260 vepra të thesarit kombëtar
në duart e trafikantëve

260 vepra të thesarit kombëtar<br />në duart e trafikantëve
“Kjo bie për mua erë grabitje. Nuk ka pse këto vepra të enden me muaj nga një vend i huaj në një tjetër jashtë republikës sonë, nëpër arka, pa u njoftuar se ku janë”. Kështu shprehet arkeologu i njohur Gjergj Frashëri, i cili që nga nëntori i 2012-s ka ndjekur me vëmendje fatin e 260 veprave të thesarit kombëtar në Itali. Frashëri apelon që veprat të kthehen në shtëpinë e tyre.

Ndërsa ai rendit listën e madhe të rreziqeve, kjo na bën të frikësohemi se pas pak ditësh do të na vijë ndonjë lajm më i hidhur se shkatërrimi i Onufrit në kishën e Elbasanit. Arkeologu i njohur duket se ka rënë në gjurmët e një tentative për trafikimin e veprave. “Nuk mund të flas pa e verifikuar me dokumente”, thotë, por tashmë është i vendosur të flas hapur duke akuzuar institucionet e shtetit, Atasheun tonë kulturor në Itali, Neritan Cekën, dhe drejtorin e Institutit të Monumenteve të Kulturës, Apollon Baçen, si pjesëmarrës në rrezikun që i kanoset trashëgimisë.
gjergj frasheri
(Foto: Gjergj Frashëri, arkeolog)

Për arkeologun Frashëri, as shkatërrimi i Onufrit në Elbasan, as shkarkimi i drejtorëve të trashëgimisë me ngritje në detyre tjetër nuk është një vendim i rastësishëm pas nisjes së thesareve jashtë Shqipërisë. A është qeveria shqiptare e implikuar në skemën e trafikimit? A do t’i mbrojmë dot nga grabitja dhe falsifikimi. Çfarë roli ka atasheu ynë kulturor, arkeologu Neritan Ceka, ish këshilltar i Kryeministrit Berisha në këtë histori? Dhjetëra dyshime dhe akuza vijnë si përgjigje të intervistës së mëposhtme dhënë për gazetën “Shqiptarja.com” nga arkeologu i mirënjohur Gjergj Frashëri.
 
Zoti Frashëri, besoj se jeni në dijeni për ekspozitën tonë me vepra të rëndësishme të trashëgimisë kulture nga Shqipëria, që u ekspozuam në Romë, më pas në Torino të Italisë dhe së fundi në Prishtinë, ku ende do të qëndrojnë atje deri afërsisht në tetor 2013?
-Për gjithçka që ndodh në Shqipëri për fatin e trashëgimisë kulturore në tërësinë e saj mundohem pa u kursyer të jem në dijeni, sepse kjo është sfera e profesionit tim, prej të cilit prej më se 40 vjetësh nuk jam ndarë asnjë orë, asnjë ditë brenda dhe jashtë vendit. Veçanërisht ka kohë që kam marrë një dhimbje qytetari, sepse po jetojmë kohën më të zezë të Shqipërisë për sa i përket dhunimit të pasurisë historike brenda vendit, të grabitjes së pashembullt të veprave të saj nga shteti dhe qeveritarët tanë dhe të trafikimit të paskrupullt të këtyre veprave jashtë kufijve të Shqipërisë. Në muajin nëntor 2012 Ministria e Kulturës dërgoi një ekspozitë të quajtur “Rrënjët e Shqipërisë” (“I tesori del patrimonio culturale albanese”) me qëndrim në Muzeun Arkeologjik në Romë (Vittoriano) prej 21 Nëntorit 2012 deri më 6 Janar 2013. Më tej ekspozita qëndroi në Torino (Palazzo Madama) prej 23 Janarit deri në 7 Prill 2013.
 
 
Ka lindur një farë dyshimi, për sigurinë e tyre, pasi tashmë ato po udhëtojnë nga një vend në tjetrin gati një vit rresht. Nëpunës të lartë të MTKRS-se dhe te institucioneve vartëse të saj për fatin e veprave të trashëgimisë kulturore janë përgjigjur, se fati i këtyre veprave është i sigurt dhe se ato mbas tetorit 2013 do të kthehen përsëri në atdhe. Është e saktë sipas jush kjo përgjigje?
- Ekspozita e udhëhequr teknikisht në Tiranë nga drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës (IMK) zoti Apollon Baçe, mblodhi 260 objekte arkeologjike dhe ikonografikë më të çmueshëm të vendit nga Muzeu Arkeologjik i Tiranës, atij të Apolonisë, Durrësit, Muzeut Historik Kombëtar, si dhe mbi 20 ikona të artit historik nga Shqipëria, midis tyre edhe ato të Onufrit. Veprat e Ekspozitës u përzgjodhën si thesari më i çmuar i pasurisë kulturorë të lëvizshme të Shqipërisë në tërë historinë e saj. Me mbylljen e ekspozitës në Torino më 7 Prill 2013, fondet qëndruan disa ditë në mënyrë të pajustifikueshme në Itali. Kisha shumë arsye që ta ndiqja me vëmendje fatin e veprave tona në Itali.

Një ekspozitë e tillë pat shkuar në Napoli më 1941 dhe nuk u kthye më. Por kësaj radhe ndodhi ndryshe. Punonjës të thjeshtë nga Tirana me në krye drejtorin e IMK-së shkuan më vonë t’i merrnin ato në Itali, i mblodhën nëpër arka dhe i transportuan ato me “koshat e fiqve” të katundarit, e kam fjalën i transportuan përmes tragetit pa më të voglën përgjegjësi shtetërore dhe siguri ligjore. Për më tepër, këto arka udhëtuan në mënyrë të pashpjegueshme drejt e në Prishtinë (?!). Nuk kishim dëgjuar më parë për një planifikim të tillë. Ekspozita në Prishtinë u hap më 17 Korrik 2013. Pyes veten: ku kanë qëndruar këto thesare për më shumë se tre muaj, nga tërheqja e tyre prej Torino deri në transportimin e tyre në Prishtinë? Për këtë presim prej kohësh përgjigje nga MTKRS-ja, pavarësisht në se ka humbur rrugës apo jo ndonjë nga veprat, apo të tjera janë dëmtuar nga mungesa e kushteve të parashikuara teknike, për të cilat me mundësinë më të madhe janë shkelur hapur nenet e ruajtjes së veprave të trashëgimisë.
thesare
thesare 1
(Foto: Objekte nga trashëgimia kulturore)
 
Mendoni Ju se midis objekteve të Ekspozitës mund të jenë vjedhur nga pasiguria e mjaftueshme, ose dëmtuar nga transporti për kushtet jo të mira të tyre, etj.?
-Për këtë çështje madhore, po ju jap një përgjigje direkt si ekspert i fushës. Të 260 thesaret shqiptare që kanë dalë jashtë Shqipërisë në nëntor 2013 janë vepra origjinale historike të nivelit ndërkombëtar. Të tilla vepra unikale po të mos ruhen në siguri të lartë sipas standardeve ndërkombëtare të parashikuara në nene dhe detyrime të dyanshme ndërkombëtare, janë plotësisht nën kërcënimin për t’u grabitur në mes të ditës. Këtë e dinë edhe autoritetet tona, madje edhe përgjegjësit shtetërorë që kanë marrë përsipër shoqërimin bashkë me sigurinë e Ekspozitës. Me sa jam personalisht në dijeni, kjo nuk është bërë dhe kjo çështje pavarësisht nga rezultati, të cilin do ta mësojmë pasi veprat të mbarojnë udhëtimin “turistik”, duhet të paditet në prokurori, pa hezitim. Publiku ynë bëri një përvojë të gjallë, se çdo të thotë “sigurimi i veprës muzeale” me rastin e sjelljes së Armëve të heroit shqiptar Skënderbeut, nga autoritetet e Muzeut të Vjenës në nëntor-dhjetor 2013. Besoj se kjo mjafton për krahasim. E dyta, të tilla vepra si të ekspozitës në fjalë, janë nën gjuetinë e falsifikatorëve profesionistë, të cilët brenda pak orësh janë në gjendje nëpërmjet skanimit me 3D mund të riprodhojnë çfarëdo objekti arkeologjik në qeramike, gur, bronz, bakër, kockë, flori, etj. direkt në një material të ngjashëm, që në aspektin vizual është i padallueshëm nga origjinali. Ata nuk e realizojnë dot këtë, sa kohë që veprat janë të ekspozuara në statusin shtetëror si Ekspozita e Romës apo e Torinos. Por ata e bëjnë në sekondë, në se veprat qëndrojnë diku në pritje, apo në një udhëtim të tyre të pa siguruar profesionalisht dhe pa përgjegjësinë ligjore të parashikuar, apo larg qoftë në “marrëveshje” me organizatorët.
 
Ligji mbi ruajtjen e veprave të trashëgimisë kulturore e mbërthen jo vetëm këtë lloj falsifikatori, por çon në prokurori edhe Atë që ia jep mundësinë një të treti, të falsifikojë veprën unikale historike në fjalë. E treta, çështja e kopjimit të veprave ikonografike është po kaq e mundshme, madje ka një traditë më të lashtë, sepse këtu kopjohet me dy dimensione. Me që ra fjala, në Ekspozitën e Romës u paraqitën edhe 20 ikona të artit historik nga Shqipëria, midis tyre edhe ato të Onufrit, të cilat tërhoqën si gjithnjë vëmendjen e publikut, historianëve të artit dhe të koleksionistëve. Kësaj radhe po e quaj rastësi, që në prag të mbylljes së  Ekspozitës së Romës më 6 Janar 2013, në Kishën e Valshit në Shqipëri u masakruan në ditët e para të vitit pikërisht portretet në freskat e Onufrit (lexo: Masakrimi i Onufrit, akt i segmenteve të errëta politike, Gazeta Shqiptare 11 janar 2013). E katërta, thesaret muzeore të një kombi duan në çdo çast kushtet e mikroklimës ku jetojnë në shtëpinë e tyre, klimën me të cilën janë mësuar në ambientet e muzeut ku qëndrojnë prej kohësh, edhe në se ajo nuk është plotësisht e arritur në ndonjë rast, janë sidoqoftë përshtatur asaj.

T’i nxjerresh këto thesare nga klima e muzeut dhe t’i endesh me ditë , me javë, me muaj në  “kosha fiku” nëpër diell, shi, të ftohtë apo të ngrohtën e pakontrolluar të mjedisit, bëhesh shkaktar i dëmtimit të tyre, i sëmundjeve shkatërrimtare që marrin në strukturën e brendshme të tyre. Të dëmtosh është e dënueshme, në çdo formë. Është fatkeqësi e madhe që nëpunësit e shtetit në këtë vend marrin të drejtën dhe përkrahjen nga segmentet dominuese politike, të marrin thesaret e kombit dhe të ikin për ditën me diell, t’i lënë diku apo t’i çojnë diku pa e ditur populli i tyre. Këtë kanë bërë në të kaluarën Banditë groteskë në Shqipëri, pak a shumë ashtu si Ahmet Zogu!
 
Drejtori i trashëgimisë kulturore në MTKRS zoti Arbër Kadia, është shprehur se siguria e objekteve të ekspozitës në rrugëtimin e tyre nga Tirana në Romë, në Torino dhe  tani në Prishtinë është sipas të gjithë standardeve më të larta. Keni edhe ju këtë mendim?
Mjerisht ka ardhur një kohë, që MTKRS-ja çdo dhunim, grabitje dhe trafikim të veprave të trashëgimisë kulturore që ndodh në Shqipëri, i vjen për më mirë ta tregojë për Dasmë, për të mjegulluar imazhin, veprën penale. Për ta vënë në skenë këtë ide, MTKRS-ja zgjedh përherë kalamaj, që vishen me kostum feste dhe u hedhin oriz dhe qindarka atyre që i kërkojnë llogari Ministrisë për dhunimet e radhës së saj. 

Drejtori në fjalë, u muar para pak kohe për strateg në MTKRS, gjatë një furtune emërimesh dhe çemërimesh politike intensive ndodhën aty dhe në institucionet lidhëse të saj, prej muajit nëntor 2012, qëkurse MTKTS-ja ngarkoi drejtorin e IMK-së zoti Apollon Baçe jashtë kritereve që kryen instituti i tij, të organizonte teknikisht ekspozitën në fjalë dhe deri në muajin prill 2013, kur u dha urdhri pa njoftim të mëparshëm, që ekspozita të marshonte në Kosovë. Në vijim po rreshtoj disa lëvizje që më kanë rënë në sy, ju lutem sa për statistikë, jo për akuzë apo paragjykim. E para lëvizje emërimi që rezultoi nga vendimi i lidhur sa më sipër për hapjen e kësaj Ekspozite të sajuar, ishte emërimi i ideatorit të saj, zotit Neritan Ceka, nga detyra e këshilltarit të Kryeministrit për trashëgiminë kulturore në Tiranë, në Ambasador të Republikës së Shqipërisë në Romë. Kjo u pasua nga largimi i Ministrit të parafundit të Kulturës , i cili ishte vendimmarrësi i Ekspozitës në fjalë. Më 6 Shkurt 2013 (kur ekspozita ndodhej në Torino), Kryeministri i vendit duke anashkaluar Kuvendin firmos një urdhër (nr. 7) për “miratimin e strukturës dhe të organikës së Institutit të Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri”. Siç e kam shfaqur mendimin në shtyp, urdhri i tij kishte të bënte me fryrjen e kompetencave të këtij instituti për të bërë veprimtari ndërkombëtare, të cilat nuk i takonin më parë – ashtu si edhe Ekspozita në Itali që ky Institut po e kryente pa të drejtë qysh në  muajin nëntor 2012. Pa përfunduar mbyllja e Ekspozitës në Itali, largohet nga detyra në mënyrë të paarsyeshme dhe të papritur drejtoresha e Institutit Arkeologjik të Tiranës, zonja Shpresa Gjongecaj, që ishte përgjegjëse për nxjerrjen e thesareve më të çmuar arkeologjike të ekspozitës nga Muzeu Kombëtar Arkeologjik i Tiranës. Në këtë atmosferë largohet edhe drejtori i trashëgimisë kulturore në MTKRS. Në ditët e fundit para mbylljes së Ekspozitës në Itali, sjellin në skenë drejtorin e ri të Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore në MTKRS për të cilin m’ë pyetët.

Guximi i tij sot për të bindur publikun, se objektet e ekspozitës kanë pasur dhe kanë edhe sot  sigurinë sipas të gjitha standardeve të larta (?!), është për mendimin tim për t’u hulumtuar thellë dhe me seriozitet admnistrativ.  Kaq për sot. Harrova diçka. Shumica e nëpunësve të mësipërm u ngritën në detyra dhe asnjë nuk e humbi punësimin. Vetëm njëri e humbi vendin e punës në mënyrë të papritur, një punonjës i thjeshtë, i cili pasi fotografoi me urdhër të drejtorit të IMK-së të gjitha veprat që do të niseshin për në Itali, u pushua pas disa javësh. Dua me këtë rast t’i kujtoj qeverisë sonë të pritshme, se ata që e morën përgjegjësinë e nxjerrjes së thesareve të kombit jashtë Shqipërisë dhe ata që janë tashmë aktualisht përgjegjës për kthimin e këtyre perlave të kombit në stendat e muzeve të Shqipërisë, duhet të mbajnë të njëjtën përgjegjësi penale si shkaktarë të dëmit, në rast se nesër do të mësojmë, se disa vepra nga vepra e Ekspozitës Italo-Kosovare do të mungojnë, për disa syresh të tjera do të mësojmë se nuk janë më origjinalet dhe për disa të tjera do konstatojmë se janë dëmtuar nga odiseja e udhëtimit.
 
Mendoni ju se është shkelur ndonjë vendim shtetëror nga organet e larta të qeverisë për hapjen e kësaj ekspozite në Itali dhe më pas në Prishtinë?
Nuk kam të drejtë të diskutoj apo të vë në dyshim një vendim të ministrisë. E drejta ime është të apeloj, se thesaret e trashëgimisë historike të një republike nuk duhet të qëndrojnë kaq gjatë jashtë shtëpisë së tyre. Kjo është një përgjegjësi e madhe, kjo bie për mua erë grabitje. Nuk ka pse këto vepra të enden me muaj nga një vend i huaj në një tjetër jashtë republikës sonë, nëpër arka, pa u njoftuar se ku janë, aq më tepër në duart e një nëpunësi të diskretituar për shkatërrimet e panumërta të veprave të trashëgimisë kulturore, i cili është drejtori i IMK-së dhe ideatorët e tij të mirënjohur. Me cilin qëllim e bën Shqipëria këtë marshim Ekspozitash jashtë kufijve të Republikës me thesaret origjinale më të vyera të historisë së kombit, në këtë paqëndrueshmëri politike dhe në këtë mjerim financiar shtetëror. E bën me qëllim të përmirësojë imazhin e vendit që tregohet me gisht për trafikimin e drogës. Janë vërtet të gjitha veprat tona në Prishtinë, apo kanë mbetur ca në Romë, ca në Torino dhe ca të tjera diku tjetër...? - pyes përherë e më shumë veten.

NE KERKIM TE 260 THESAREVE
Gazeta “Shqiptarja.com” këto ditë ka hapur çështjen e fatit të 260 thesareve shqiptare që kanë dalë jashtë Shqipërisë në nëntor të 2012-s dhe nuk janë kthyer në atdhe sipas kontratave të përcaktuara nga shteti shqiptar. Nuk dihet fati i tyre. 100 prej veprave të arkeologjisë kombëtare janë deklaruar se janë ekspozuar aktualisht në Prishtinë. Ndërkohë mësojmë se veprat unikale arkeologjike që nga koha e ekspozimit kanë udhëtuar me tragete nëpër arka duke ndjekur një itenerar misterioz nga ekspozitat nëpër Itali deri tek ajo e Prishtinës. Ka kohë që flitet, por askush nuk ka guxuar të shpreh me zë të lartë dyshimet për trafikimin dhe falsifikimin e thesareve kombëtare, ku rreziku më i madh shfaqet gjatë udhëtimit të tyre Tiranë-Romë-Torino-Prishtinë. Çfarë do të marrim vesh kur ato të kthehen në Tiranë. Pse nuk po i kthejnë ende? Ç’po ndodh me thesaret arkeologjike të Shqipërisë.
 
HISTORIA
Në muajin nëntor 2012 Ministria e Kulturës dërgoi një ekspozitë të quajtur “Rrënjët e Shqipërisë” (“I tesori del patrimonio culturale albanese”) me qëndrim në Muzeun Arkeologjik në Romë (Vittoriano) prej 21 Nëntorit 2012 deri më 6 Janar 2013. Më tej ekspozita qëndroi në Torino (Palazzo Madama) prej 23 Janarit deri në 7 Prill 2013. Me mbylljen e ekspozitës në Torino më 7 Prill 2013, fondet qëndruan disa ditë në mënyrë të pajustifikueshme në Itali dhe aktualisht 100 prej tyre janë ekspozuar që nga 17 korriku në Prishtinë.

Shkrimi u botua sot në gazetën “Shqiptarja.com” (print) 09.08.2013
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    19 Dhjetor, 08:16

    5 vite nga krijimi i SPAK, jeni të kënaqur me punën e bërë?



×

Lajmi i fundit

Dialogu/ Petkoviç: Komisioni i Përbashkët për personat e zhdukur nis punën në janar, Kosova s'do që të hapë arkivat e UÇK

Dialogu/ Petkoviç: Komisioni i Përbashkët për personat e zhdukur nis punën në janar, Kosova s'do që të hapë arkivat e UÇK