20 vjet më pas! 79 ditët e Kukësit, lufta e Kosovës në ditarin e shkrimtari

20 vjet më pas! 79 ditët e Kukësit, lufta e Kosovës në ditarin e shkrimtari

Botimi i dytë i këtij libri (i plotësuar) vjen njëzet vjet më vonë qyshprej pranverës dramatike të vitit 1999.

Qe një pranverë dramatike, por njëkohësisht edhe e bukur, se solli lirinë e ëndërrueshme të mezipritshme të Kosovës.

Asokohe, Kukësi pati fatin të bëhet i njohshëm dhe të thyejë rregullat e qyteteve të vegjël provincialë, rregulla që i mbajnë gjithmonë të lidhur mbas veti.

Ky qytet ndoshta është ndër të vetmit në botë që fitoi njohje të menjëhershme për shkak të krejt banorëve të tij. Të banorëve, që dëshmuan se çfarë do të thotë humanizëm njerëzor apo respekt për njeriun, respekt që u shndërrua në kod të brendshëm moral, të pashkruar kund, por të ngritur në një institucion të çuditshëm, shpesh gati - gati të pabesueshëm.

Me 5 maj t’atij viti e pyeta Marie Laure Colson, gazetare e Liberation - it të Parisit:

- Ç’mund të ndodhë me Parisin nëse popullsia do t’i dhjetëfishohej menjëherë?

- Apokalips, - foli menjëherë ajo.

- Ja, këtu s’po ndodh asgjë, - ia ktheva unë. - Ose, po ndodh diçka fort e bukur. Banorët e Kukësit po shkruajnë historinë e pangjashme të humanizmit në fundin e shekullit XX.

Banorët e përhershëm si dhe banorët e rinj, që ndejtën përkohësisht në këtë qytet ose bujtësit e përkohshëm, bujtës dhjetë herë më shumë se banorët e vetë qytetit e kthyen atë në qytet - shtet, në një vend të tillë ku askush për asnjë rast s’e ndjeu vetin se qe i tepërt.

Në mbrëmjen e 12 qershorit të atij viti, një vajzë e vogël, quhej Egzonë, më thoshte: “Nesër po shkojmë n’Kosovë se asht çelë Kosova njëjtë si me u çelë dita a nji mot i mirë”. Po. Kosova u çel përnjimend dhe liria e vet s’do jetë kurrë e cënueshme.

E diel, 28 mars 1999 (Pak kohë pa u avitë mesnata)

Në Kukës ranë këmbanat e alarmit.

Në orën 13 të ditës së djeshme afër 300 vetë të Krushës së Madhe dhe të Krushës së Vogël kaluan Doganën e Morinit dhe po vinin drejt Kukësit. Por ky qe veç fillimi. Askush s’e dinte dhe s’mund ta merrte me mend se prej mesditës së djeshme dhe deri në këtë orë, kur po mbërrin mesnata, në Kukës do dyndeshin 40 mijë vetë. Aq më tepër kur ditën e të premtes në Doganën e Morinit s’kishte kurrfarë lëvizje. As natën e të premtes. Por as paraditen e ditës së shtunë.

Këto janë shenjat e para se Millosheviçi dhe qeveria e tij kanë nisur spastrimin etnik apo shkuljen etnike ndaj të shqiptarëve të Kosovës. Eksodi biblik ka përfshi tani për tani kryesisht vetëm gratë dhe fëmijët. Nuk dihet sa do të vazhdojë kështu, por nuk dihet se çdo të bëhet me ata që erdhën dhe po vijnë në këtë qytet, popullsia e të cilit po shtohet prej orës n’orë.

Por, kjo zhvendosje, kjo lëvizje e papritshme e mijëra e mijëra shqiptarëve të Kosovës sikur shkaktoi tërmet. Të duket se në qytet dhe rrethinat e tij, por edhe në rrugën Morin - Kukës sikur ka humbë drejtpeshimi. Të duket se traktorët dhe automjetet e tjera që vijnë në Kukës nuk shkarkojnë të dëbuarit me dhunë prej trojeve të tyre, por shkarkojnë vetëm vuajtje dhe dhimbje njerëzore.

Kjo vuajtje, kjo dhimbje e pamatshme shtrihet përgjatë rrugës Morin - Kukës, në krejt katundet atypari, në qytet dhe krejt hapësinën përreth. Është e vështirë ta kundrosh këtë pamje, gati - gati e pamundshme. Njeriut mund t’i zihet fryma kur sheh fëmijët e vegjël strukë në traktorë dhe, sado mund të bësh për ta, të duket pak, shumë pak dhe aq më tepër kur e ndien se drama e tyre po merr përmasat e një orteku, që sa vjen e shtohet dhe pa e ditë kush se kur mund të ndalë.

Në mbasditen e djeshme shumë familje u mbajtën në shtëpitë e tyre prej banorëve të Morinit, Bardhocit e të katundeve të tjera, por fluksi i atyre që vinin, shtohej gjithnjë e më tepër.

Sheshi qendror i qytetit u mbush plot.

U hapën edhe dyert e Pallatit të Kulturës “H. Prishtina” dhe u mbush menjëherë.

Por Pallati i Kulturës sa mbushej, zbrazej. Banorë të qytetit kanë vërshye në dyert e tij dhe marrin nga një a dy familje me veti. Gjithçka kryhet pa fjalë, pa zhurmë. Mjafton vetëm thirrja e të zotit të shtëpisë: “Ju, sa të jeni, do vini tek unë”, dhe familja e ftuar niset për kah e prin banori i Kukësit që e fton. Mund të dëgjohen fjalët: “Të njani-tjetrit jemi”, siç mund të dëgjosh të thuhet: “Ju ruajtë Zoti!”.

Prej mesditës së djeshme dhe deri në mbrëmje vonë TV Kukësi përcolli disa herë thirrjen e Kryetarit të Bashkisë Kukës, Safet Sula, drejtuar banorëve të Kukësit, ku ndërmjet të tjerave thuhej:

“Është e pamundshme që vëllezërit e motrat tona të Kosovës të strehohen në mjediset që ka Bashkia, prandaj duhet të hapim dyert e zemrat tona”.

Pa u avitë terrimi, një Skodë ndalet në mes të sheshit të qytetit. Në karrocerins e mbushur kulmas mund të jenë mbi 40 vetë dhe thuajse ngjitmas njëri me tjetrin. Të ngjan se kupa e qiellit u ka rënë mbi krye. Shoferi Shkumbin Braha hap menjëherë tri anëset e Skodës dhe ata zbresin thuajse me një frymë.

“Është hera e dytë që vij”, - më thotë shoferi. - “Herën e parë, do banorë prej Pirane i solla te Rajoni i policisë se s’dija ku t’i çoja, ndërsa ketë herë në mes të sheshit. Po shkoj prap me marrë të tjerë”.

Drama e të ardhurve po shtrihet dalngadalë në gjymtyrët e kësaj hapësije dhe njëkohësisht edhe në frymën e shpirtin e njerëzve.

Dhe mëngjesi i ditës së sotme e zë qytetin me brengën më të madhe ndoshta në gjithë historinë e vet.

Erdhën edhe banorë të komunave të marrin familje në shtëpitë e tyre.

Halil R. Istrefi (me banim në Drinas), mori një familje 18 anëtarëshe. Më thotë se, sapo dëgjoi lajmin, s’mund të rrinte i qetë ai dhe familjarët e vet, prandaj erdhën menjëherë te Pallati i Kulturës. “Ne, kuksianëve”, - më thotë, - na erdhi ora me qëndrue. Në Kukës, shpija asht e Zotit dhe e kosovarëve”.

Paksa e çuditshme! Një 40 vjeçar në Kukës kërkon intuitivisht me ndërrue sentencën e famshme e të pandryshueshme të Kanunit: “Shpija asht e Zotit dhe e mikut”, me “Në Kukës, shpija asht e Zotit dhe e kosovarëve”.  Ndërsa te sentenca e “Kanunit” miku është i papërcaktueshëm, kushdoqoftë ai, te sentenca e formulueshme e atypëratyshme e 40-vjeçarit Halil R. Istrefi, miku është i përcaktueshëm, veçse jo një individ, por një kolektiv njerëzor. Para se me u nda me të i thashë se kjo formulë e re e tij është e përkohshme, ndoshta do funksionojë vetëm për pak muaj se, me sa ma ndjente shpirti dhe zemra, herdokur kosovarët do kthehen prap atje.  Megjithatë, sentenca e “Kanunit”: “Shpija asht e Zotit dhe e mikut”, mbetet e bukur, gati-gati hyjnore në çdo kohë.

Mësuesi Gazmend Sinamati (me banim në Bicaj), erdhi me një kamion, por i lindi një problem: Familja që do merrte me veti ishte 36 anëtarëshe dhe kamioni s’i merrte krejt, atëherë u tha se do ta bënin me dy rrugë.

Gjithë dita e sotme ka qenë në lëvizje dhe ndoshta mëngjesi çeli me heret se çdo herë tjetër.

Përsëri kolona e gjatë e traktorëve prej Morini deri në Kukës. Të ardhurit drejtojnë traktorët e tyre për kah xhamia dhe sheshi qendror i qytetit. Aty kah ora 10, një traktor e kish rrotën e përparme të shqyer dhe mezi ecte. Për një çast u ndalua. Atëherë tre nga kalimtarët në anë të rrugës, afrohen dhe e shtyjnë, por mesa duket, ai që e ngiste u tha se s’kish nevojë për ndihmë se mund të shkonte edhe ashtu.

Të shpërngulurit që erdhën në Kukës kallëzojnë se në kufi policia serbe ua mori letërnjohtimet dhe ua grisi. Ua hoqi edhe targat e makinave. Por kallëzojnë se nëpër katundet e qytetet e tyre ushtarët dhe policia serbe po i nxjerr me forcë njerëzit prej shtëpive të tyre dhe po i nisin drejt Shqipërisë. Ata thonë se në shumë vende, shtëpitë ua dogjën dhe ushtria dhe policia serbe kanë masakruar shumë vetë dhe ka raste kur, 30 apo 40 vetë i kanë futë në një gropë të përbashkët.

E hënë, 29 mars 1999

Kukësi u kthye në një qytet pritës.

Të ardhurit këtu sikur marrin frymën e parë. Por njëkohësisht është dhe qyteti ku shkarkohet dhimbja, që ka mbështjellë të ardhurit. Dhimbja për njerëzit e tyre të vrarë, të masakruar. Dhimbja për rrënimin e shtëpive, për zhvendosjen me dhunë nga trojet e tyre. Ajo shtrihet në krejt qytetin dhe hapësinën përreth. Shpërndahet kahmos dhe duket se s’e lehton asgjë. Sikur ngrihet dhe mbështetet në shpatnajën e zhveshtë të Malit të Gjallicës, por menjëherë kthehet mbrapsht. Kërkon të mbështetet në liqenin pranë qytetit, por edhe liqeni sikur është ngrijas dhe s’e mban më. Nëpër rrugë s’ka ku të rrijë, s’ka vend të lirë, sepse rrugët i mbushën njerëzit. As përreth qytetit. Prap gjenden hapësina të ndërmjetme dhe dhimbja gjen shteg e rri në sytë e njerëzve. Aty sikur rri pa lëvizë. Sytë e njerëzve lëvizin, ndërsa ajo rri prap aty. S’dihet sa do rrijë kështu, krejt ngrijas në sytë e lëvizshëm të mijëra  vetëve në këtë qytet të vogël, ku, për shkak të pluhurit të dendur, njeriu duhet të fshijë këpucët tri - katër herë brenda ditës.

Pika e kalimit në Morin i ngjan derës së madhe të një tuneli t’errët, derë që rri haptë gjithë ditën e natën e lume dhe, që vetëm nxjerr e nxjerr njerëz. Njerëz të veshur me ankth. Me pikëllim. Duket se ritmi i jetës së tyre është këputë.

Thuhet se në qytet po mbaron buka dhe mallrat e tjerë ushqimorë, ndërsa fluksi i të ardhurve shtohet pandërprerë.

Gjatë ditës së sotme pika e kalimit në Morin bllokohet vetëm për katër orë, por kjo gjë pak vihet re ose nuk vihet re, mbasi kolona e traktorëve shtrihet përgjatë rrugës Morin - Kukës dhe të lë përshtypjen se lëvizja e njerëzve nuk këputet as edhe për një çast. Ata që vijnë vendosen aty ku mund të ketë vend të lirë: Në sheshin qendror, në gjithë hapësinën ndërmjet xhamisë dhe ndërtesës së Prefekturës, në ish - këndin e lojnave për fëmijë, në mjediset e brendshme të magazinave të patates apo të magazinave të tjera (sidomos n’atë vend ku deri para disa viteve quhej “Zona industriale”).

Xhamia dhe Pallati i Kulturës “H. Prishtina” janë mbushur plot e përplot, por edhe përjashtë tyre. Njerëzit i kanë rrethuar, siç rrethoheshin kështjellat moti, veçse këtu i sheh t’ulur, mund t’i shohësh mbi traktorë, por edhe mund të shohësh mbledhnaja njerëzish në hapësinat ndërmjet traktorëve, të lodhur dhe të heshtur njikohësisht. Thuhet se do vijë miell nga rezervat e shtetit, siç thuhet se po vijnë rreth 20 mijë çadra për të strehuar të shpërngulurit, të cilët, shtohen nga çasti në çast dhe në banesat e qytetarëve s’kanë më ku të futen, jo vetëm pse banesat e tyre e kanë hapësinën shumë të ngushtë, por në çdo banesë tani ndodhen mbi 20 a 30 vetë.

Sot nga sheshi u nisën 110 automjete me 4 mijë vetë për në zona të tjera të Shqipërisë, por në qytet erdhën edhe 10 mijë të tjerë.

Prej të shtunës erdhën 60 mijë vetë, por këmbanat e alarmit kanë rënë kahmos (të frikshme, me ritëm të zgjatur dhe që lodhin çdokënd), pra, se me këtë ritëm, në qytet Brenda tri ditëve të tjera mund të vijnë dhe 100 mijë të tjerë, por dhe 200 mijë e më tepër.

Do jetojë ky qytet me njerëzit që shtohen siç shtohen valët e një lumi? Çfarë do bëhet me këtë qytet dhe me këta njerëz?

Por çdokush këtu ndodhet ndërdyshtas. Askush s’është në gjendje të japë dum se ç’do bëhet këtu, si do ngrysen ditët dhe si do çelen me gjithato vetë, që pothuajse i kanë marrë frymën qytetit dhe hapësinës përreth.

Pika e kalimit në Morin vazhdon të mbetet e haptë.

Dëbimi tani ka përfshi rrethinat e Prizrenit dhe Gjakovës.

Pika e kalimit në Morin nxjerr e nxjerr njerëz dhe prej aty mund të shohësh karvanin e gjatë të tyre, në këmbë ose me traktorë, që presin në rresht për të kaluar këtë pikë kalimi dhe me ecë në drejtim të Kukësit. Vendi pranë doganës është i mbushur dhe, si të thuash ka mbetë si rastësisht e haptë sall pjesa e rrugës nga ku kalojnë të shpërngulurit.

Në Kukës, banesat e qytetarëve janë të zëna: Të shtunën dhe të dielën u mbushën dhe vështirë se mund të ketë mbetë një e tillë e pazënë, siç nuk ka mbetë e zbrazët asnjë pjesë e sheshit, rrugëve, traktorëve dhe ata që erdhën kërkojnë tani ku mund të ketë hapësinë ku mund të vendosen.

Nëpër qytet u shpërnda bukë dhe ushqime të tjera. Pranë ish - kinemasë së vjetër, UNHCR-ja shpërndau bukë pothuajse gjithë pasditen. Po sot pasdite, Basri Ruka, pronari i firmës “Lindi”, ka sjellë nga Tirana katër kamionë me miell, që e nisën menjëherë në komunën e Bicajve.

Pranë Pallatit të Kulturës “H. Prishtina” mund të dallosh lehtas vullnetarët e Kryqit të Kuq për shkak të bluzave që kanë veshë. Ata janë kryesisht nxënës të gjimnazit “H. Nela”. Juristi Bedri Gjana, që është me nxënësit më thotë se qysh të shtunën s’kanë shkuar në shtëpitë e tyre dhe janë këtu, në shërbim të njerëzve.

Shënoj në një fletë blloku emrat e disa prej tyre: Bledar Mata, Klodian Shehu, Edvin Miftarallari, Ermal Korbi, Eduard Korbi, Eduard Gjici, Bledar Spahiu, Artur Cengu, me shpresë se një ditë, ndoshta në një ditë të largët do t’u kthehem përsëri këtyre shënimeve.

Në Kukës kanë vërshye rreth 500 gazetarë të huaj.

Tashmë drama e Kosovës po i përcillet botës, aq sa mund të përcillet, kur dihet se Kosova është e izoluar dhe t’afrohesh të futesh aty është njëlloj si t’i afrohesh portës së një ferri. Kukësi natyrisht është vendi ku merret informacioni më i parë.

 E martë, 30 mars 1999

Të gjitha udhët e qytetit janë mbushur me njerëz dhe automjete.

Edhe hapësinat ndërmjet ndërtesave. Edhe udhët që të çojnë për në Bicaj, Krumë apo dhe udha kryesore për kah Tirana kanë një trafik të jashtëzakonshëm. Të ngjan se, herët a vonë udhët do të fundosen, ashtu qetë - qetë dhe pa e ndier askërkush se do të ndodhë një gjë e tillë. Askush këtu s’e çon nëpër mend se diçka e kësillojtë mund të ndodhë, apo diçka e përafërt si kjo dhe që ka të bëjë me humbje, zhdukje, rrënim, përveç alarmit në shtypin e përditshëm se, nëse një ditë mund të kapërcehet në Kukës, nuk mund të dihet se ç’do të ndodhë me ditën që vjen pas. Mund të vdesin njerëz prej urie. Mund të vdesin dhe prej etjes. Në këtë qytet mund të plasë epidemia dhe, e pamëshirshme mund të marrë përpara çdo gjë dhe jetë njerëzish mund të priten, ashtu siç pritet bari. Qyteti mund të kthehet në një varr gjigand… Dhe hamendjet, shpesh janë nga më të çuditshmet. Gazetarët, shpesh të hipur në kalin e ëndrrave dhe përfytyrimeve vrapojnë ngutshëm, vrapojnë dhe përsëri vrapojnë ngutshëm, dhe, ndërsa përpiqen ta japin atë realitet me dritat e tyre të venerimeve, përsëri sillen e mbështillen në pyetjet e ankthshme: Ç’do të ndodhë me këtë qytet? Ç’do të ndodhë a ç’do të bëhet me këta njerëz?

Kudo sheh njerëz dhe në çdo orë të ditës apo të natës mund t’i shohësh përjashtë.

I sheh nëpër të gjitha rrugët e qytetit, i sheh rreth e përreth tij. Mund t’i gjesh në shkallët e ndërtesave. Mund t’i gjesh në ish - Parkun e braktisur të lojnave të fëmijëve. Por mund t’i gjesh brenda ndërtesës së xhamisë dhe përreth saj. Mund t’i shohësh duke ecë, por mund t’i shohësh dhe në traktorët e tyre tek kalojnë natën aty, në mbretërinë e akullt. Ndërtesat e qytetit, kryesisht me katër dhe pesë kate, para kësaj lumnaje njerëzish që fryhet e fryhet, sikur tkurren dhe shuhen krejtësisht.

Qyteti është ngushtë përjashta, por është ngushtë edhe përbrenda.

Në një apartament mund të jenë strehuar 20 vetë. Diku 25 vetë. Por diku edhe 40 vetë. Edhe 60 vetë. Edhe 70 vetë a më tepër.

Ajet Cena (me banim në Gostil), më thotë se ka marrë te shpija e vet 76 vetë.

Shkoi te ish - Parku i Ri se mos gjendeshin aty familjet e të njohurve të vet: vllezërve Shani e Muharrem Ademaj prej Zhuri. Nuk i gjeti. U afrua te një makinë dhe brenda pa një plakë të sëmurë dhe dy burra. “Do vini te shpija ime”, u tha. Mbasi e la atë familje te shpija e vet, u kthye risht te ish - Parku i Ri. Aty gjeti familjet e Shani e Muharrem Ademaj, edhe të Rami Ademaj prej Zhuri, por me banim në Prizren. “Nisemi te shpija ime”, u thotë Ajeti. “Falemnderës”, i thotë Muharremi “por kemi t’afërm të tjerë këtu”. “Të vijnë edhe ato”, u thotë Ajeti. “Bëjmë si bëjmë”.

Ajeti tregon se u mblodhën krejt në shtatë zetora dhe mbërritën te shpija e vet. I strehoi ku të mundte. Edhe në ballkanin e madh të shpisë u sistemuan afër 20 vetë.

- Si e kaluat natën e parë? - e pyes Ajetin.

- Si ta kalonim? - foli dhe nisi me buzëqeshë. - Kishin marrë edhe bukë e ushqime me veti dhe e kapërcyem atë natë. Si me thënë, i përziem edhe ushqimet.

- Po e nesërmja si erdhi? - e pyes Ajetin.

- Si një mëngjes mbas një nate të gjatë, - ma ktheu. - U ngrita aty kah ora shtatë dhe shoh se gratë e familjeve, përnjimend si do pastërtore të zonja po e pastronin oborrin e madh tej-e-përtej.

Ai shton: “Tani ata po mësohen, por edhe familja ime po mësohet me ta. U familjarizuam. Kemi caktuar edhe Avdullain (Dulin), djalin e Muharremit si përgjegjës për mbarëvajtjen e punëve”.

Nuk mund të regjistrohen me saktësi (të paktën, tani për tani) se nga sa vetë janë strehuar nëpër familjet e banorëve të Kukësit, por tashmë dihet se të gjitha dyert janë të hapta. Qyteti me rrethinat e tij janë zhytë në të panjohurën që vazhdimisht sjell ankth: Ç’do të bëhet? Kaluan dy - tri ditë, po të tjerat që vijnë mbas?

Apartamentet janë të mbushura.

S’ka mbetë edhe magazinë e vjetër, e lënë pasdore, që të mos mbushet me njerëz. S’ka mbetë oborr shkolle pa u zënë me traktorë. Edhe natën, shkollat e qytetit mbushen, ndërsa ditën, zbrazen që të marrin ajër. Natën që vjen, shkollat mbushen përsëri. Mesa duket, të gjitha apartamentet janë mbushur, s’mund të marrin më, janë mbushë edhe ndërtesa të tjera të mbetura bosh, prandaj të ardhurit drejtohen për kah sheshi, për kah xhamia, ose drejtohen për kah oborret e shkollave, të çerdheve dhe kopshteve të fëmijëve, për me gjetë strehë për një natë, vetëm për të parën natë, sepse e nesërmja s’dihet se ç’mund të sjellë. Autobusët dhe automjetet ushtarake që vijnë për t’i marrë, janë pak, shumë pak dhe nëse mbushen dhjetë prej tyre dhe nisen për në rrethet e tjera të Shqipërisë, kjo gjë s’vihet re, pasi ka të ardhun të tjerë, që ia mësyjnë sheshit. Është njësoj sikur të mbushësh një kovë me ujë në një çisternë të madhe, shumë të madhe dhe të kërkosh që me këtë kovë të zbrazësh çisternën.

E vetmja ndërtesë e zbrazët që s’është mbushë me njerëz në këtë qytet, është një ndërtesë trekatëshe ngjitmas me Radio-Kukësin, e ndërtuar qyshprej dhjetë vjetësh a ma tepër vjetësh dhe e papërdorshme qysh asokohe. Kjo ndërtesë në këto ditë të ngjan si një monument i paprekshëm, si një monument që s’mund të përdoret prej askujt, as në ditët kur shiu mbulon qytetin dhe ç’bie jashta futet në trupat e të pastrehëve, që mund të jenë para ndërtesës së Radios, n’oborre të shkollave, në sheshin qendror të qytetit apo përpara ndërtesave të Telekomit, Drejtorisë Arsimore dhe asaj të Bankës.

Në qytet futen dhe futen njerëz. Pak lënë qytetin. Shumë pak.

Tashmë në këtë qytet është bërë e zakonshme pyetja që i bëjnë banorët e Kukësit njëri - tjetrit: Sa vetë keni? Njëjtë si të thuash: Sa kosovarë keni në shtëpi? Dikush mund të thotë se ka 6, një tjetër thotë se ka mbi 20 vetë, por një i tretë thotë se ka një familje të madhe me shumë anëtarë. Dikush thotë se kish kërkuar të merrte vetëm pak vetë se aq mundësi kishte, por familja kish qenë me 22 anëtarë, prandaj i është dashur t’i marrë të gjithë. Por, secili që tregon numrin e bujtësve, flet me një lloj krenarie të brendshme, por dhe me një lloj qortimi po të brendshëm se s’kanë mundësi të marrin më tepër.

Nëse nuk dihet me saktësi se sa vetë kanë marrë në shtëpitë e tyre banorët e qytetit dhe të rrethinave, tashmë një gjë është e saktë se, të pakta, shumë të pakta janë familjet që s’i janë nënshtruar rregullit të përgjithshëm dhe të pashkruar, që në shtëpitë e tyre të bëjnë strehë për të ardhurit. Ka raste kur, familje të këtushme, kanë lidhje farefisnie me familje të Prizrenit, Gjakovës dhe rrethinave të tyre, por rasti e ka sjellë të marrin familje të tjera. Tani, s’mund të kuptohet frymëmarrja e një familje, pa pasë dhe frymën e pjesëtarëve të një a dy familjeve të ardhura.

Qyteti sikur është veshë me pëlhurën e tejdukshme të dhimbjes. Nuk dihet se kur do të çahet kjo perde, por askush s’e mendon si do të çahet.

E premte, 2 prill 1999

Qyteti tani i ngjan një metropoli ku është llogaritë deri n’imtësi si të realizohet lëvizja e 200 mijë vetëve, pothuajse dhjetë herë më e madhe se e shtatë a tetë ditëve më parë; sikur administrohet përmes një dore magjike, se për kah duhet të shkojë kjo lumnajë njerëzish.

Në shtypin e ditës po përmendet shpesh në formë pyetje, por edhe në formë habie: Ç’do të pësonin, bie fjala, Franca dhe Gjermania, nëse popullsia e tyre do të dhjetëfishohej? Por, si çdo krahasim që mund të çalojë dhe është e natyrshme që çdo krahasim të çalojë do t’ish e udhës të shiheshin dy qytete me popullsi të përafërt. Atëherë, edhe krahasimi do t’ish më në shtratin e vet. Pra, ndërsa është gjallësuar dhe rigjallësuar fantazia e gazetarëve se çdo të ndodhte me X apo Y vend, nëse popullsia e tyre do të dhjetëfishohej, për qytetin e Kukësit, kjo lloj fantazie mbetet e paprovueshme, e bllokuar dhe si të thuash, e paralizuar. Kukësi tani shihet jo se ç’do të ndodhte në të po t’ish me popullsi të dhjetëfishuar, por si një qytet, që me rrethinat e tij e ka këtë popullsi, do me thënë, të dhjetëfishuar. Kukësi shihet këto ditë jo si ç’mund t’ishte, por siç është: Merr frymë jo si më parë, por dhjetë herë më tepër dhe çdokush e di se në këtë qytet me shumë vështirësi mund të gjesh shokun, mikun, apo të afërmin, por në anën tjetër, me shumë lehtësi mund të venerosh se s’ka gjë më t’epërme për të ardhurit që u dëbuan me forcë, sesa dëshira e ngutshme për t’u rikthye prapë atje, në katundet apo qytetet e tyre.

Aty nga ora dy mbas mesit të natës, nga Londra më merr në telefon piktori dhe studiuesi Agim Morina dhe më thotë se u kish dhënë numrin tim të telefonit të shtëpisë disa të njohurve të tij, që ndodheshin kryesisht në Londër dhe me t’u futë në lidhje me ta, të interesohesha sadopak për familjet e tyre që kishin mbërritë ose mund të vinin së shpejti në Kukës.

Ndërkohë, ai shtoi:

- Përsa po i përcjell lajmet, nuk mund ta marr me mend se ku po qendrojnë dhe ku mund të qëndrojnë gjithato njerëz.

I them: - Njerëzit janë kudo. Qyteti është i mbushur me njerëz. Vetëm n’eprina të ndërtesave nuk ka njerëz.

Ç’do të ndodhë me këtë qytet?

Është një nga pyetjet që shtrohet në faqet e shtypit të përditshëm.

Një pyetje e tillë përmban shumë gjëra njëherësh: Frikë, ankth, habi dhe kuriozitet. Në disa raste qyteti po krahasohet me Titanikun, që prej orës n’orë pret me u fundosë.

Por qyteti është shumë më ndryshe. Krejt më ndryshe. Ai sikur rri krejt dehshëm dhe të ngjan me një anije të dehun (Po shënoj këtu titullin e një proze të shkurtë t’Anton Pashkut). Kjo anije po mbushet e mbushet, lëkundet si e dehun, dhe, megjithëse është mbushur kulmas me njerëz anija nuk e humbet drejtpeshimin dhe njerëzit vazhdojnë të qendrojnë jo më si mbi një anije gjigande, por si mbi krahët e njëri - tjetrit.

Kupa e qiellit sikur po shembej dhe po zinte ndër të çdo gjë që ndodhej mbi tokë. Njerëzit qenë futë ndër strehë të ndërtesave, nëpër shkallët e tyre, ndër pemët përbri rrugëve, ndërsa ndërtesa e Pallatit të Kulturës “H.  Prishtina”, mbante me qindra njerëz brenda, që rrinin në këmbë dhe shumë ngjitmas njëri me tjetrin.

Edhe lulishtet para ndërtesës së Telekomit, Drejtorisë Arsimore dhe të Bankës, qenë të mbushura me njerëz. Shiu binte por ata nuk lëviznin. Ata nuk lëviznin se nuk kishin ku të shkonin: Të gjitha strehët e ndërtesave qenë të zëna. Tek - tuk mund të dalloje ndonjë çadër, ndërsa në disa vende njerëzit kishin hapë batanijet dhe i kishin vënë përmbi krye.

Shiu binte, por kambistët, me çadra në duar vazhdonin të përditshmen.

Sot m’u duk se qenë shtuar më tepër dhe qe e vështirë të prishje rreshtin e tyre e të kaloje nëpër rruginën pranë ndërtesës së Telekomit. Kambistët kërkonin vetëm marka gjermane dhe dollarë amerikanë (Në mbrëmje, dikush më tha se kambistët e ndryshonin kursin e këmbimit dy - tri herë brenda ditës).

Gazetarët më thonë se edhe lajmi më i ri vjetërohet menjëherë, diçka të cilën e përjetoja vetë çdo ditë.

E diel, 4 prill 1999

Mali i Gjallicës në tri stinë të vitit, përveç dimrit, në mëngjes zakonisht merr ngjyrë të përhimtë, aty kah dreka kthehet në ngjyrë të jeshiltë, ndërsa në prag të mbrëmjes futet në t’ullijtë. Por natën mali duket si një ajsberg gjigand, si një ajsberg i vendosur jo në mes t’ujanës së pafund, por në mes të një terri veshë me të bardha. Natën, sidomos natën e terrtë largësia pesë kilometërshe ndërmjet malit dhe qytetit sikur ngrin. Dritat llamburitin si yjet dhe këto drita, sikur të mos vareshin në trup të qytetit, por në trupin e malit i japin atij një pamje të shkëlqimtë dhe ndriçojnë çdo skutë të tij.

Askush s’e vë re këtë metamorfozë të malit.

Askush s’e vë re as zgjimin e liqenit prej ikjes prej të ftohtit të dimrit, i ftohti si në Kukës. Qyteti është zhytë në hallet e veta, aty ku halli hallit nuk i ngjan. Gjatë ditës njerëzit sikur nuk kanë kohë të ngrejnë kryet as kah qielli si për t’u shlodhë me pamjen e tij. Vetëm mbasi fillon mbrëmja dhe ndihet zhurma e avionëve të NATO-s, që kalojnë në pjesën e qiellit përmbi, banorët  e këtij qyteti, të përhershëm dhe mbërritur rishtas, kudo qofshin, nëse janë n’udhë e ngrejnë kryet kah qielli, në qofshin në shtëpitë e tyre dalin ngutshëm nëpër ballkone dhe vështrojnë kah qielli. Mbas kësaj, ata sikur lehtohen, janë më të qetë dhe bëhen më indiferentë për çka ndodh përreth.

Mbrëmë vonë hodha në letër skicën për një roman.

Një kufi trazues që ndan luftën me një paqe trazuese. Dy studentë të dashuruar nuk kanë mundësi të komunikojnë. Djali (Shkrepi) mbeti në Prishtinë, në qytetin fantazmë, ndërsa vajza (Puhiza), mbas një odiseje të gjatë vjen në Kukës, në qytetin ku s’dihet kur çel dita e soset nata. Një qytet që ngrohet vetëm me frymë njerëzore. Mesnatë. As dritat s’e shuajnë terrimin. Ku të shkojë? Ku do e kalojë natën? Po të nesërmen?

Sot, aty kah mesdita shkova te një pallat dhe tek ngjitesha prej katit të parë në të pestin njeha 168 palë këpucë para dyerve të apartamenteve.

Në çast, thashë vetmeveti se s’mund ta shkruaja atë roman. Thënia e Dostojevskit se nganjiherë realiteti është më i fuqishëm se fantastikja, zu vend ngultas në mendjen time. Kështu, nisa një roman që s’do shkruhet kurrë.

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen