Trafiku në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Malit të Zi është përkeqësuar këtë të dielë duke krijuar një kolonë automjetesh mbi 20 kilometra, Sipas mediave kroate, udhëtarët, mes tyre edhe shumë shqiptarë, janë bllokuar prej mbi 10 orë ndërkohë që banorët pranë zonave të kufirit kanë hapur dyert duke u dhënë ujë dhe duke i lejuar të përdorin tualetin.
Bllokimi është krijuar si pasojë e fluksit të madh të automjeteve drejt Malit të Zi, procedurave të reja në kufi dhe kapaciteteve të kufizuara të pikave kufitare Debeli Brijeg dhe Konfin.
Për situatën reagoi këtë të dielë edhe ministria jonë e Jashtme duke njoftuar se rreth 300 mijë shtetas shqiptarë kalojnë çdo sezon veror përmes korridorit rrugor Kroaci-Mali i Zi, një nga akset më të përdorura nga ata që udhëtojnë drejt Shqipërisë me makinë.
Në njoftimin e saj, Tirana zyrtare thotë se është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet dhe institucionet përgjegjëse në Kroaci dhe Mal të Zi, me synimin që kalimi në kufi i shtetasve shqiptarë të jetë sa më i shpejtë dhe sa më i lehtë.
Në njoftim thuhet se, në përputhje me legjislacionin dhe procedurat në fuqi në secilin shtet, po punohet për shtimin e kapaciteteve në mënyrë që pritjet në pikat kufitare të minimizohen sa më shumë.
Ministria thekson se rritja e lëvizjeve gjatë sezonit turistik krijon ngarkesë të konsiderueshme për infrastrukturën dhe shërbimet kufitare, por shton se do të vijojë bashkërendimin me autoritetet përkatëse për të identifikuar zgjidhje praktike që lehtësojnë lëvizjen e qytetarëve shqiptarë deri në ditën kur hapësira Schengen të shtrihet tërësisht edhe në këtë pjesë të rajonit tonë.
Njoftimi i Ministrisë
"Rritja e ndjeshme e mobilitetit në rajon dhe flukset gjithnjë e më të mëdha të udhëtarëve që udhëtojnë drejt Shqipërisë me rrugë tokësore gjatë sezonit turistik shoqërohen, në periudhat e pikut, me pritje të gjata në pikat kufitare ndërmjet Kroacisë dhe Malit të Zi. Ky është një fenomen që, për shkak të volumit shumë të lartë të lëvizjeve, përsëritet pothuajse çdo verë, veçanërisht gjatë fundjavave dhe ditëve me fluksin më të madh.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe përfaqësitë tona diplomatike janë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet dhe institucionet përgjegjëse, me synimin që, në përputhje me legjislacionin dhe procedurat në fuqi në secilin shtet, kalimi i qytetarëve të jetë sa më i shpejtë dhe sa më i lehtë, duke shtuar kapacitetet për të minimizuar, në masën më të madhe të mundshme, pritjet në pikat kufitare.
Vetëm gjatë sezonit veror, rreth 300 mijë shtetas shqiptarë kalojnë përmes këtij korridori rrugor. Një volum i tillë lëvizjesh krijon, në periudha të caktuara, ngarkesa të konsiderueshme për infrastrukturën dhe shërbimet kufitare. Megjithatë, kjo nuk e zbeh angazhimin tonë për të bashkërenduar veprimet me autoritetet përkatëse, për të identifikuar zgjidhje praktike dhe për të lehtësuar sa më shumë lëvizjen e qytetarëve tanë, deri në ditën kur hapësira Schengen të shtrihet tërësisht edhe në këtë pjesë të rajonit tonë"
Një kolonë automjetesh mbi 20 kilometra është krijuar në jug të Kroacisë, në drejtim të kufirit me Malin e Zi, ndërsa banorët e zonës kanë nisur të ndihmojnë udhëtarët e bllokuar në trafik duke u shpërndarë ujë dhe duke i lejuar të përdorin tualetet në shtëpitë e tyre.
Sipas mediave kroate, pamjet e filmuara në Çilipi tregojnë një radhë pothuajse të palëvizshme automjetesh që shtrihet drejt kufirit. Sipas mediave kroate, kolona është më e gjatë se 21 kilometra, ndërsa shumë persona kanë dalë nga makinat dhe presin në anë të rrugës.

Mediat thonë se pritjet në kufi arrijnë deri në 10 orë, ndërsa sipas informacioneve jozyrtare nga terreni, disa udhëtarë pretendojnë se kanë pritur edhe deri në 28 orë.
Bllokimi është krijuar si pasojë e fluksit të madh të automjeteve drejt Malit të Zi, procedurave të reja në kufi dhe kapaciteteve të kufizuara të pikave kufitare Debeli Brijeg dhe Konfin. Si pasojë, trafiku është përhapur në rrugët e Konavles, duke krijuar radhë kilometrike dhe pritje të gjata.
Problemi ka prekur edhe banorët e zonës, të cilët përdorin të njëjtat rrugë për lëvizjet e përditshme. Në disa raste, rrugët lokale janë bllokuar plotësisht, duke bërë që banorët të mos arrijnë në shtëpitë e tyre për orë të tëra.
Kryetari i Komunës së Konavles, Bozho Lasiç, tha se zona është praktikisht e paralizuar nga trafiku. Ai kërkoi masa urgjente nga institucionet përgjegjëse, duke theksuar se kontrollet kufitare duhet të mbeten prioritet, por pa lënë banorët të izoluar.
Për shkak të pritjeve të gjata dhe temperaturave të larta, në zonë është vendosur edhe një cisternë me ujë të pijshëm për t'u ardhur në ndihmë udhëtarëve. Ndërkohë, është aktivizuar edhe Shtabi i Mbrojtjes Civile i Komunës së Konavles, ndërsa banorëve u është bërë thirrje të shmangin udhëtimet e panevojshme me automjete deri në normalizimin e situatës.
Komente









