Të martën e 28 tetorit, 3 qytetarë humbën jetën, njëri turist në qytetin e Beratit, i cili u vra nga një 63- vjeçar se i preku kalin, në Tiranë kolegu qëlloi 3 herë me thikë kolegun se e bullizonte, ndërsa në Durrës djali vrau babanë se u kapën me fjalë në tavolinën e bukës.
Lidhur me këto vrasje eksperti e Sigurisë, Artan Rexhepi, i ftuar në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv, tha se shoqëria në Shqipëri është tensionuar, ndërsa sipas tij faktor ndikues janë edhe problemet e shëndetit mendor të cilat janë në rritje.
‘Ngjarjet janë skandaloze në të trija vrasjet. Lidhen me probleme të shëndetit mendore që do ta trajtojnë specialistët dhe për mua është edhe përdorimi i lëndëve narkotike, duhet që ti bëhen teste autorëve për lëndë narkotike. Në rastin e atij autorit që kishte kalin në Berat duhet parë çështja e parashkrime të veprës penale ti vret një njeri dhe pastaj rri si një qytetarë i lirë. Pjesa tjetër është që shoqëria është tensionuar shumë, ndikon edhe pjesa ekonomike’, tha ai.
Për sociologen Entela Binjaku, problem tek të rinjtë që përfshihen në krime mbeten përdorimi i lëndëve narkotike. Ninjaku theksoi se vlera e jetës së njeriut në Shqipëri ka humbur.
‘Janë të moshave të ndryshme dhe nuk janë gjithmonë të rinjtë që janë të përfshirë në krime, por edhe mosha më të mëdha. Përdorin shumë edhe armë të ftohta. Shqetësim për të rinjtë po bëhen përdorimi i substancave narkotike, që kërcënim real kanë varësinë problemet vijnë zinxhir. Në ngjarjet dje shqetësimi më i madh është si ka mundësi të iki njeriu kështu, kaq pak vlera ka jeta e një personi në Shqipëri. Krimi në radhët e shoqërisë është një realitet që meriton shumë seriozitet. Qytetari i zakonshëm i cenohet siguria nga nuk e pret.
Rasti i Beratit që shkoi për të vizituar qytetin dhe vritet në sy të fëmijëve është e rëndë, nga kjo mbetet me trauma edhe fëmija. Është e paimagjinueshme që fëmija të vrasë babin, ose të vritet babi në sy të fëmijës. Shkaqet janë pak më thellë se kaq. Ai që vrau babin thoshte se kishte ardhur nga emigrimi dhe ishte i papunë, dukej që kishte pasur edhe mosmarrëveshje të vazhdueshme. Distancat në kohë, fakti që nuk po jetojnë bashkë i bënë më indiferent, ka humbur komunikimi’, tha ajo.
Komente








