Viti që po mbyllet nuk duhet harruar. Është një vit që solli shumë humbje dhe dështime. Është pësimi që duhet bërë mësim. Për të nisur një vit tjetër, ku në fund të 2013-tës, të mos themi: “Iku edhe një vit”. 2012 vërtet nuk ishte fundi i botës, për fat të mirë, por për shumë shqiptarë, ishte një fund i dhimbshëm.

Funde të tilla patëm shumë. Lirak Bejko, prej dy muajsh nuk është më. U vetëdogj në grevën e urisë, kur pa talljen e madhe me kërkesat elementare për pak mbijetesë të vetën dhe të shtresës së të përndjekurve. Tushe Osmani nuk është më: U vetëhelmua, pas të shoqit, duke mbyllur një kalvar të gjatë dhimbjesh shpirtërore pas humbjes së të bijës në masakrën qeveritare të Gërdecit dhe faktit se vrasësit janë ministra, apo biznesmenë sërish, të lirë dhe sfidues, më shumë se në 2008.

Nuk është as Arsela Vladi, apo Denis Alimadhi, fëmijët e pafajshëm që u vranë në spitalet shtetërore, “për mjekim të gabuar”. Nuk janë 23 gra, vajza të reja dhe nëna fëmijësh, që u vranë ose nga krimi i rrugës, ose nga dhuna e burrave të tyre që nuk kanë frikë nga ligji. Patëm humbje të mëdha shpirtërore. 100 vjetori i Pavarësisë ishte një shfaqje e shëmtuar, antishqiptare, arkaike dhe hajdute.

U ndamë mes Tiranës dhe Vlorës, socialistë dhe demokratë, në përfitues tenderash abuzivë për monumente qesharakë dhe viktima të abuzimeve që shkojnë deri te plaku i urtë që ngriti flamurin 100 vite më parë. Nuk kemi më shtëpinë e Flamurit në Korçë, nuk kemi monumente që kanë rënë pre e mosekzistencës së shtetit. Ishte viti i presidentit, e zgjodhëm atë, por deri më sot nuk kemi parë presidentin. Ai u ul në poltronën e kreut të shtetit, por me kostumin e PD-së.

Ishte një viti tjetër i krizës ekonomike, më i rëndë, që zhyti edhe më thellë shqiptarët në varfëri dhe një grusht njerëzish në pasuri të shtuara. Shtuam borxhet, privatizuam çfarë deshëm, por jemi edhe më të varfër, përpara një stine elektorale që do na zhveshë nga pasuritë e mbetura, në emër të fitores në zgjedhje, për një mandat tjetër.

Për ta mbyllur me “sportivitet”, kemi dështimin flagrant të ekipit shqiptar në Olimpiadën e Londrës, një turp që është harruar nga qeveria, edhe pse sportdashësit nuk e heqin nga mendja. Dhe aty arritëm atë që s’e kishim më parë: ishim të parët në trukimin e ndeshjeve të futbollit, i cili s’mund të shpëtojë nga plaga e thellë që po e mban Shqipërinë larg BE-së, që s’na dha statusin dhe s’do na e japë sërish nëse sillemi si në 2012. Ndaj nuk duhet harruar, asgjë. Për t’u ringritur.

Shkrimi u botua sot në gazetën SHQIPTARJA.com (print) 30 dhjetor, 2012
(eç/shqiptarja.com)