Dita e parë e shkollës/ Uron politika, Rama: Rindërtuam 200 shkolla, së shpejti libra falas për të gjithë! Meta: Dija e domosdoshme për dallgët e jetës

Ditën e sotme  do të nisë viti i ri shkollor 2019-2020. Ministria e Arsimit konfirmoi për Shqiptarja.com se në bankat e shkollës këtë të hënë do të ulen për herë të parë 24 mijë në klasën e parë. Ndërkohë që 272 mijë janë në sistemin 9-vjeçar dhe 90 mijë nxënës në gjimnaz. Në total ditën e sotme  do u drejtohen shkollave 386 mijë nxënës. Nga klasa e parë deri në të pestën librat u shpërndanë falas këtë vit shkollor.

Një urim për të gjithë nxënësit që fillojnë sot mësimin, ka ardhur një urim nga Presidenti Meta i cili thotë që investimi në dijë është një investim i sigurt për të gjithë jetën. Sipas Metës, dija është e domosdoshme për të përballuar dallgët e jetës. Po ashtu një vit të mbarë Shkollor për nxënësit ka uruar edhe kryeministri Rama i cili ka shpërndarë disa foto të fëmijëve me libra në duar. Më pas Rama ka thënë se deri më tani janë rindërtuar 200 shkolla ndërsa shumë të jera pritet të bëhen në vitet e ardhshme. Po kështu Rama ka deklaruar se në vitet në vijim do të punohet që të mundësohen libra falas nga klasa e parë në klasën e nëntë. Edhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka uruar nxënësit nga Fieri duke thënë se nxënësit dhe arsimi duhet të jetë prioritet.

Nisja e vitit të ri shkollor është edhe ndër periudhat më të vështira për shumë familje, pasi shpenzimet për të kompletuar fëmijën me libra dhe rroba janë relativisht të larta. Nga një përllogaritje e thjeshtë kostoja finale që duhet të shpenzojnë prindërit arrin në rreth 20 mijë lekë të reja. Ndërkohë vetë prindërit u shprehën për Report Tv se kërkesat e fëmijëve janë të papërballueshme.

Ndërkohë që edhe policia ka marrë masat në nisje të vitit të ri shkollor. Përpos regjimit të ri që nis nesër në Tiranë, sipas policisë furgonët të cilët transportojë fëmijë dhe nxënës shkolle do t'i nënshtrohen një kontrolli të rreptë për përdorimin e rripave të sigurimit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:39
Ministrja e Arsimit: Reduktuam 300 klasa kolektive, 220 mijë nxënës përfituan libra falas (VIDEO)

Në kuadër të ditës së parë të shkollës, për vitin e ri mësimor, ministrja e Arsimit ka vizituar shkollën 'Qemal Stafa' në kryeqytet.

Ministrja Shahini ka deklaruar se po bëhen përpjekje për të përgatitur sa më mirë një brez studentësh të denjë për të konkurruar me ata europianë. Për sa i përket mësimit me dy turne Shahini ka thënë se shumë shpejt do të marrë fund pasi po punohet për ndërtimin e 17 shkollave të reja në kryeqytet. Ndërsa për klasat kolektive ministrja ka deklaruar se janë reduktuar rreth 300 klasa të tilla dhe po punohet për të reduktur akoma më shumë.

Sipas ministres për kategorinë që përfitojnë libra falas është bërë e gjtihë shpërndarja e librave. Kanë qenë plotë 220 mijë nxënës që kanë përfituar libra falas.

"Duhet të jemi sa më të përgatitur. Do të bëjmë një libër që të përgatiten nxënësit për maturën. Shqipëria po del më mirë në testet ndërkombëtare. Jemi në rrugën e  duhur. Në vendet si Tirana e Durrësi kemi dy turne për shkak të lëvizjeve të mëdha të popullsisë. Kemi një program për 17 shkolla dhe do të realizohen. Nxënës më pak. Nuk kemi një numër të saktë. Ka ulje të numrit të nxënësve, por ne nuk kemi nxjërr ende shifra. Shkolla të mbyllura nuk ka dhe nuk ka patur as vjet. Kemi bërë reduktimin e klasave 300 klasa me mësim kolektiv. Ata janë transferuar në shkollat më të afërta. Reduktimin e kemi bërë që vjet. Tani në zonat e thella malore, dhe mësuesit që punojnë në klasat kolektive do të mbështeten më shumë nga ministria. Procesi i shpërndarjes së librave nuk është përfunduar. Por ata që marrin libra falas 220 mijë janë shpërndarë dhe janë të gjithë me libra." ka thënë Besa Shahini.

Ora 11:12
Kryemadhi uron nxënësit edhe si politikane: Më duhet të reflektoj për arsimin në Shqipëri

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka bërë një urim për të gjithë nxënësit që ditën e sotme nisin vitin e ri mësimor. Kryemadhi ka zgjedhur që të urojë nxënësit sipas saj, si nënë por edhe si politikane.

Sipas Kryemadhit duhet të reflektojë dhe të punojë për arsim cilësor në vendin tonë. Ndër të tjera Kryemadhi shkruan se askush nga politika nuk duhet të tallet me arsimi falas si mjet propagande.

Në fund Kryemadhi ka thënë se premtimi i LSI është që të bëjë të paprekshëm arsimin dhe të ndërtojë një Shqipëri më të mirë.

Urimi i Kryemadhit:

"Një urim të veçantë për të gjithë nxënësit, që ulen sot në bankat e shkollës. Për ata të shkëlqyerit, që na kanë nderuar me rezultatet e tyre anembanë botës. Për ata, që me sakrificat e mëdha të prindërve të tyre përpiqen çdo ditë të jenë më të mirët. Për ata nxënës, që sfidojnë varfërinë, mjerimin dhe ndjekin shkollën në kushte të vështira. Për të gjithë ata fëmijë që, çdo mëngjes marrin bekimin dhe urimin e prindërve për të ecur në rrugën e dijes. Qoftë një vit i mbarë për të gjithë nxënësit në mbarë Shqipërinë!

Ky urim është bekimi im si nënë për ju. Ndërsa si politikane më duhet të reflektoj dhe punoj më shumë, që arsimi në Shqipëri të jetë më cilësor, që shkollat, klasat dhe mësuesit të jenë në nivelet që fëmijët meritojnë. Që askush nga politika të mos tallet dhe ta përdorë arsimin falas si mjet të propagandës, por ta bëjë atë të prekshëm për të gjithë familjet shqiptare nga Vermoshi në Konispol.

Ky është dhe do të mbetet misioni im dhe i LSI. Ndaj në këtë ditë, uroj që dhe premtimet tona ndaj jush të dashur nxënës të jenë të qarta dhe të sinqerta, të thjeshta dhe plot me energji. Siç jeni dhe ju, brezi që padyshim do ndërtoni një Shqipëri më të mirë!" ka shkruar kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi.

Ora 10:42
Batuta e Ramës: Po ju mori malli...më keni në frigorifer (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama i pranishëm në inagurimin e shkollës “Servete Maçi” në Tiranë e ka
mbyllur fjalimin e tij me një batutë, që ka shkaktuar të qeshura tek të pranishmit.

Rama duke dashur të mos zgjatej më në fjalimin e tij ka thënë se këdo që ta marri malli për të do ta gjejë edhe në 'frigorifer', pasi sipas tij në televizion është që është.

“Unë s’po flas më shumë më, ndërkohë që po ju mori malli do me keni në frigorifer në vijim, se ne televizor po e po, nuk diskutohet”, tha Rama duke qeshur.

Ora 09:52
Edhe Basha optimist me fëmijët: Një e ardhme më e mirë do vijë për Shqipërinë... që nuk do të vonojë!

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha uroi nxënësit në vitin e ri shkollor. Ndër rreshta nuk ka lënë pas edhe politikën, kur thotë se një e ardhme më e mirë do të vijë për Shqipërinë, dhe do të jetë e afërt.

"Të dashur nxënës, prindër dhe mësues,  ju uroj nga zemra vit shkollor të mbarë dhe të ndriçuar nga drita e dijes! Lulet që mbajnë sot vogëlushët në duar janë simboli i shpresës dhe besimit tek një e ardhme më e mirë për të gjithë fëmijët e Shqipërisë, që nuk do të vonojë!", shkruan Basha në rrjetet sociale.

Ora 09:27
Rama nga shkolla e re 'Servete Maçi': Rindërtuam 200 shkolla, vitin e ardhshëm libra falas për klasën e 6-7-të (VIDEO)

Kryeministri i vendit Edi Rama, në këtë ditë të parë të shkollës për sezonin 2019-2020 ka qenë i pranishëm në shkollën e ndërtuar ' Servete Maçi' ku ka thënë se shkolla të tjera do të rindërtohen në vitet e ardhshme. Rama ka deklaruar se deri më tani së paku 200 shkolla janë rikonstruktuar dhe të tjera do të rindërtohen.



Kryeministri Rama është ndalur tek librat falas për fëmijët nga klasa e parë në të pestën. Ai ka thënë se vitin tjetër do të punohet që të ofrohen libra falas edhe për klasën e 6 dhe të 7.

"Ndërsa për vitet e ardhshme do të punohet që librat falas të ofrohen nga klasa e parë në të nëntën " ka deklaruar Rama.

Në fund Rama është ndalur në një histori suksesi të një studenteje shqiptare e cila ishte përzgjedhur si e para ekselente në një Universitet të njohur në Stamboll. Më pas ai ka thënë se shumë fëmijë edhe pse jetojnë në kushte ekstreme, janë më të mirët e shkollave dhe për ta duhet të punohet që tu ofrohen shërbime sa më të mira.

"Kjo është jo vetëm një qendër për nxënësit por edhe për të rinjtë e komunitetit. E rëndësishme të thuhet se përtej infrastrukturës që po transformohet numërojmë afro 200 shkolla të rindërtuara. Do tu shtohen të tjera në vijim. Do ti çojmë përpara me një ambicje te re të rindërtimit dhe ndërtimit të shkollave. Të jenë një model i ri të shkollës të kësaj kohe që jetojmë. Kur infrastruktura është aty dhe logjistika është aty ajo që ka rëndësi është përmbajta e procesit. Kemi një sistem jashtë kthetrave të politikes, apo imponimeve të rryshfetit. Jo gjithçka është 'flori' kemi probleme. E gjitha shëmtohet nga shkelja e rregullave, funksionimi administrativ, marr%dhëniet e paligjshme. Por... nëse shohim sistemin e sotëm dhe statusin e sotëm të mësuesit as që mund të bëjmë krahasim me atë të disa viteve më parë. Së bashku falë angazhimit dhe eksperiencës do ja dalim me sukses. 455 mijë nxënë të regjistruar që kanë filluar shkollën 221 mijë i kanë marrë librat falas nga e para te e pesta. Si dhe ata që vijën me ndihmë ekonomike apo nevoja të veçanta. Vitin e  ardhshëm do përfshijmë klasën 6-7. Më pas nga klasa e parë në të 9 libra falas për të gjithë. Ankesa e këtyre proceseve për të ruajtur librat... nuk është vetëm materiale, por mbi të gjitha është edukimi me një respekt të veçantë për librin. Si miku më i mirë duhet respektuar dhe kujdes maksimal. Edhe Kanadaja, Suedia e vende e zhvilluara kanë këtë praktikë. Rezultati ka qenë pozitiv. Për ata që mbarojnë gjimnazin. Ne kemi një program për në Stamboll. atje zgjedhin 10 deri 15 nxënës duke u bazuar tek rezultate. Atje studentja më e mirë ishte një vajzë shqiptare nga grupi që u dërgua. shumica e atyre që ne zgjedhim nga rezultatet, vijnë nga familje të varfëra, disa prej tyre me ndihmë ekonomike. Ka pas raste ku mungonte çatia dhe ujë futej brenda, por fëmijët që mëson me çadër ishin me të gjitha 10. Nga këta fëmijë janë më të mirët e shkollës." ka përfunduar fjalën e tij kryeministri Rama.

Ora 09:15
Viti i Ri Shkollor/ Hap dyert shkolla e re 'Servete Maçi', Veliaj: Vitin tjetër hapim 17 shkolla të reja, i japim fund mësimit me dy turne

Tiranës i shtohet një tjetër xhevahir i dijes. Pas shkollës “Kosova”vitin e shkuar, sot ka hapur dyer për nxënësit shkolla “Servete Maçi”, e cila vjen krejtësisht të re, me kushte shumë të mira, por edhe me arkitekturën më të veçantë, çka e bën atë një nga shkollat më të mira në gjithë vendin. Në hapjen e kësaj shkolle mori pjesë kryeministri Edi Rama si dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, të cilët i uruan nxënësve një vit të mbarë dhe plotë suksese, ndërsa panë nga afër edhe kushtet që ofron institucioni më i ri arsimor në Tiranë. 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shprehu urimet e tija për nxënësit që ulen sot në bankat e shkollës, ndërsa falenderoi prindërit që këmbëngulën dhe fituan betejën që në rrënojat e shkollës së vjetër të mos ngriheshin pallate dhe të bënin të mundur ngritjen e shkollës më të bukur në vend.

“Mund të themi me plot gojën që ta gëzojmë shkollën e re “Servete Maçi” dhe një bravo, ju lumtë të gjithëve. Meritën më të madhe e kanë prindërit, ata që një mandat përpara skuadrës time, midis skuadrës time dhe skuadrës së Edit në fakt, luftuan që kjo dhe shkolla Kosova të mos ktheheshin në terrene pallatesh. Është shumë kollaj të ngresh duart lart dhe të thuash kjo është e rrënuar, çfarë na duhet. Por do shumë më shumë guxim të thuash se nga rrënojat mund të lindë diçka e re dhe e bukur”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Veliaj theksoi se Bashkia e Tiranës ka bërë të mundur që çdo fillim të vitit të ri arsimor të hap një shkollë të re, ndërsa tha se viti i ardhshëm do jetë akoma më i veçantë pasi do të hapin dyer për nxënësit 17 shkollat e reja.

“Ky është shtatori im i pestë si kryetar Bashkie, më kujtohet që në, çdo shtator kemi hapur nga një shkollë të re, shkollën “Betim Muço”, shkollën “Ardian Klosi”, shkollën Kosova, “Hoxha Tahsim” dhe shkolla “Servete Maçi”. Për të pasuar me shtatorin e ri, për të hapur 17 shkolla të reja, për ti dhënë fund mësimit me turne. Jo për t’i dhënë fund sistemimit në disa kuti shkrepëse, që s’të japin pikë emocioni, por në një hapësirë kreative si kjo që në fakt për herë të parë bëmë një eksperiment në Bashkinë e Tiranës, që më thoshte dil nga korniza. Nuk ka nevojë të kemi të njëjtët arkitektë që bëjnë të njëjtat shkolla, që duken si burgje, si spitale. Dhe ne bëmë një eksperiment, kjo shkollë është dizenjuar nga studentë të sapodiplomuar të arkitekturës”, tha Veliaj.

Ai shprehu mirënjohje të veçantë Policisë Bashkiake dhe Policisë së Shtetit që mundësuan që nisja e procesit mësimor të mos shoqërohej me problem apo vonesa në trafik. “”, tha kryetari I Bashkisë së Tiranës.

“Sot kemi pasur një ndihmë të jashtëzakonshme dhe dua të falenderoj të gjithë çunat e gocat e Policisë së Shtetit,Policisë Rrugore, Policisë Bashkiake. Ka qenë shtatori I parë në memorien time që s’kemi pasur, jo vetëm një vonesë në trafik por asnjë incident për të kapur orën 08:00, është respektuar orari për ata që bëjnë transportimet me furgona, I kemi thënë gjithmonë: Në një qytet si Tirana fëmijët janë më të rëndësishëm se patatinat e çumçakizat, ndaj në orën 07: 00-9: 00 e kemi ekskluzivisht territorin e Tiranës, gjithë mobilitetin e rrugët e saj kryesisht në funksion të fëmijëve. Falenderoj të gjithë ata prindër që në vend të zgjidhnin të ishin përtacë, t’i hipnin fëmijët në makinë e të rrinin dy minuta me fëmijët, morën 30 minuta t’i merrnin për dore, të flisnin gjatë kohës, duke na lehtësuar pak trafikun, por edhe duke respektuar këshillën e Bashkisë për të bërë sa më shumë lëvizje në këmbë,me biçikleta sidomos në këto orare kur ne duam të çojmë fimijët në shkollë, por edhe për t’i mbajtur ata të shëndetshëm”, nënvizoi Veliaj.

Mësimi ka nisur rregullisht në të gjitha shkollat e Tiranës ku më shumë se 66 mijë nxënës janë ulur në bankat e shkollës. Falë edhe masave të marra nga Bashkia e Tiranës nisja e procesit mësimor ka qenë perfekte dhe shumica e prindërve ju përgjigj thirrjes për të përdorur sa më pak makinat dhe për të ecur në këmbë ose me biçikleta. Për fillimin e vitit të ri shkollor, Bashkia e Tiranës ka marrë të gjithë masat për të rritur sigurinë e nxënësve. Punonjës të Policisë Bashkiake, si dhe grupe vullnetarësh ishin sot përpara çdo shkolle, në të gjitha njësitë administrative për të ndihmuar të vegjlit dhe qytetarët që të kalojnë të sigurtë në vijat e bardha në rrugë dhe pranë kryqëzimeve. Gjithashtu, me nisjen e vitit të ri shkollor, është rikthyer edhe rregulli i qarkullimit për automjetet që bëjnë furnizimin e njësive tregtare në kryeqytet, duke i dhënë përparësi lëvizshmërisë së nxënësve.

Ora 09:03
Nisja e shkollës/ Veliaj mbërrin me biçikletë në shkollën e re 'Servete Maçi', i bashkohen Rama e Manastirliu



Për nisjen e vitit të ri shkollor, kryeministri Rama, kryebashkiaku i Tiranës Erjon Veliaj dhe ministrja e Shëndetësisë, kanë zgjedhur që të vizitojnë shkollën e re të 'Servete Maçit' në Kryeqytet. Takimi ka nisur me mësuesit dhe nxënësit. Vetë kryebashkiaku Veliaj ka shkuar në ambientet e kësaj shkolle me biçikletë duke iu përgjigjur edhe thirrjes për sa më pak makina në këtë ditë të parë të shkollës për këtë vit.

Ora 09:00
Nis viti i ri shkollor, ulen sot për herë të parë në banka 24 mijë fëmijë (FOTO+VIDEO)

Ditën e sotme ka nisur viti i ri shkollor 2019-2020. Ministria e Arsimit konfirmoi për  se në bankat e shkollës këtë të hënë do të ulen për herë të parë 24 mijë në klasën e parë. Ndërkohë që 272 mijë janë në sistemin 9-vjeçar dhe 90 mijë nxënës në gjimnaz.

Në total ditën e sotme do u drejtohen shkollave 386 mijë nxënës. Nga klasa e parë deri në të pestën librat u shpërndanë falas këtë vit shkollor.

Nisja e vitit të ri shkollor është edhe ndër periudhat më të vështira për shumë familje, pasi shpenzimet për të kompletuar fëmijën me libra dhe rroba janë relativisht të larta.

Ora 08:30
'Uroj një vit shkollor sa më të mbarë...', Rama uron me 10 nxënësit ekselentë (FOTO)

Kryeministri Rama me anë të një reagimi në rrjetet sociale u ka uruar të gjithë nxënësve një vit sa më të mbar shkollor. Rama ka shpërndarë edhe disa foto të fëmijëve që nisin vitin e ri shkollor dhe që shkëlqejnë në çdo lëndë mësimore.

"MIRËMËNGJES  dhe me këta 10 yje që shkëlqejnë me shembullin e tyre në çdo lëndë mësimi, ju uroj të 455 mijë nxënësve nga klasa e parë në të dymbëdhjetën, mësuesve e prindërve të tyre në të gjithë Shqipërinë, një Vit të Ri Shkollor sa më të mbarë" shkruan Rama.

Ora 08:29
Viti i ri shkollor/ Kryetari i Kuvendit Ruçi, në shkollën 'Petro Sota' në Fier: Nderime mësuesve

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ditën e sotme që përkon me nisjen e vitit të ri shkollor, ka zgjedhur të vizitojë shkollën e mesme Profesionale 'Petro Sota' në Fier. Më anë të një mesazhi dhënë nga kjo shkollë, Ruçi u ka uruar nxënësve një vit të mbar si dhe ka bërë nderime për mësuesit.
 

“Jam këtu si deputeti juaj, si Kryetar i Kuvendit, si mik, prind, por edhe si mësues. Ju uroj 762 nxënësve dhe 49 mësuesve tëshkollës suaj, e cila përgatit specialistë në  numrin më të madh të profesioneve në Shqipëri,  një vit të mbarë dhe me rezultate të larta e të merituara! 

Një përshëndetje të veçantë kam për 200 nxënësit që fillojnë vitin e parë në këtë shkollë dhe që kanëzgjedhur me dëshirë të bëhen teknologë informacioni, teknologëkimikë e të naftës, elektroteknikë, mekanikë, konstruktorë, elektroauto dhe hidraulikë.

Sot rreth 42 mijë nxënës, të ushqyer nga dituria, pasioni dhe talenti i rreth 3.400 mësuesve, në 168 shkollat e qarkut të Fierit nisin takohen e ritakohen në vendin më të bukur në botë. Nëshkollë, që merr jetë nga zërat e nxënësve, që zbukurohet nga bukuria juaj, që ndriçohet nga drita juaj, që fisnikërohet nga çiltërsia juaj.

Ju drejtohem posaçërisht 3 mijë nxënësve të qarkut Fier që sot nisin klasën e parë. Ju uroj ta filloni sa më mbarë dhe të vazhdoni me sa më shumë sukses udhën e bukur të dijes! 

Kam pasur dhe do të kem një nderim të madh për ju, mësueset dhe mësuesit e Shqipërisë, këto gra e burra, që në kohëra të vështira i qëndruan dhe i qëndrojnë besnik profesionit më fisnik në botë. 

Arsimi dhe kërkimi shkencor janë themelet e ndërtimit të së ardhmes, rruga kryesore e progresit dhe e përballimit të sfidave të integrimit euroatlantik, janë një e mirë publike,  e cila realizohet nga arsimi publik, por edhe ai privat. 

Nuk ka një sektor tjetër ku publikja dhe privatja të jenë thirrur në një mision tërësisht e thellësisht publik: përgatitjen profesionale të gjeneratave të reja.

Ne po ndërtojmë një sistem arsimor, i cili nuk jep vetëm dije e nuk krijon vetëm shprehi, por kultivon e konsolidon identitetin kombëtar, zhvillimin e intelektit, formimin kulturor dhe të vlerave qytetëruese e morale, edukondhe krijon të bukurën, forcon vetëdijen e përgjegjësinëindividuale, komunitare e shoqërore, shpirtin e sipërmarrjes dhe aksesin në teknologjitë e reja dhe inovacionin.  

Vitet e fundit janë realizuar disa programe të rëndësishme në kuadrin e reformimit  të sistemit arsimor. Njëri prej tyre është rindërtimi i vizionit dhe shtimi i burimeve financiare, materiale  e njerëzore për sistemin e arsimit dhe formimit profesional. Arsimi nuk është një qëllim në vetvete, por një investim për t’i bërë njerëzit më konkurrues e produktiv si edhe jetën e tyre më cilësore dhe dinjitoze.

Numri i nvënësve që ndjekin arsimin profesional është disafishuar gjatë viteve të fundit. Gjithashtu, të diplomuarit e arsimit profesional janë gati dyfishuar krahasuar me  vitin 2013. 

Arritjet në sistemin arsimor duhet t’i krahasojmë me ndikimin në shoqëri, në tregun e punës, në të ardhurat dhe në nivelin e jetesës së qytetarëve. Në këtë kontekst, duhet të reflektojmë, të nxjerim  përfundime, të gjejmë rrugëzgjidhje për dy çështje themelore tëtregut të punës dhe sistemit të mirëqenies: Nivelin e papunësisërinore dhe hendekun gjinor në paga, pra pagat më të ulta tëgrave e vajzave.

Megjithë përmirësimet në shkollimin profesional dhe arritjet nëtregun e  punës, papunësia rinore është ende rreth dy herë më e lartë se papunësia e popullsisë së rritur. Kjo ndodh për shumëarsye. Por unë shfrytëzoj këtë ditë për të bërë apel për më shumëburime dhe investime për formimin dhe arsimin profesional, tëcilin duhet ta shndërrojmë në një destinacion të pëlqyeshëm dhe të preferuar të rinisë. U bëj gjithashtu thirrje sipërmarrësve shqiptarë të tregohen më pak refraktarë në pranimin në punë tëvajzave e djemve të rinj.

U bëj thirrje prindërve të bëhen më praktikë dhe të kuptojnë se jeta e fëmijëve tanë, të cilët i kemi të gjithë të shtrenjtë, mund tëbëhet e bukur dhe dinjitoze edhe duke u shkolluar e punuar nëprofesione e mjeshtëri që të nxjerrin të treg dhe të garantojnë një punë të denjë e të mirëpaguar.

Këtë vit shkolla  juaj u pajis me një bazë të re laboratorike dhe buxheti i saj u rrit 20 përqind. Kjo dëshmon vëmendje e kujdes, por megjithatë këto nuk mjaftojnë.  Unë jam këtu tju tregoj se arsimi, veçanërisht ai profesional, përbën dhe do të përbëjë më shumë një prioritet të Qeverisë. Prandaj bëj thirrje për më shumë burime financiare për arsimin dhe shkollat publike. Institucioneve u bëj thirrje për më shumë incentiva e mbështetje për të tërhequr vajzat dhe djemtë e Shqipërisë nëdegët e shkencës e të teknikës. 

Investimet më të mëdha në arsimin publik do tëmundësojnë që numri i mësuesve për nxënës në shkollat publiket’i afrohet treguesit të shkollave private. Kjo nevojë është mëemergjente në arsimin e mesëm, ku diferenca është shumë e theksuar, rreth 14 me 8. 

Arsimi dhe shkolla kanë edhe shumë nevoja të tjera dhe unë jam sot para jush të zotohem se në buxhetin e vitit të ardhshëm që do të miratohet gjatë këtij sesioni parlamentar, arsimi publik do t’i kushtojmë më shumë priroritet,  burime e mbështetje.”, shkruhet në përshëndetjen e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, përnxënësit, mësuesit dhe prindët e  shkollës profesionale “Petro Sota”, Fier.

Ora 08:14
Dita e parë e Shkollës/ Presidenti Meta uron nxënësit: Dija, e domosdoshme në përballimin e dallgëve të jetës


Një urim për të gjithë nxënësit që fillojnë ditën e sotme shkollën ka ardhur nga Presidenti i vendit, Ilir Meta. Meta ka zgjedhur disa foto të vjetra që të urojë nxënësit duke thënë se dija është e domosdoshme për dallgët e jetës.

Ndër të tjera Presidenti Meta ka uruar edhe mësuesit duke u përcjellë mirënjohjet e tij  për punën e palodhur. Po ashtu Meta u ka bërë  thirrje të gjithë prindërve të fëmijëve që kanë braktisur shkollën që të rikthehen në institucionin e dijes. Sipas Metës investimi në dije është investimi më i sigurt për të ardhmen europiane.

Urimi i Metës:

Të dashur vogëlushë që uleni sot për herë të parë në bankat e shkollës, ju u uroj me zemër shumë suksese dhe një vit të mbarë shkollor, në nisjen e rrugëtimin tuaj drejt dijes dhe ndërtimit të një të ardhmeje të ndritur, plot me ngjyra si ëndrrat tuaja!
Sot ju hidhni hapin më të madh e më të rëndësishëm, suksesi i të cilit, do ju ndihmojë të fitoni garat e tjera të jetës. Me mësuesit, si udhërrëfyes e bashkëudhëtarë, jam i bindur se do të jeni një brez i ditur që do t'ja ndriçojë edhe më shumë emrin Shqipërisë.
Uroj gjithashtu shumë suksese edhe për të gjithë nxënësit në këtë vit të ri shkollor, në përpjekjet e tyre për nxënien e dijeve të reja, aq të domosdoshme në përballimin e dallgëve të jetës.
Mirënjohjen më të thellë për të gjithë mësuesit, që me punë të palodhur, përkushtim e sakrifica arsimojnë denjësisht brezat e rinj. Përmbushje me sukses të misionit tuaj fisnik të edukimit!
Gjithashtu sot është dita për t'ju bërë një thirrje edhe të gjithë familjarëve dhe fëmijëve, të cilët me apo pa arsye kanë braktisur shkollën, t’i rikthehen asaj sa më parë.
Prioriteti kryesor i një shoqërie, që ka besim tek e ardhmja plot sfida, është vetëm duke investuar në dije dhe arsim tek gjenerata më e re. Ky është investimi më i sigurtë për të ardhmen tonë europiane.
Vetëm kështu ne mund të rrisim shpresën dhe besimin se do t'i kapërcejmë me sukses sfidat e së ardhmes, në radhë të parë në interesin e fëmijëve tanë, të cilët janë drita e syve, shpirti dhe zemra e çdo familjeje shqiptare, dhe e shoqërisë sonë.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Diana: 18/09/2019 00:32

    Bravo edi rama,,,,,mire me shkollat por ngrej spakun sa me shpejt,,,qe peshqit e medhenj te ngelin ne rrjete......

    Përgjigju
  • Karadakliu: 16/09/2019 14:10

    Dy Qeverite-Ministrit e Arsimit,Dy pjeset e popullit shqiptare,Andej e kendej Drini.te marrin nje vendim qe:Se pari viti shkollor te fillon ne te njeten dite-date kalendarike,Jo me 1 e me 15 shtator,sic e kemi tash.Pastahja njue grumbull problemesh per njesim te sistemit arsimor shqiptar. Te njihen domoesdo deftesat,diplomat dhe nivelet shkollore, te njesohen planprogarmet-tash kurikulat m esimore lendore,te niveleve dhe profileve shkollore e universitare,Te njehen e respektohen D ilomat, qe deri tash jamne bere shume hallakama te parasyehsme,kur dy shtetet-misnitrit, njohin diploma nga shume qendra e mjedise universitare,me te uleta se qe kemi universitetet tona,Kosova nje diplomat serbe,ende hamandet per diplomat e universiteteve private shqiptare!!!

    Përgjigju
  • edi: 16/09/2019 11:28

    Bukur zoti oh kumandar ,meta ,Rrofte enver hoxha ,rrofte Sulo-Gradeci dhe ju kumandari yne i venecias ,Shko bandit i shpirterave qe i uron fallso ,vendi yt tek SPAK

    Përgjigju
  • Fredi: 16/09/2019 11:24

    Gëzuar edhe mirqënien e lartë të fëmijëve! Gëzuar edhe vilat e Surrelo-Lalëzit!

    Përgjigju
  • YYY: 16/09/2019 09:19

    Kur shikon fotot e femijeve ne diten e pare te shkolles, te pakten nje gje eshte e sigurte, kemi te garantuar te ardhmen e nje populli te bukur. Shendet e mbaresi per te gjithe femijet tane!

    Përgjigju
  • Hasani: 16/09/2019 09:08

    Ku ndodhet z. Ministre e Arsimit qe nuk u ndje fare me rastin e fillimit te vitit te ri shkollor? Apo ndodhet ne Kosove per fushaten e zgjedhjeve?!

    Përgjigju
  • Cubi: 16/09/2019 08:58

    Me urimin e tij te ecen mbrapsh gjith viti.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK