Jeta Kreka, kandidatja 26-vjeçare për pozicionin e ambasadores së Shqipërisë në Katar është përballur me një sërë reagimesh e pyetjesh gjatë seancës dëgjimore në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme.

Kreka theksoi formimin e saj në Shërbimin e Jashtëm dhe jetesën e punën në Katar si avantazhe për njohjen e gjuhës dhe kulturës vendase. Njëkohësisht shprehu se pavarësisht moshës dhe eksperiencës së kufizuar, është e gatshme për të mësuar nga diplomatë me përvojë.

Megjithatë, pavarësisht vlerësimit për qëndrimin e saj, një pjesë e deputetëve nuk e fshehën skepticizmin. Edmond Haxhinasto tha se fakti që ajo nuk jeton në Shqipëri dhe mungesa e përvojës në Ministrinë e Jashthme mund të kenë krijuar boshllëqe në dijen e 26-vjeçares.

Ish-ministri i Jashtëm Igli Hasani nënvizoi se nuk është i rëndësishëm vetëm formimi akademik, por edhe kontributi e pjekuria profesionale. Ndërsa deputetja e PS, Bora Muzhaqi vuri në dukje moshën e re të kandidates, së cilës do t’i duhet të bisedojë me burra më të mëdhenj në moshë dhe me më shumë përvojë.

Edmond Haxhinasto: Unë vë re nga CV-ja juaj që na është paraqitur këtu se ju nuk jetoni në Shqipëri, por në Katar. Kjo është e para. E dyta, vë re që ju s’keni pasur asnjëherë marrëdhënie me Ministrinë e Punëve të Jashtme. E treta. Nëse jua kanë kërkuar të bëheni ambasadore apo keni shprehur dëshirën vetë dhe a jeni në dijeni nëse ka pasur ndonjë ambasador tjetër që ka pasur pretendime? Nëse ju e gjykoni mosprezenca në Shqipëri dhe moskontaktet me Ministrinë e Punëve të Jashtme ju kanë krijuar një vakuum në dijet tuaja, në ndjeshmërinë tuaj për zhvillimet në Shqipëri dhe për funksionimin e institucioneve në Shqipëri, veçanërisht ato të Ministrisë së Jashtme? Ju në bazë të këtij mandati synoni të qëndroni në diplomaci, keni ambicie për t’u bërë diplomate dhe për të vazhduar karrierën apo e konsideroni këtë si një post, një mandat dhe pastaj do të vazhdoni me ambiciet tuaja?

Jeta Kreka: Unë kam shprehur interesin. Siç e keni parë nga CV-ja ime, kam studiuar në Shërbim të Jashtëm. Ky institucion konsiderohet si shkolla më e mirë. Kam kryer praktika të ndryshme, intershipe. Trajtimi rigoroz që kam marrë lidhet me dëshirën time për të qenë pjesë e botës diplomatike. Nuk kam qenë këtu për shkak të angazhimeve me shkollën dhe punës aty. Kjo është një pyetje 1 milion dollarëshe, po dëshira ime është që të mbetem në shërbim të vendit.

Igli Hasani: Një koment personal, meqenëse kam shërbyer si ambasador i Republikës së Shqipërisë. Ambasadorët nuk zgjidhen për shkollat që kanë kryer, por për pjekurinë profesionale edhe për kontributin që kanë dhënë në përfaqësimin e shtetit, kështu që jam i bindur që duhet të fokusohemi. Po përpiqesha dhe doja t’ju pyesja, ndoshta dokumenti nuk është i plotë, por mund të më thoni se CV-ja juaj fillon në 2019. Çfarë keni bërë para 2019?

Jeta Kreka: Në 2018 kam përfunduar studimet e gjimnazit te “Petro Nini Luarasi” dhe në 2019 kam udhëtuar drejt Katarit për të vazhduar shkollën dhe për të punuar me kohë të plotë.

Ervin HoxhaDhe për mua është e rëndësishme të njohësh gjuhën e një vendi, jam përballur edhe me ambasadorë, se kam 25 vite eksperiencë në administratë dhe e di pak a shumë ciklin dhe nuk kemi qenë kaq rigorozë në vendosjen e ambasadorëve. Ne e dimë shumë mirë kush e ka përfaqësuar vendin në kohë të ndryshme. Edi Rama ka qenë në Katar, pas kryeministrit ka qenë edhe ministrja Ibrahimaj, tani unë kam një pyetje që lidhet me ju personalisht, pas këtyre vizitave që ju i keni ndjekur në distancë apo keni marrë material, me pak fjalë a mund të më thoni në cilën mënyrë kërkoni ju dhe do ta zhvilloni ju fushën e bashkëpunimit Shqipëri–Katar në nivelin strategjik?

Bora Muzhaqi: Si një person që jam futur në politikë si vajzë e re, edhe e re, edhe vajzë. Kur flasim për vende relativisht që janë patriarkale, a e keni menduar sa i vështirë do të jetë angazhimi juaj në një vend si Katari duke qenë vajzë dhe e re, dhe si do ta adresoni këtë sfidë duke u ulur në tavolina me burra në moshë më të madhe se ju? Patjetër që jemi për barazinë gjinore, por nuk mund të anashkalojmë sfidat që ne kemi.

Jeta Kreka: Në rastin tim do të cekja që avantazhi im është që kam jetuar në atë vend. Unë kam mësuar prej tyre, jam mësuar ta shoh Katarin me sy tjetër. Kjo është një përgjegjësi e jashtëzakonshme dhe patjetër, nëse Komisioni do ta shihte të arsyeshme, do ta shihja me përulësi, pasi jam e vetëdijshme për eksperiencën dhe moshën time. Mendoj që brezi i ri ka për të përcjellë, por e ka të domosdoshëm bashkëpunimin me brezat e tjerë që janë pjesë e sistemit prej një kohe të gjatë. Mendoj që eksperienca në atë vend, njohja e gjuhës dhe të jetuarit atje heqin disa barriera që, duke ardhur nga jashtë, janë më të vështira, por njëkohësisht paraqesin një sfidë shumë interesante lidhur me moshën dhe të qenurit e një 26-vjeçareje në mesin e burrave dhe grave me më shumë eksperiencë.

Sugjerimi i Tritan Shehut ishte që Kreka të rikthehet në Shqipëri për të nisur karrierën në Ministrinë e Jashtme para se të jetë gati për një detyrë kaq të rëndësishme.