Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak, me rastin e shënimit të 27-vjetorit të Masakrës së Reçakut, duke nderuar viktimat e njërit prej krimeve më të rënda të kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.
Gjatë homazheve, Kurti theksoi se Masakra e Reçakut ishte moment kyç në ndërgjegjësimin e opinionit ndërkombëtar për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin e kryer nga shteti serb ndaj popullit shqiptar në Kosovë.
“Para 27 vjetëve këtu nga Reçaku, nëpërmjet ambasadorit William Walker u jehua e vërteta për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe krimin e gjenocidit të kryer nga Serbia si shtet ndaj popullit shqiptar në Kosovë. Pas Masakrës së Reçakut u ndërgjegjësua dhe u mobilizua opinioni publik ndërkombëtar dhe kancelaritë diplomatike perëndimore,” tha Kurti.
Ai shtoi se masakra e Reçakut është ende një plagë e hapur, e cila ende pret drejtësi, duke ritheksuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të ndjekur penalisht autorët e krimeve.
“Jemi këtu për të shprehur dhembjen tonë, por njëkohësisht edhe përkushtimin tonë se gjithmonë do të jemi të angazhuar për t’i sjellë kriminelët para gjyqit dhe për t’i ndëshkuar për mizoritë e kryera para 27 vjetësh,” u shpreh Kurti teksa shtoi lavdi 45 martirëve të Reçakut dhe 11 dëshmorëve të kombit, të udhëhequr nga komandanti Ahmet Kaçiku.
Lajmi kryesor:
15 janari i përgjakur i Kosovës! Krerët e shtetit homazhe në 27-vjetorin e Masakrës së Reçakut! Begaj: Përkujtojmë dhe nderojmë martirët e saj!






