Sot shënohet 32-vjetori i rrëzimit të shtatores të ish-diktatorit Enver HoxhaIlir Dizdari, një ish student i vitit 1991 që ishte pjesë e grevës së urisë foli në Report Tv duke kujtuar se si të rinjtë u ngritën për të rrëzuar shtatoren e diktatorit.

Në një intervistë për gazetarin Andi Kapxhiu në “Shtypi i ditës dhe ju”, Dizdari u shpreh se gjithçka ishte spontane dhe e paorganizuar. Teksa komenton të rinjtë e sotëm, thotë se i vjen keq që nuk reagon ndaj sistemit. Dizdari thotë se në kohën e vet bëri gjënë e duhur në kohën e duhur.

Sa i përket situatës aktuale në vend, Dizdari thotë se nuk i beson lëvizjes së Berishës për ‘revolucion’ ndërsa shprehet se ne nuk kemi forcë politike të djathtë, por 2 forca politike të majta.

“Kam qenë brenda grevës së urisë. Protesta ishte tërësisht spontane dhe greva e urisë ishte e pakonceptueshme. Kanë qenë më shumë se 1200 persona brenda grevës. Qytetaria erdhi dhe pyeti ku është problemi dhe e gjitha u zbraz te shtatorja që e sollën te neve e thanë dilni tani. U bënë dhe zgjedhjet e reja.

Kur ti bën gjënë e duhur në kohën e duhur nuk ka pse të vijë keq për asgjë. Mua më vjen keq për rininë e sotme se unë në rininë time bëra në kohën e duhur, gjënë e duhur. Nuk pranova që në diplomën time si inxhinier të shkruhej emri i diktatorit. Ne refuzuam sistemin dhe gjithçka ishte. Ne e kemi bërë veprimin tonë. Reagim qytetar për problematikat që kemi në vendin tonë, qytetarët nuk e kanë bërë. Demokraci do të thotë të protestosh shumë dhe të bindësh pak. Ne nuk e kemi këtë nivel qytetarie që të protestojmë për të drejtat tona. Do të besoja te lëvizja e Berishës nëse do kërkonte falje nëse do bënte ndryshimet kushtetuese të 2008. Ne nuk kemi të djathtë, por 2 të majta”, tha Dizdari.

Ndër të tjera, Dizdari shprehet se zhvillimi i Shqipërisë vjen vetëm me largimin e klasës politike aktuale. Ai thotë se mungon kontributi i të rinjve ndërsa sipas tij, opozita është e bllokuar.

“E gjithë kjo histori ishte se ajo klasë politike që po ndërtohej kishte qenë pjesë e privilegjuar e sistemit. Në momentin që ndodhi thyerja. Ishte ngjarje pikante në historinë shqiptare, e bërë nga një grup të rinjsh që kërkuan ndryshim që në thelb nuk erdhi plotësisht. Ne shohim se e gjithë kjo që ndodh sot ka lidhje me të shkuarën. Që të shohim përpara drejt zhvillimit dhe ta bëjmë Shqipërinë, duhet që kjo klasë politike të largohet. Kemi vendosur disa piketa jo pozitive dhe kjo është arsyeja e largimit të të rinjve. Në ’92 kemi qenë shtet me moshë mesatare 27 vjeç. Po mungon kontributi i të rinjve në Shqipëri. Kjo që po ndodh sot është bllokim i opozitës”, tha Dizdari.

Rrëzimi i bustit të diktatorit ishte nga ngjarjet më të spikatura që ndikuan në rënien totale të regjimit komunist në Shqipëri. E gjitha u nxit nga greva e urisë e ndërmarrë nga disa qindra studentë për t’i hequr universitetit emrin e tij.