Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare e shpallur nga UNESCO dhe festohet më 21 shkurt të çdo viti. Qëllimi i kësaj dite është promovimi dhe ndërgjegjësimi për diversitetin gjuhësor dhe kulturor si dhe promovimin e shumëgjuhësisë.

Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale, shprehet gjithashtu se ka nisur edhe faza gjysmëfinale në shkolla të "Konkursit të Gjuhës Shqipe".

“Mirëmëngjes dhe në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, me nisjen e fazës gjysmëfinale në shkolla të "Konkursit të Gjuhës Shqipe", një fije e artë që lidh fillesat e kombit tonë me të ardhmen e tij, ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkruan Rama.

Sot njihen rreth 8324 gjuhë, shumë prej të cilave janë në rrezik të zhdukjes për shkak të globalizimit dhe ndryshimeve shoqërore. Sigurimi që sistemet arsimore mbështesin të drejtën për të mësuar në gjuhën amtare është thelbësore për përmirësimin e rezultateve të të nxënit, pasi studentët që mësohen në një gjuhë që ata e kuptojnë plotësisht tregojnë aftësi më të mira të të kuptuarit, angazhimit dhe të menduarit kritik.

UNESCO vlerëson se vetëm disa qindra gjuhëve u është dhënë vërtet një vend në sistemet arsimore dhe në domenin publik, dhe më pak se njëqind përdoren në botën digjitale.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:33
Begaj: Krenar për gjuhën tonë amtare, ta ruajmë e ta përcjellim brez pas brezi

1771663092_ditanderkombetareegjuhesamtare.jpg

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i përcolli shqiptarëve mesazhin për rëndësinë e ruajtjes, përcjelljes së gjuhës shqipe.

Në profilin zyrtar në facebook, Presidenti Begaj publikoi video-mesazhin me poezinë “Gjuha shqype”, të interpretuar nga nxënës të shkollës 9-vjeçare “Selim Alliu” në Peshkopi, shkollë e cila është fituesja aktuale e konkursit kombëtar të gjuhës shqipe.

“Krenar për gjuhën tonë amtare shqipe. Ta duam, ta ruajmë, ta përcjellim brez pas brezi dhe ta flasim bukur gjuhën tonë amtare,” shprehet Presidenti.

Këto vargje të Fishtës, si në kohën kur u shkruan, edhe sot, kanë të njëjtin kumbim për bukurinë e gjuhës shqipe, përcjelljen e saj nga brezi në brez, ruajtjen e gjuhës në vise e fe të ndryshme, si edhe fuqinë e saj si elementi identitar i kombit tonë.  

Pikërisht këtë mesazh ka ndarë sot Presidenti i Republikës, me synim ndërgjegjësimin e çdo shqiptari për ruajtjen, përcjelljen dhe pasurimin e gjuhës shqipe.