TIRANË- Ish-kryebashkiaku socialist i Kavajës, Elvis Roshi është paraqitur sot në SPAK bashkë me avokatin e tij. Roshi është marrë i pandehur lidhur me një kallëzim që KLSH ka bërë ndaj tij për parregullsi me tenderat në Bashkinë e Kavajës.

Roshi u kallëzua 10 vite më parë në Prokurorinë e Kavajës nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) në shtator të vitit 2015, ku ai dhe 10 zyrtarë të tjerë dyshoheshin se kishin shkaktuar një dëm ekonomik prej 33 milionë lekësh me tenderat e rikonstruksionit të qendrës së qytetit dhe ndërtimin e disa rrugëve.

Shkeljet u zbuluan pas një auditi të kryer në Bashkinë e Kavajës për periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Në listën e shkeljeve u renditën 12 tendera, të zhvilluar kryesisht për rikonstruksionin e qendrës së qytetit, të disa rrugëve lidhëse dhe mbjelljen e pemëve dekorative.

Në dy raste, KLSH e akuzoi bashkinë e Kavajës se ka ndjekur standard të dyfishtë në vlerësimin e pjesmarrësve në tenderë, duke skualifikuar operatorin me ofertën më të ulët.

Për 3 tenderë të tjerë, u konstatua se ofertuesi me çmimin më të ulët është skualifikuar padrejtësisht si rezultat i llogaritjes së gabuar të ofertës. Çështja shkoi më pas në Prokurorinë e Durrësit e cila kërkoi ta mbyllte, por një vendim i GJKKO vitin e kaluar urdhëroi hetimin e dosjes nga SPAK.

lajm ne perditesim...