TIRANË-Pas më shumë se një muaji e gjysmë të mbyllur, qytetarët në zonat e gjelbërta, kanë nisur të shijojnë lirinë. Në rrugët e qyteteve njerëzit kanë shijuar temperaturat e larta, e ndërsa në dyqane kanë filluar të hyjnë klientët e parë.
Report Tv ka bërë një vëzhgim në Pogradec, Gjirokastër, Sarandë, ku duket se jeta ka rifilluar nga e para. Qytetarët e kanë vlerësuar si të drejtë vendimin për masa lehtësuese në qytete që nuk kanë raste të të infektuarve. "Të dalin njerëzit nga depresioni", thotë një qytetar. Ka edhe nga ata që nuk janë "ngopur" me lirinë, siç është rasti i një të moshuari. Ai edhe pse i ka mbaruar afati për qëndruar jashtë, shprehet se nuk është mjaftuar me diellin dhe do të qëndrojë dhe disa minuta më shumë, për t'u rikthyer më pas sërish në shtëpi.
Pronarët e bizneseve janë pajisur me doreza dhe maska, edhe pse shprehen se nuk ka qenë shumë i nevojshëm përdorimi i tyre, pasi klientët kanë qenë të paktët. Sa të shqetësuar për mallin stok të dimrit që u kanë mbetur, aq kanë shpresë se situata do të ndryshojë në të ardhmen.
Në Gjirokastër nuk ka pasur ndërgjegjësim të masave lehtësuese, edhe pse në këtë qytet nuk ka asnjë të prekur. Kryebashkiaku Flamur Golemi, në një intervistë për Report TV, i paralajmëroi gjirokastritët që të mos abuzojnë me lirinë, pasi nëse panorama do të jetë e njëjtë edhe në ditët e tjera, pra qytetarë që lëviznin dyshe-treshe, do të kërkojë ndërhyrjen e qeverisë. E njëjta panoramë është paraqitur edhe në Sarandë dhe Pogradec ku rrugët kanë qenë të mbushura plot, sikur COVID-19 të ishte zhdukur përgjithmonë.
Harta me zonat e gjelbërta
Zona e gjelbër
Qarku Dibër
Qarku Gjirokastër
Zona e përbashkët e bashkive Sarandë, Konispol, Himarë, Delvinë dhe Finiq;
Zona e përbashkët e bashkive Prrenjas, Pogradec dhe Librazhd
Bashkia Divjakë
Rregullat e qeverisë në zonat e gjelbërta
Në zonat e gjelbërta automjetet private lëvizin pa autorizim nga ora 09.30 deri në orën 17.30, por me rregullin e vetëm 2 personave në makinë, nga i cili përjashtohen kategorikisht pensionistët!
Ndalohet rreptësisht hyrje-dalja në perimetrin e këtyre zonave
Pensionistët lëvizin lirisht në këmbë, nga 06:00 deri në orën 08.30 dhe deri në këtë orë asnjë këmbësor tjetër përveç atyre që kanë autorizim për punë, ndalohet të dalë nga shtëpia
Nga ora 9.30 deri në 17.30 të gjithë të tjerët mund të dalin nga shtëpia
Kujdes! Ndalohet lëvizja në këmbë e më shumë se dy personave
Ndalohet rreptësisht qëndrimi në një vend i më shumë se dy personave dhe nuk lejohet frekuentimi i parqeve publike në 14 ditët e ardhshme
Edhe pse bashkia e Pogradecit është konsideruar si një nga zonat e gjelbra në Shqipëri me masa lehtësuese për qytetarët, masat strikte përsa i përket parqeve bënë që edhe sot Parku i Drilonit të gëzojë qetësinë absolute, ndërsa në heshtje dëgjoheshin fëshfërimat e gjetheve të pemëve dhe cicërimat e zogjve.
Kjo hapësirë është më e frekuentuara në juglindje, por masat ndaj COVID-19, kthyen këtë park, në ëndrrën e gjithsecilit që e sheh nga larg. A thua për sa kohë ky park i cili qëndron në vëmendjen e gjithsecilit të qëndrojë i paprekur?
Deri atëherë, kjo panoramë qe fal shumë do mbetet vetëm e shpendëve nën shoqërinë e tingujve të natyrës!\
Në qytetin e Fierit duket sikur COVID-19 nuk ka ekzistuar kurrë. Qytetarët kanë mbushur rrugët, bizneset e pakicës janë hapur për të pritur blerësit e mundshëm, pas më shumë se një muaji e gjysmë mbyllur. Në rrugë janë parë të rinj, fëmijët e të moshuar.
Në Fier janë konfirmuar 37 raste me koronavirus, nga atë cilat 27 janë shëruar. Mesa duket kjo shifër optimiste, i ka bërë qytetarët që të dynden rrugëve.
Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, e shpallur zonë e gjelbër, në një intervistë për Report Tv, ka deklaruar se qytetarëve nuk i kanë zbatuar masat e marra, e për pasojë ka paralajmëruar se nëse kjo situatë do vijojë, do të kërkojë ndërhyrjen e qeverisë. Në një intervistë për gazetarin e Report Tv, Piro Nase, Golemi tha se nga vëzhgimi që është bërë, ka rezultuar që ka pasur qytetarë që kanë dalë më shumë se 2 persona në rrugë, që është në shkelje të rregullave.
"Vazhdojmë të jemi në një situatë emergjente, duket të ruajmë masa, t'i shfrytëzojnë liritë, mos të abuzojnë. Përgjegjshmëria e qytetarëve duhet të jetë maksimum, është kjo qytetari që ka bërë që në Gjirokastër. Por qe kjo situatë si kjo ku njerëzit kanë dalë dyshe-treshe, do i kërkojmë qeverisë që të marrë masa. Kemi thënë se s'duhet të ketë njerëz që lëvizin më shumë se 2 persona, ky është problemi i vetëm që kemi hasur. Shpresoj që kjo gjë të ndryshojë", tha Golemi.
Koronavirusi nuk i ka ndalë qytetarët që të marrin rreze dielli dhe të bëjnë plazh, edhe pse kjo është e ndaluar. Qytetarët kanë shfrytëzuar temperaturat e larta për të bërë plazh, pavarësisht urdhrit të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu nuk do të tolerohen. Siç shihet në foto e Report TV, aty kanë mbërritur uniformat blu që i kanë shpërndarë në shtëpi.
Mjeku në Pogradec u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat, pasi në një vëzhgim që ka bërë shprehet se nuk i kanë respektuar masat. Sipas tij, kjo vjen për shkak se "u ka dalë frika", duke iu bërë apel që t;i vlerësojnë liritë që kanë.
"E ka vlerësuar ashtu siç duhet dhe bëri që të jemi një shtet me pak vdekshmëri, liritë duhet t'i vlerësojnë edhe njerëzit, se s'do i rrinë nga pas. Unë jam mjek dhe e di. Pogradeci gjithmonë është një popull që i zbaton frika, u ka dalë frika. por duke qenë kështu nuk i respektojnë masat, dalin sot dyshe-treshe, por do binden. U bëj thirrje që duhet ta vlerësojnë këtë pandemi botërore, për të shpëtuar dhe veten e tyre dhe familjarët. Është virus që do kujdes", tha mjeku.
Tregtari në Pogradec shprehet se me mbylljen e biznesit të tij ka pasur shumë dëme, pasi i ka mbetur stok malli i dimrit. Ai është shumë pak optimist për të ardhmen, por shprehet se "ia lë në dorë Zotit"
"Sot e kemi hapur për herë të parë, gjendja duket shumë e qetë, nuk ka asnjë rast, po punë nuk ka. Asnjë blerës nuk më ka ardhur deri më tani. Bllokimi i malli të dimrit, lëvizja e kufizuar, do ta kem shumë të vështirë. Vështirë se do shes diçka. Tani me Zotin, të shohim çdo ndodh", tha tregtari.
Pas më shumë se një muaji e gjysmë i mbyllur, dyqanet e pakicës kanë nisur aktivitetin e tyre. Për Report Tv, një tregtare që shet qelqurina është shprehur optimiste, duke thënë se i kanë ardhur blerësit e parë. Sipas saj, kanë qenë të ndërgjegjësuar, pasi kanë zbatuar protokollin e sigurisë.
"Që më datën 11 mars e kemi mbyllur, sot është dita e parë me bismilah, sapo hapëm dyqanin filluan shitjet. Kam marrë leje, plus me maska, doreza, distanca. Klienti i parë që më ka hyrë ishte shumë i rregullt, ka ndërgjegjësim nga ana e klientëve. Dëme ekonomike ka se ne jemi dyqan me qira, të mos llogarisim fitim vetjak. Sot një lëvizje e paparë", tha tregtarja.
Pas një muaji e gjysmë i mbyllur në shtëpi, i moshuari nuk "ngopet" me diellin. Ai duhet të ishte në shtëpi, sipas rregullave të reja që janë vënë në zbatim në zonat e gjelbërta, ku bën pjesë edhe Pogradeci, por i moshuari për Report Tv shprehet se do qëndrojë edhe një gjysmë ore dhe do rikthehet në shtëpi.
"Do qëndroj dhe nja gjysmë orë. Ka dal rinia dhe pleqëria. Po i respektojmë, por ngaqë kemi ndenjur shumë në shtëpi, 2 muaj e pak, duket sikur na jep jetë", tha i moshuari.
Saranda është një nga ato qytete, që nga sot i është rikthyer jetës normale, gati 50 ditë që prej fillimit të pandemisë në vendin tonë. Nga videot duket qartë se lëvizja e qytetarëve në rrugë, por edhe e automjeteve ngjan si një ditë e zakonshme.
Edhe taksitë janë rikthyer në vendqëndrimin e tyre të caktuar, ndërsa çdo biznes ka ngritur qepenat.
Sakaq shëtitorja buzë detit sot duket fiks si në një ditë pranvere, me qytetarët të cilën e kanë populluar dhe sërë prej tyresh lëviznin me bluzë me mëngë të shkurtra. Gjithsesi ajo që bën përshtypje është se disa qytetarë lëvizin pa asnjë masë mbrojtëse, qoftë edhe maskë.
E vetmja gjë që mungon për hapjen e plotë të Sarandës është rifillimi i shkollave, që me siguri vendimi do të merret në rang vendi.
Gjirokastra është një nga zonat e gjelbërta, ku nga kjo e hënë kanë nisur zbatimin masat e reja lehtësuese. Edhe pse një zonë kufitare, në këtë qytet nuk është regjistruar asnjë rast dhe sot pas më shumë se një muaji e gjysmë, qytetarët e po shijojnë "lirinë".
"Shumë mirë, bravo i qoftë neve jemi të mrekullueshëm"
"Vendim shumë i mirë, pa sëmundje jemi, pa probleme, i vëjmë lavdi Zotit që të iki sa më shpejt ky virusi"
"Po, jam i kënaqur, të jemi mirë, mos ta kemi këtë sëmundje"
"Masat duken shumë mira, kam dalë dhe herë të tjera për nevoja familjare"
"Gjirokastra s'ka gjë. E ka menduar shumë mirë, të punojnë njerëzit, të lëvizë ekonomia, të dalin njerëzit nga depresioni", shprehen për Report Tv disa nga qytetarët.
Xhaxhi Saliu nuk pyet me per Drilonin tani ,pushimet mund ti beje edhe ne <<Hene>> po te doje se per ate luftoi dhe punoi per 30 vjet,kurse Lulushi ka Hollanden,Likja preferon ku leh qen e ku del tym,ku ja ben daullja bum.
PërgjigjuHabi Si ka mundesi qe ska vajtur xhaxhi Iliri me Lulushken dhe kompanine e tije ..mungonka dhe varka ne Voloreke me Saliun dhe Femijet e xhaxhit ..
Përgjigju