Sot bëhen 25 vjet nga sulmi terrorist mbi kullat binjake, në zemër të New York-ut. Në një reagim në rrjetet sociale, Presidenti Bajram Begaj shprehu ngushëllimet dhe solidaritetin me familjet dhe të afërmit e viktimave.

“Ka kaluar një çerek shekulli, por për Amerikën, ne dhe aleatët tanë, më të cilët ndajmë të njëjtat vlera, 11 shtatori është aty si një kujtesë kolektive që ka riformësuar jetët tona me dëshminë se ideologjitë urrejtëse sjellin pasoja të tmerrshme.

Gjatë këtyre viteve, Amerika, ky komb i madh e i fortë, i tregoi botës se nuk mposhtet nga asgjë.”, shkroi Presidenti.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha përmes një reagimi në rrjetet sociale, thekson se 11 shtatori është një ditë që bota nuk do ta harrojë kurrë.

“Dhimbja e asaj dite u ndje shumë përtej brigjeve të Shteteve të Bashkuara. Ajo u ndje thellë edhe në Shqipëri”, u shpreh Hoxha.

Më 11 shtator 2001, Shtetet e Bashkuara të Amerikës u goditën nga një seri sulmesh terroriste që tronditën jo vetëm vendin, por mbarë botën. Katër avionë pasagjerësh u rrëmbyen nga 19 terroristë të lidhur me rrjetin al-Kaida. Dy prej avionëve u përplasën me kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork, ndërsa një avion i tretë goditi Pentagonin, selinë e Departamentit amerikan të Mbrojtjes.

Avioni i katërt, United Airlines Flight 93, u rrëzua në një fushë pranë Shanksville, në Pensilvani. Pasagjerët dhe ekuipazhi kishin tentuar të rimerrnin kontrollin e avionit nga rrëmbyesit, duke penguar që ai të arrinte objektivin e tij. Pamjet e sulmeve në Nju Jork u transmetuan drejtpërdrejt në televizionet e të gjithë botës. 

Nga sulmet, gjetën vdekjen rreth 3 mijë vetë. 184 persona u vranë në Pentagon atë ditë përfshirë 59 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit të avionit që u përplas dhe 125 persona brenda kompleksit.

Pas sulmeve, Shtetet e Bashkuara nisën një fushatë të gjerë kundër al-Kaidës dhe organizatave terroriste. Në tetor 2001, SHBA-ja dhe aleatët e saj ndërhynë ushtarakisht në Afganistan, ku regjimi taleban kishte strehuar udhëheqësin e al-Kaidës, Osama bin Laden.

Sipas dëshmive të mëvonshme, sulmi ishte drejtuar për në Shtëpinë e Bardhë, por shkaktoi një tragjedi akoma dhe më të madhe, që vijon të mbahet mend si një nga sulmet më të mëdha në historinë e Amerikës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:45
25 vite nga sulmet e 11 shtatorit: Ambasada e SHBA në Tiranë: Nderojmë jetët e humbura dhe heronjtë

Foto: Ambasada amerikane në Tiranë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka kujtuar 25-vjetorin e sulmeve të 11 Shtatorit, duke nderuar viktimat dhe heronjtë e asaj dite.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasada shprehet se kujton jetët e humbura dhe njerëzit që u shfaqën si heronj në New York, Pennsylvania dhe Virginia.

“Nderojmë jetët e humbura, heronjtë që u shfaqën në Neë York, Pennsylvania dhe Virginia, si dhe qëndrueshmërinë e shpirtit amerikan” shkroi ambasada në faqen zyrtare në Facebook.

Ora 09:34
Hoxha: 11 shtatori, dita që nuk harrohet kurrë! Shqipëria dhe SHBA qëndrojnë së bashku në mbrojtje të lirisë

Foto: Ferit Hoxha

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka kujtuar 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përmes një reagimi në X, Hoxha theksoi se 11 shtatori është një ditë që bota nuk do ta harrojë kurrë, ndërsa kujtoi afro 3 mijë jetët e pafajshme të humbura dhe familjet, jetët e të cilave ndryshuan përgjithmonë.

“Dhimbja e asaj dite u ndje shumë përtej brigjeve të Shteteve të Bashkuara. Ajo u ndje thellë edhe në Shqipëri”, u shpreh Hoxha.

Sipas Hoxhës, marrëdhënia mes dy popujve mbështetet në vlera të përbashkëta, respekt të ndërsjellë, partneritet strategjik dhe një miqësi të qëndrueshme, e cila ka përballuar edhe periudha të vështira.

“Ne nderojmë sot ata që humbëm dhe qëndrojmë pranë familjeve të tyre dhe popullit amerikan. I bëjmë homazh qëndrueshmërisë së jashtëzakonshme të një kombi që, përballë një tragjedie të papërshkrueshme, zgjodhi të qëndrojë i bashkuar dhe të mbrojë vlerat që na bashkojnë”, tha ai.

Hoxha rikonfirmoi gjithashtu angazhimin e përbashkët për përballimin e terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe urrejtjes, kudo që ato kërcënojnë paqen, lirinë dhe jetën njerëzore.

“Shqipëria qëndroi me Shtetet e Bashkuara në atë ditë të errët dhe ne do të vazhdojmë të qëndrojmë së bashku në mbrojtje të lirisë, paqes dhe vlerave tona të përbashkëta demokratike. Disa momente nuk harrohen kurrë. Disa miqësi nuk zbehen kurrë. Ne kujtojmë. Ne nderojmë. Ne qëndrojmë së bashku”, përfundoi Hoxha.