Sektori i ndërtimit ka hyrë me ritme të larta në vitin 2026. Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se gjatë tremujorit të parë të vitit janë miratuar 322 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, duke shënuar një rritje prej 24,8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, kur u dhanë 258 leje.

Paralelisht me shtimin e numrit të lejeve, është zgjeruar edhe sipërfaqja e planifikuar për ndërtim. Në tre muajt e parë të vitit sipërfaqja totale e ndërtesave të reja arriti në 377.061 metra katrorë, 12,5% më shumë se një vit më parë, kur ishte 335.137 metra katrorë.

Edhe vlera e investimeve të miratuara vijon të mbetet në nivele të larta. Sipas INSTAT, vlera e përafërt e projekteve të miratuara, që përfshin ndërtesat dhe punimet inxhinierike, arriti në 20,4 miliardë lekë, me një rritje prej 1,6% krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025.

Ndërtimet për banim vazhdojnë të dominojnë tregun. Nga 322 lejet e miratuara, 237 i përkasin ndërtesave rezidente, me një sipërfaqe totale prej 185.608 metrash katrorë dhe një vlerë ndërtimi prej rreth 8,7 miliardë lekësh. Brenda këtij grupi, pjesën më të madhe të sipërfaqes e zënë rezidencat për komunitete, me 18 leje dhe 133.378 metra katrorë ndërtim.

Ndërkohë, 85 leje janë dhënë për ndërtesa jo-rezidente, të cilat përfshijnë hotele, objekte tregtare, zyra dhe ndërtesa industriale. Këto projekte përfaqësojnë një sipërfaqe prej 191.453 metrash katrorë dhe një vlerë investimi prej afro 4,9 miliardë lekësh.

Brenda këtij segmenti, ndërtesat industriale zënë peshën kryesore me 35 leje dhe 127.829 metra katrorë sipërfaqe. Pas tyre renditen hotelet dhe strukturat e ngjashme me 13 leje dhe 41.583 metra katrorë, duke treguar se investimet në turizëm vijojnë të mbeten aktive.

Përveç ndërtesave, një pjesë e konsiderueshme e investimeve është orientuar edhe drejt punimeve inxhinierike. Projektet për infrastrukturën e transportit, rrugët dhe autostradat përbëjnë kategorinë kryesore, me një vlerë prej rreth 1,67 miliardë lekësh për ndërtimet e reja dhe 2,46 miliardë lekë për rikonstruksionet. Investime të tjera janë miratuar edhe për linjat e ujësjellësit, energjisë elektrike dhe telekomunikacionit.

INSTAT sqaron se statistikat për tremujorin e parë të vitit 2026 bazohen vetëm në raportimet e bashkive, të cilat janë autoritetet kryesore që japin lejet e ndërtimit. Instituti nënvizon se po punohet për përfshirjen e të gjitha institucioneve përgjegjëse në një sistem të unifikuar raportimi, në mënyrë që të dhënat e ardhshme të pasqyrojnë të gjithë aktivitetin e lejeve të ndërtimit në vend.