1972, tragjedia që luhej në skenën e një festivali, Sadik Bejko: Liberalizimi u porosit nga vetë Hoxha (VIDEO)

“Pranë meje dikush tha erdh’ pranvera, por unë nuk e besova”... kështu këndonte Tonin Tërshana

Dhe pranvera ngriu në sytë tanë...!

Ishte viti 1972, kur skena e një festivali kënge u shndërrua në një teatër të atillë tragjedish, që ua kalonin dhe atyre shekspiriane.

Vetëm pak ditë pas shfaqjes së festivalit të 11-të këngës në Radiotelevizionin Shqiptar pasoi katastrofa; dhjetëra artistë u ndëshkuan me zhdukje nga skena, me burgosje dhe internime. Njëri nga të ndëshkuarit është edhe poeti Sadik Bejko, ish redaktor i teksteve të këngëve në Radio-Tirana dhe e autor i tri këngëve të festivalit të 11- të këngës në radiotelevizionin shqiptar.

Poeti Sadik Bejko sot një profesor i njohur i letërsisë, u dënua pas festivalit të punojë në punë të rënda, në minierë. 

Ky prag festivali i këngës në RTSH do të ketë edhe një rikujtim të festivalit të 11-të. Shpeshherë është rikujtuar festivali i 11-të, por gjithmonë pas skenave të tij janë ato të pathënat apo prapaskenat e politikës, që u pasuan me dënimin e artistëve. Ju ishit pjesëmarrës në festivalin e 11-të të këngës në RTSH, cili ishte funksioni pikërisht në ato kohë që po përgatitej ky festival?

-Festivali i 11-të erdhi në një klimë shoqërore politike të ndryshme nga ç’kishte qenë më parë. U quajt një farë pranvere, si të thuash, pranvere e hershme e Tiranës në vitin 1971-1972. Ishte një klimë, e cila solli ndryshime në të gjitha shfaqjet e jetës kulturore në Tiranë. Ndikimet, pra, siç ishin në jetën e përditshme qenë edhe në letërsi.

Madje, madje edhe romani i Kadaresë “Dimri i madh” nisi të shpërndahej në dorëshkrim në ditët që bëhej festivali i 11-të. Në këto vite ndodhën ndryshime në krejt jetën e vendit. Në letërsi vërshuan ndikimet nga poezia moderne e shekullit të njëzetë. Në pikturë, në ekspozitën e të rinjve u shquan piktura “Epika e yjeve të mëngjesit” e E. Gjergos, apo “Mbjellja e pemëve” e Edi Hilës. Në Teatrin Popullor Mihal Luarasi e Kujtim Spahivogli tentonin të ngjisnin në skenë dramën “Orfeu zbret ne ferr” të Tenesi Uiliamsit, Spahivogli, veç  të tjerash kishte gati për premierë komedinë satirike “Banjat”  të Majakovskit. Pra, teatri, letërsia, të gjitha u përfshinë nga një frymë e theksuar, ndryshe nga ajo çfarë ishte më përpara. Unë hyra në RTSH në vitin 1971 dhe nga fundi i vitit 1972, muaji dhjetor kur u mbajt Festivali i 11-të, një nga ngjarjet artistike më kulmore për nga prurjet e reja në muzikë, në krijimtari, në interpretim, një demonstrim e manifestim i dëshirës për ndryshim, për liri krijuese, për të qenë në shijen dhe në nivelin e asaj muzike që bëhej kudo në botën përreth nesh.

Siç po ma përshkruani ju, kjo duket si një kryengritje artistike. Nuk duket e rastësishme kjo klimë, që ka përfshirë të gjitha zhanret dhe të gjitha institucionet?

-Kjo u përgatit politikisht nga dy fjalime të Enver Hoxhës, të asaj kohe; një që u quajt Fjalimi i Matit në vitet ‘69-‘70  që u quajt fjalimi i Matit,i mbajtur në Mat, dhe e dyta,  një bisedë e Enver Hoxhës me Agim Meron që ishte anëtar i Komitetit Qendror dhe Sekretar i Parë i Rinisë i asaj periudhe. Enver Hoxha i thotë që: “Të rinjtë le të vishen bukur”; “Të rinjtë le të dëgjojnë muzikën e bukur, që këndohet dhe sot në botë”; “Të rinjtë le të lexojnë letërsinë e bukur të shekullit të 20-të, se ne kur ishim të rinj nuk kemi qenë kaq revolucionar sa jemi sot. Dhe ne i kemi lexuar shkrimtarët e asaj kohe, dhe i kemi dëgjuar muzikën e atëhershme, dhe kjo muzikë, kulturë, mirësjellje, që ne e quajtëm borgjeze, nuk na pengoi ne që të jemi revolucionarë. Kështu që djemtë tanë le të hapen ndaj botës.”

Dh.H: Askush nuk e dinte se si  do të rrokulliseshin deri në fund ngjarjet, kur, aty nga qershori i vitit 1972, mblidhen në zyrën e Drejtorit të  Përgjithshëm. Në atë mbledhje ishte shefi Gjon Simoni dhe Kujtim Laro si redaktori i muzikës. Ishte Sadik Bejko si redaktor i teksteve, drejtoresha e Radios së Brendshme në shqip, Nefo Myftiu, dhe përfaqësues të televizionit, regjisorë, shkrimtarë të radios, si dhe Ruzhdi Pulaha, shef i redaksisë së Kulturës, etj.

U paraqit platforma për Festivalin e 11-të.

U dhanë udhëzimet.....

Sadik Bejko: “Dhe në këtë mënyrë unë që kam qenë në RTSH, një ditë, prej ditësh, më thirri në zyrë shefi im i muzikës Gjon Simoni, kompozitor, pedagog, njeri i shquar i atyre viteve, përgjegjës i redakisë së krijimtarisë muzikore, teoricien, aranxhator i muzikës dhe më sjellë në një qese plastike të madhe këngë në CD me muzikë të Elvis Preslit, të Bitëllsave, të Charles Aznavour, të Denis Ruso etj. Dhe në vitin 1971-1972 për herë të parë në RTSH jepet muzika e tyre.

Dy ishin njerëzit që e morën flamurin e asaj që do të sillnin ndryshimin. Këta ishin Todi Lubonja e Fadil Paçrami. Fadil Paçrami ishte njeriu që thoshte që “duhej të luftojmë ashpër konservatorizmin.”; “Unë këtë “Skenderbeun” nuk e duroj”, sepse ishte  koha kur vihej në skenë opera “Skënderbeu”.  

Ishte Todi Lubonja, ai thoshte: “Dëgjoni, kini bërë këngën e gjyshes, e nënës.. nuk do të bëjmë këngë për gjyshërit, duhet të bëjmë këngë për rininë, të bëjmë këngë të reja.”

Pra, në këtë klimë këta të dy kishin marrë përsipër që të modernizonin artin dhe kulturën.

Çdo tekst i festivalit në atë periudhë, shikohej nga redaksia kalohej tek drejtori dhe pastaj i shikonte Fadil Paçrami që përgjigjej për ideologjinë e Partisë në Komitetin Qendror. Testet e shkruara duhet të kishin më parë tematikën, ideologjinë, mbi çfarë parimesh morale politike, mesazhesh donte të jepte politika nëpërmjet teksteve, jo muzikës.

Unë kam pasur tri tekste në atë festival, një me kantautorin e ndjerë Françesk Radi, “kur dëgjoj zëra nga bota”, një tjetër ka qenë me Kujtim Laron, një tekst lirik, i bukur. Këtë e këndonte një këngëtare Ilirjana Çarçani, që këndoi në atë festival e nuk këndoi më. Teksti “Kur dëgjojmë zëra nga bota” është për disa të rinj që këndojnë në park, por ndërkohë dëgjojnë lajmet që ka rënë bomba në Vietnam. Megjithëse bien bombat ata këndojnë. Pak a shumë ky është teksti: “Merre kitarën/ shokët më thanë”...

Kënga nuk ishte në natyrën e Françesk Radit që bënte këngë të buta, këngë të ëmbla, por duhej edhe një këngë e tillë, sepse një festival sidmos në komunizëm duhet ndërtuar edhe me një vizion pak a shumë politik për kohën.

Kështu ishte pjesa tjetër e këngëve. Ishin këngë lirike, kënga e Ilirjana Çaçanit, ku zogu ngre folenë dhe ne në lumë që pimë një lugë ujë dhe ne plotësohemi me natyrën, ishte filozofia. Kisha dhe një këngë tjetër që ishte me Lefter Agorën, prapë për dashurinë për detin. Kishte dhe mesazhe që i shkonin klimës së kohës. Ajo që quhet kënga e famshmja “Kafe Flora, burra plot” ka një mesazh politik brenda, për të luftuar konsevatorizmin. “Ja shiko me sy tërthor/na sheh një konservator/Mos më shih baba ashtu/Unë jam vajzë që vij nga ju. Pa ra pa pa....”. Ajo ka dhe nje emsazh poltik brenda...

Pra, këngët ishin të ndërtuara, pavarësisht se ai ishte festival i muzikës moderne, shumë të bukur, ai kishte edhe mesazhe politike, të cilat domosdo vinin përtej lirisë së muzikës.

Unë kam qenë autor i teksteve të atij festivali dhe ato tekste nuk do t’i harroj sa të jem gjallë. 

Ai ishte një festival, pra, i ndërtuar në një klimë të caktuar për t’i shërbyer një klime të caktuar. Atëhere mendohej që Shqipëria duhej të hapej ndaj perëndimit. Thonë që për këtë ka dokumenta, nuk do të shkoj 50 vjet, 60 vjet e ato do të hapen, dhe këtë duhet ta jepte në muzikë, në pikturë, në letërsi. Papritur kjo që u përgatit, ashtu siç u përgatit, ashtu siç u dhanë dhe mesazhet, papritur e pakujtuar dhe u ndërpre...

Sa zgjati kjo pranverë artistike, ky ngazëllim i artistëve të rinj për të prurë një të ardhme në art, muzikë e letërsi? 
 

-Kjo zgjati një vit 1971-1972, ’73-shi  preu këtë gjë...!

Çfarë ndodhi me këngëtarët. Sa këngë u ndaluan?

-Çfarë këngësh? ...Ah, pak a shumë unë i mbaj mend të gjitha këngët, dhe këngët fituese. ”Pranë meje, dikush tha: Erdhi pranvera/ por unë nuk e besova”.

E këndoi Tonin Tërshana. Kjo ishte kënga fituese me kompozim të Pjetër Gacit dhe fjalë të Fatos Arapit. E këndoi Tonin Tërshana, një këngëtar shumë i mirë. Ose ishte kënga e Vaçe Zelës “Natën vonë”, e kënduar nga Vaçe Zela, me kompozitor Tish Daija. Ishte një këngë xhazi. “Mes shokëve dhe shoqeve pa, pa,’ Por ishte dhe një arxhantor i shkëlqyer Gaspër Çurcia, që kishte edhe vetë një fomacion orkestral, dhe që i pasuroi ato këngë edhe me solo orkestrale. Dhe ai kishte një instrument të ndaluar, e çfarë ishte kjo vegël e ndaluar, ishte ajo që quhej saksofon .

Ishte i ndjeri Aleksandër Lalo, që kishte një formacion të vogël orkestral, e hoqën nga skena e çuan në Kukës. Gaspër Çurcia, doli nga festivali, shkoi elektricist e pastaj e vranë më së fundi se ashtu erdhi puna e tij. Ishte diçka e dhimbshme e frikshme dhe e bukur, se të gjithë donin të bënin më të mirën, por pyesnin a mund të na ndodhi gjë. Besnik Taraneshi kishte kënduar këngën djaloshi dhe shiu. U fshi nga skena dhe kurrë nuk këndoi. Ai mmbeti më histori vetëm me atë këngë, që ishte me ritme tëist.

Si shkoi jeta e tij?

-Taraneshi një i ri nga Kavaja mori përsipër intepretimet e ritmeve tëist. Në vitet 62-63 mori përsipër interpretimin e ritmeve Tëist. Ishte shummë e vështirë atëherë “E shiu pikë, pikë pikë bie pa pushinm “ta ra ra”. Ky ritëm u kthye në intepretim ideologjik, sikur ritmi do t’i hidhte minat sistemit e ta hidhte në erë.

Fadil Paçrami dhe Todi Lubonja, që frymëzuan liberalizmin e festivalit, u goditën pas festivalit apo më vonë?

-Todi Lubonja është figurë interesante e asaj periudhe. Todi Lubonja ka nxitur disa ngjarje artistike. Ai ishte sekretar i Partisë së Korçës dhe ai ka lejuar, nxiti artistin Mihallaq Luarasin dhe dramaturgun Minush Jeron për të vënë në skenë dramë të tillë në skenë, “Njollat e Murme”, dramë që mori flamurin e një festvalit dhe të nesërmn u ndëshkua nga Enver Hoxha. Todi Lubonja kishte një ëndërr për ta bërë më të mirë komunizmin, për ta reformuar, për ta bërë më të butë, më të ëmbël, por vetëm kaq. Ndaj unë duhet të them edhe sotë e kësja dite për vlerat kulmore festivali i 11-të nuk është studiuar akoma me një vepër shteruese monografike, sepse duhet të studiohet në mënyrë prfesionale, jo poltike dhe të evidentohen vlerat e atij festivali, për të përcjellë në mënyrë profesionale vlerat e atij spektakli.Unë kujtoj Liljana Çarçanin. Unë nuk di ku është ajo. Këndoi vetëm njëherë dhe doli në festival vetëm njëherë dhe pastaj e flakën nga skena.

Edi Luarasi ishte një aktore e shkëlqyer e teatrit shqiptar nga më të mirat, e cila vetëm se ishte prezantuesja e këtij festivali doli nga jeta artistike.

Cilat kanë qenë themelet e muzikës që hodhi festivali?

-Duhet të flas një prefsionist për këtë festival... Ai ishte një spektakël nga më të shkëlqyerit që ka pasur muzika shqiptare. Kishte kompozitorë më të shquar, autorë të shquar, Tish Daija, Çesk Zadeja, nga kompozitorët më të shkëlqyer shqiptarë, që edhe sot pas kaq kohësh ne i quajmë ato këngët e shekullit që kaloi. Pra, vlerat e këtij festivali akoma nuk janë zbërthyer në mënyrë artistike.

Pra, nuk shënojmë gjurmët artistike apo lulesat artistike që shënoi kjo skenë festivali, të cilat besoj se janë adpotuar apo jo edhe në vitet e mëvonshme, pavarësisht trysnisë e censurës së kohës?

-Shiko! Unë po të them. Duke folur që u ndëshkova unë. U ndëshkua ai. Vajti në burg Sherif Merdani, që këndoi këngën. Liljana Çarcanin që e flakën nga skena, i dhanë mos këndo më. Edi Luarasi, ishte një aktore e shkëlqyer, vetëm pse ishte perzantuese e atij festivali, burri iu fut në burg dhe doli nga skena.

E nga vinte kjo kulturë muzikore, kur ksihim pak më shumë se dy dekada pas luftës së dytë botërore, në një vend të varfër e të shkatërruar nga lufta?

-Jeta artistike në Tiranë, në këtë priudhë ishte e një cilësie të tillë që po vinte duke u perfeksionuar, ngaqëishte liceu, po zhvillohej  jeta e teatrove amatore, ziente në të gjithë Tiranën jeta kulturore dhe të gjitha këto dhanë mundësinë e zhvillimit krijues.

Si do të ishte një homazh për të risjellë kontributet e të gjithë artistëve me të cilët bashkëpunuam?  

-Unë nuk mund të harroj që kam pritur e redaktuar tekstet muzikore të Agim Prodanit. Unë nuk mund të harroj një njeri si Pjetër Gaci, si Ferdinant Deda. Nuk harroj Aleksandër Lalon, i shquar si muzikant, që ishte një djalë i ri shumë më i ri nga unë. Unë nuk harroj Gaspër Çurçian që ishte muzikant i shkëlqyer për aftësitë aranxhuese dhe dirigjuese të një grupi të orkestrës frymore. Edhe sot në Shqipëri, nuk e ke një formacion orkestral të atij niveli, që pati Gaspër Çurcia në vitin ‘72-‘73. Ishte Robert Radoja, një muzikant i shkëlqyer. Ishte Agim Krajka, Sherif Merdani, Tonin Tërshana, Vaçe Zela, që mbrojtën profesionin dhe nderin e tyre. Kultura shqiptare duhet t’u jetë mirënjohëse atyre njerëzve. Pra ishet dhe një formacion i vogël për muzikë të lehtë drejtuar nga kompozitori Aleksandër Lalo. Ishte një redaksi që prodhonte e që incizonte muzikë dhe programe muzikore. Prej saj merrej viza për çdo këngë që hynte në transmetimet radiofonike në Shqipërinë e asaj kohe.

Dh.H: Festivali i 11-të ishte skena e parë që tregonte se Shqipëria ziente nga dëshira që të hapej nga Perëndimi. Shqipëria e artistëve, e shkrimtarëve, e muzikantëve e dha provën e kësaj dëshire. Vazhdon edhe sot ta japë....

Kjo skenë festivali ishte pasqyrë e atij lloj njeriu që guxon të jetë vetja edhe kur e burgosin, edhe kur e dënojnë me dëbim të përjetshëm nga arti, nga miqtë, nga skena.

Por ...

“Dhe pranvera erdhi, por unë s’e besova”.

/B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Bruksel, dështim i ri në bisedimet për dinarin serb! Prishtina e Beogradi fajësojnë njëra tjetrën

Bruksel, dështim i ri në bisedimet për dinarin serb! Prishtina e Beogradi fajësojnë njëra tjetrën