Numri i aksidenteve rrugore në vend mbetet shqetësues, edhe pse shifrat tregojnë një rënie të lehtë në fillim të vitit.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, gjatë muajit mars 2026 janë regjistruar 89 aksidente rrugore, ku 117 persona kanë mbetur të vrarë ose të plagosur. Numri më i lartë i aksidenteve është shënuar në Tiranë me 42 të tilla, ndjekur nga Vlora, Lezha dhe Fieri.

Numri më i lartë i viktimave dhe të plagosurve gjatë muajit që lamë pas, u regjistrua në Tiranë, me 48, ndjekur nga Vlora dhe Lezha me 17 dhe Fieri me 13.

Për periudhën janar-mars 2026 janë regjistruar 282 aksidente, duke shënuar një ulje me 6.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe numri i personave të aksidentuar ka rënë, nga 424 në 391.

Shkaku kryesor i aksidenteve mbetet faktori njeri. Sipas INSTAT, 86.5% e aksidenteve në mars kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së shoferëve

Të dhënat e INSTAT konfirmojnë se të rinjtë janë ata që përfshihen më shpesh në aksidente, ndërsa grupmosha 25-34 vjeç është grupmosha që mban peshën kryesore të këtyre ngjarjeve.

Edhe dita dhe ora kanë ndikimin e tyre, sipas të dhënave të INSTAT.

E enjtja rezulton dita më problematike, me 18% të aksidenteve, ndërsa e diela është më e qeta me vetëm 9%. Sa i përket orarit, kulmi i aksidenteve regjistrohet mes orës 17:00-19:00, kur ndodhin 23.6% e tyre.

Në nivel qarqesh, në  periudhën janar-mars 2026. numrin më të lartë të aksidenteve e ka Tirana me 122 aksidente , ndjekur nga Lezha me 34, Vlora me 25, Durrësi me 19, Korça me 18, Kukësi me 14  aksidente, Shkodra me 15 dhe Fieri me 11 aksidente.

Sa i përket viktimave dhe të plagosurve nga këto aksidente, në tre mujorin e parë të vitit kryeson Tirana me 143, Lezha me 68, Vlora me 39 dhe Durrësi me 29.