Foto: Elisa Spiropali

Elisa Spiropali ka kujtuar 28-vjetorin e rënies heroike të familjes Jashari në Kosovë, një nga ngjarjet më të dhimbshme të historisë së Kosovës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale Spiropali thekson se ajo që ndodhi në Prekaz preku ndërgjegjen e botës.

Spiropali shton se sot e kujtojnë këtë ngjarje me respekt të thellë, dhe se qëndresa e familjes Jashari u bë simbol i një populli të tërë.

Postimi i plotë:

Prekaz! Ka ngjarje që ndryshojnë rrjedhën e historisë. Prekazi është njëra prej tyre.

Në marsin e vitit 1998, familja Jashari, me në krye komandantin legjendar Adem Jashari, u përball me një makineri të tërë dhune shtetërore dhe zgjodhi të mos dorëzohej. Ishte një sakrificë e paimagjinueshme njerëzore, por edhe një akt që e bëri të qartë se liria dhe dinjiteti i një populli nuk mund të shtypen me forcë.

Ajo që ndodhi në Prekaz preku ndërgjegjen e botës. Tragjedia dhe heroizmi i kësaj familjeje e bënë të pamundur që drama e Kosovës të mbetej më në heshtje shurdhuese. Qëndrimi në kancelaritë perëndimore filloi të ndryshojë dhe çështja e Kosovës mori vendin që i takonte në vëmendjen ndërkombëtare, duke na kujtuar se sakrifica është themeli i lirisë.

Sot e kujtojmë Prekazin me respekt të thellë. Sepse ajo sakrificë nuk është vetëm një kapitull i dhimbshëm i historisë sonë – është edhe momenti kur qëndresa e një familjeje u bë simbol i një populli të tërë.

Lavdi përjetë Adem Jasharit, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë.


Lajmi kryesor:

Epopeja e UÇK-së, Kosova shënon sot 28 vjet nga rënia heroike e Jasharëve! Osmani: Histori që vazhdon të jetojë si frymëzim dhe si udhërrëfyes për brezat