bilanc të rënduar.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se ka shkuar në 48 numri  i personave të prekur në Shkodër. Janë konfirmuar pozitiv një tjetër anëtar i familjes në Dobraç, dy të tjerë të familjes në Kiras, të cilët u infektuan e para në një ceremoni mortore dhe e dyta gjatë vizitave në shtëpi për një të sëmurë. Gjithashtu, janë konfirmuar pozitiv dhe 2 anëtarë të një 80-vjeçareje që ishte infektuar më herët si dhe infermieri që i shërbente asaj.

Në total brenda 24 orëve, janë regjistruar 6 raste të reja.

B.K.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Cim tironci: 06/04/2020 13:25

    Me nje POPULLSI kaq te ULET qe jemi shuma e te infektuar ve eshte shume e larte ne krahasim edhe Me teste qe po behen 2570 teste shume pak asnje politikan I infektuar kjo eshte gje e keqe kemi shume fukarenj te infektuar kjo eshte shume Per te ardhur keq

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Bllokohet aksi nacional Gjirokastër-Përmet, shkak rënia e inerteve nga lartësitë

Bllokohet aksi nacional Gjirokastër-Përmet, shkak rënia e inerteve nga lartësitë