Një peshk ton 243 kilogramë është shitur me çmimin rekord prej 3.2 milionë dollarësh në ankandin e parë të 2026 në tregun e peshkut Toyosu në Tokio.
Ofruesi më i madh për peshkun në ankandin e së hënës ishte Kiyomura Corp., pronari i së cilës, Kiyoshi Kimura drejton zinxhirin e famshëm Sushi Zanmai.
Kimura e ka fituar shumë herë në të kaluarën dhe tani ka thyer rekordin e vet të mëparshëm të vendosur në 2019 me 2.1 milionë dollarë.
Ai u tha gazetarëve se po shpresonte të paguante ca më pak, “por çmimi u rrit para se ta kuptoje.”
Ankandi nisi me rënien e ziles dhe dyshemeja u mbush me peshqit e shumtë, bishtat e të cilëve ishin prerë që blerësit të mund të shihnin detaje si ngjyra, yndyra etj.
Peshku u kap në bregun e Oma në Japoninë veriore, një zonë e njohur për prodhimin e peshkut ton më të mirë dhe kushton 13,360 dollarë për kilogramë.
“Pjesërisht është fat. Por kur shoh një peshk ton të mirë, nuk mundem të rezistoj… s’e kam provuar ende, por duhet të jetë i shijshëm”, tha Kimura.
Qindra peshq ton shiten çdo ditë në ankandin e mëngjesit, por çmimet janë më të larta se zakonisht për peshkun nga Oma, sidomos pas Vitit të Ri.
Për shkak të popullaritetit të peshkut ton për sushi e sashimi, specia nga Paqësori ka qenë e rrezikuar më parë nga zhdukja për shkak të ndryshimeve klimatike dhe peshkimit pa kriter, por sasia po rritet falë përpjekjeve për ruajtje.
Komente









