30 faktet kompromentuese rreth dosjes CEZ të injoruara nga gjyqtari Lazër Sallaku, përpjekjet 3-vjeçare për mbylljen e aferës 400 milionë euro

Lazër Sallaku, një gjyqtar pa Veting, mbylli këtë të premte dosjen e një prej abuzimeve më të mëdha në historinë e pluralizmit shqiptar, atë të privatizimit të dukshëm korruptim të OSSH, shoqërisë më të madhe shtetërore në fushën e energjisë, nga qeveria e Sali Berishës, duke shkarkuar mbi 400 milionë euro dëm ekonomik në kurriz të shqiptarëve. Përpjekjet për të mbyllur dosjen e kalimit të OSSH në duart e CEZ në vitin 2009 nga qeveria Berisha, kanë nisur që në shtator të 2017, kur prokurorja Alma Bramo iu drejtua Gjykatës së Tiranës për pushtimin e çështjes, me pretendimin se nuk kishte elemente të veprës penale. Gjykata e ktheu në atë kohë për hetim më të thelluar. Pingpongu ka vijuar deri në janar të këtij viti, kur mbyllja e aferës të CEZ u finalizua nga gjyqtari Lazër Sallaku, i cili disa ditë më parë kishte mbyllur edhe dosjen e Lulzim Bashës për lobim me para të pajustifikuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të kallëzuar si të përfshirë historinë e privatizimit korruptiv të OSSH ishin ish-kryeministri Sali Berisha, i biri i tij Shkëlzen Berisha, për lidhje të dyshuara me sekserin kryesor Nuel Kalaj, ish-ministrat Ridvan Bode, Florion Mima, Genc Ruli si dhe disa ish-zyrtarë të tjerë, bashkëpunëtorë të Berishës si Neritan Alibali, Enno Bozdo, Mimoza e Vokshi dhe Suzana Guxholli. Shqiptarja.com sjell në vëmendje shkeljet më flagrante, faktet dhe rrethanat, të cilat janë injoruar nga gjykatësi Lazër Sallaku, në vendimin e tij në mbylljen e dosjes CEZ, me kosto 400 milionë euro për buxhetin e shtetit shqiptar. Shkelja më e rëndë është konsumuar që me hapjen e procedurave të privatizimit. Qeveria ‘Berisha’ ka hapur procedurat për privatizimit të OSSH, të një shoqërie shtetërore me një vlerë kaq të madhe, në një kohë kur ende nuk kishte përfunduar inventarizimin i aseteve të OSSH. Jo vetëm kaq, por një dokument zyrtar i vitit 2008, që mban firmën e ish-kryeministrit Sali Berisha, tregon se si një numër pronash shtetërore kaluan në mënyrë të pajustifikuar në varësi të Operatorit të Shpërndarjes, në momentin kur shitja e tij tek CEZ ishte paracaktuar.

Edhe shpallja fituese e kompanisë CEZ në këtë proces tenderimi nga KVO si dhe miratimi i raportit nga KVO për shpalljen fituese të ofertës së paraqitur nga CEZ është bërë në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, duke dëmtuar rëndë interesat e shtetit. Po ashtu, është ulur në kundërshtim me ligjin garancia e ofertës së CEZ-it. Ajo duhej të ishte në vlerën e 40 milionë $, por me anë të VKM 1170 dt. 13.8.2008 u vendos të ishte në vlerën e 5 milionë €. Gjykatësi injoron rolin e sekserit Nuel Kalaj. Dokumentet vërtetojnë se Nuel Kalaj ishte ndërmjetësi kyç mes qeverisë Berisha dhe përfaqësuesve të CEZ. Ai mori 7 milionë euro në Tiranë dhe ia mbathi nga Shqipëria. Në vijim, CEZ është favorizuar me lëvizjet e çmimit të energjisë. Është ulur çmimi i energjisë që KESH ia shiste CEZ, ndërsa nga ana tjetër, është rritur çmimi i energjisë që CEZ ua shiste qytetarëve shqiptarë. Edhe në periudhën fundore të heqjes së licencës së CEZ janë gjetur plot shkelje që kanë të bëjnë me sjelljen e institucioneve shqiptare në favor të CEZ. 

30 faktet rreth dosjes CEZ të injoruara nga gjykatësi Lazër Sallaku
1.    Lëvizjet e para të fshehta për privatizimin e OSSH, shoqërisë më të madhe shtetërore në fushën e energjisë, kanë nisur që në vitin 2005, tre vite më përpara se sa koha që pretendon qeveria “Berisha”. Shtetasi Hamza Merxhani rezulton si ndërmjetësi parë, i cili tentoi, por pas sukses, të ndërmjetësonte një marrëveshje mes qeverisë “Berisha” dhe çekëve, për shitjen e OSSH. Merxhani ka pranuar një takim me ish-ministrin e METE, Genc Rulin, por për të njëjtën çështje, po punonte paralelisht Nuel Kalaj, i cli shumë shpejt e nxori Merxhanin jashtë loje.

2.    Qeveria ‘Berisha’ ka hapur procedurat për privatizimit të OSSH, të një shoqërie shtetërore me një vlerë kaq të madhe, në një kohë kur ende nuk kishte përfunduar inventarizimin i aseteve të OSSH.

3.    Një dokument zyrtar i vitit 2008, që mban firmën e ish-kryeministrit Sali Berisha, tregon se si një numër pronash shtetërore kaluan në mënyrë të pajustifikuar në varësi të Operatorit të Shpërndarjes, në momentin kur shitja e tij tek CEZ ishte paracaktuar.

4.    Edhe në fazën e miratimit të raportit nga KVO kemi shkelje të tjera. Shpallja fituese e kompanisë CEZ në këtë proces tenderimi nga KVO si dhe miratimi i raportit nga KVO për shpalljen fituese të ofertës së paraqitur nga CEZ është bërë në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, duke dëmtuar rëndë interesat e shtetit.

5.    Janë pranuar të gjitha kërkesat e ofertuesit CEZ, nga komisioni i negocimit, duke prekur kushtet minimale të detyrueshme të performancës teknike, duke favorizuar në mënyrë të padrejtë CEZ. 

6.    CEZ, kur ka hyrë në procesin e konkurrimit ka dhënë një ofertë krejtësisht të ndryshme nga oferta e miratuar e shitjes së aksioneve të OSSH. 

7.    Nuk ishte vendos një çmim dysheme për këtë procedurë privatizimi.

8.    Mospërgatitja e legjislacionit të duhur për këtë lloj privatizimi. Pra, legjislacioni nuk ishte i plotë. Privatizimi është bërë pa rregullimet ligjore. 

9.    Banka Botërore dhe Komisioni Europian kanë konstatuar se procesi i privatizimit ka qenë i nxituar.

10.    Nuk ishin zgjidhur marrëdhëniet e detyrimeve ndërmjet KESH-it dhe OSSH-së.

11.    Nuk është zbatuar parashikimi ligjor lidhur me trajtimin e 24% aksioneve të OSSH-së të cilat i mbeteshin në pronësi Shtetit Shqiptar, pas privatizimit të 76% të aksioneve nga CEZ-i.

12.    Nuk është zbatuar parashikimi ligjor lidhur me përdorimin e të ardhurave nga ky privatizim.

13.    Në vitin 2009, OSSH-së iu fshinë disa detyrime te bankat, ndërsa disa asete të KESH-it, i kaluan CEZ-it. Pra, kompanisë iu rrit vlera dhe çekët përfituan disa avantazhe, aq sa çmimi final i blerjes së OSSH-së nuk ishte më 102 milionë euro sa thuhet zyrtarisht, por në fakt më pak se 40 milionë euro.

14.    Në 2009, qeveria Berisha mori dy vendime, të cilat i lejuan CEZ-it të blinte energji elektrike të KESH me çmim favorizues. CEZ blinte energji me çmim të lirë tek KESH, organe i shtetit shqiptare, ndërsa u shiste shqiptarëve më shtrenjtë.

15.    Në janar të 2010, ish-drejtori i CEZ në Shqipëri, Josef Hejsek, i dërgon një e-mail nëndrejtorit të CEZ-it në Pragë, Tomas Pleskac, rreth një takimi të planifikuar me ish-kryeministrin Berisha dhe djalin e tij, Shkëlzen Berisha, me ndërmjetësimin e Nuel Kalajt. Ky dokument konfirmon rolin e Nuel Kalajt si sekser. 

16.    Në periudhën janar 2008-qershor 2009, në llogarinë e Nuel Kalajt kanë kaluar 7 milionë euro nga CEZ. 

17.    Sekseri Nuel Kalaj, dëshminë e të cilit prokuroria nuk e siguroi dot, tërhoqi paratë në Tiranë dhe u largua nga Shqipëria pa kontrolluar, pa u ndaluar dhe madje pa u regjistruar fare në kufi. Për paratë nuk kishe asnjë dokument për punë të kryer. 

18.    Askush nuk e ndaloi Nuel Kalaj me 7 milionë euro në çantë. Sot në kufi ndalohesh edhe për 30 mijë euro. Nga viti 2006 deri në 2012, Kalaj ka bërë rreth 100 lëvizje jashtë Shqipërisë. Por që kur nisën hetimet për dosjen CEZ, ai nuk u shfaq më. 

19.    Dokumentet tregojnë se anë përfshirë në proces negocimi të personave të palicencuar, me kontrata negocimi vetëm me kompaninë CEZ sikurse është rasti i shtetasit Nuel Nik Kalaj. Veprimet e tyre kanë ndikuar në vendimmarrjen e institucioneve publike në dëm të interesave të shtetit shqiptar dhe në dobi të interesave të kompanisë CEZ.

20.    Më pas, ish-drejtori i kompanisë CEZ në Shqipëri, Josef Hejsek, në 17 nëntor të vitit 2011, i raporton Nuel Kalajt lidhur me përpjekjet për të bindur qeverinë “Berisha” për t’i njohur CEZ-it rritjen e nivelit të borxhit të keq, në kundërshtim me dy vendime qeveria, të cilat rregullonin procesin e privatizimit të OSSH, duke mos lejuar rillogaritjen e borxhit të keq në dëm të buxhetit të shtetit. Dokumenti tregon për rolin aktiv të sekserit Nuel Kalaj. 

21.    Pas kësaj lutjeje-ankese të Josef Hejsek ndaj Kalajt për ndërhyrje, ish-kryefinancieri Ridvan Bode del edhe garant i skemës së favorizimit të CEZ me anë të njohjes së rritjes së borxhit të keq nga 4 për qind në 16.85 për qind. Me shkresën Nr. 4512 / 3, datë 5. 04. 2012, Ridvan Bode mbështet Entin Rregullator të Energjisë për t’i njohur rritjen e borxhit të keq CEZ, në kundërshtim me dy vendime qeverie.

22.    Pasojat financiare nga rivlerësimi i borxhit të keq për periudhën 31.12.2007-31.05.2009, sipas deklaratës rregullatore, kanë qenë 13 miliardë, 603 milionë, 704 156 lekë, ose e thënë ndryshe, rreth 110 milionë dollarë, me vlerën aktuale të shkëmbimit të valutor.

23.    Në vitin 2010, ERE vendosi të rriste çmimin e energjisë elektrike me 13 për qind për familjet shqiptare, ndërsa kompania u tolerua për mosrespektim afatesh në vendosjen e sahateve, duke lejuar faturimin aforfe për mijëra familje.

24.    Dëmi i shkaktuar nga ngritja e çmimit në pakicë 2010-2014 vendimi i ERE-s nr. 100, datë 15.02.2010, çmimi mesatar rritet nga 8,45 në 9,53 lekë, është 200 milionë dollarë.

25.    Dëmi i shkaktuar nga kompensim, diferencë tarifë shitjeje energjie për vitin 2009 është 379 milionë lekë.

26.    Dëmi i shkaktuar për efekt të ndryshimit të tarifës së shitjes së energjisë në vitin 2011, për efekt të ndryshimit të humbjeve nga 32% në 34,65%, është 2 miliardë, 871 milionë, 232 mijë e 945 lekë, ose 22 milionë dollarë.  

27.    Dëmi i shkaktuar për efekt të ndryshimit të tarifës së shitjes së energjisë për vitet 2012-2014, për efekt të rritjes së borxhit të keq, nga 14% në 16,85% është 8 milionë dollarë.

28.    Dëmi i shkaktuar për efekte të rregullimit të çmimit të marrëveshjes është rreth 12 milionë dollarë.  

29.    Dëmi i shkaktuar për falje të detyrimeve, kredi afatgjate me anë të një VKM-je që ju keni marrë në vitin 2009, shkon diku te 50 milionë dollarë.

30.    Në periudhën fundore te heqjes së licencës së CEZ janë gjetur plot shkelje që kanë të bëjnë me sjelljen e institucioneve shqiptare në favor të CEZ. Mos veprimi i strukturave përkatëse pas heqjes së licencës, duke mos vlerësuar asetet e CEZ, mosveprimi i fillimit të procedurave të shpronësimit të aksioneve dhe mos ndërmarrja e verimeve për hapjen e procesit gjyqësor ndërkombëtar, kanë dëmtuar rëndë pozitat e shtetit shqiptar në arbitrazhin ndërkombëtar, filluar vetëm nga CEZ dhe jo nga pala shqiptare.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Zadrima: 25/01/2020 17:38

    Po ku i lexon dot i shkreti Lazer Sallaku gjithe ato fashikuj me dokumente. Te kishte qene me i zgjuar nuk beri 7 vite per te mbaruar nje shkolle te larte. Shyqyr qe ishin plepat e Durresit e militantizmi partiak qe e bene gjyqtar Lazrin.

    Përgjigju
    • Kari: 06/02/2020 19:54

      Gjykata merr vendim bazuar ne fakte e prova, jo hamendje, dyshime e bindje politike. Apo, ju do te beni edhe prokurorin edhe gjykatesin?!

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

VKM e Qeverisë/ Ndryshon emri dhe numri i Këshillit Kombëtar të Territorit, nga 9 bëhet me 11 anëtarë! Shtohen Mbrojtja dhe Shëndetësia, tani do jetë KKTU

VKM e Qeverisë/ Ndryshon emri dhe numri i Këshillit Kombëtar të Territorit, nga 9 bëhet me 11 anëtarë! Shtohen Mbrojtja dhe Shëndetësia, tani do jetë KKTU