Në 17 vjetorin e fillimit të luftës frontale të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dukagjin, janë bërë homazhe nga personalitetet më të larta të vendit, tek varrezat e Gllogjanit.
Sipas KosovaPress, ata e konsiderojnë këtë ditë si shumë të rëndësishme, pa të cilën, sipas tyre, nuk do të kishte vazhdimësi të luftës.
Rexhep Selimi, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, tha se kjo luftë e vëllezërve Haradinaj dhe e ushtarëve të tjerë të Dukagjinit, ka jetësuar luftën e Adem Jasharit dhe luftën kudo në Kosovë.
Ndërsa, Besnik Tahiri i AAK-së tha se, secili individ i këtij populli duhet të përulet para sakrificës së gjakut dhe luftës për liri, e cila sipas tij, kulmoi edhe me ndërhyrjen e NATO-s me 24 Mars të vitit 1999.
Ndërsa në këto momente ka filluar edhe manifestimi në Deçan, për nder të këtyre dëshmorëve të rënë të Dukagjinit, ndërsa pas mbarimit të manifestimit do të ketë edhe një koncert./atsh/