36 vjet më parë më 17 tetorin e vitit 1979, bamirësja e njohur me origjinë shqiptare, Nënë Tereza, u nderua me Çmimin Nobel për Paqen.
 
Çmimi nga juria ndërkombëtare e Akademisë së Shkencave të Suedisë e ngjiti shqiptaren Gonxhe Bojaxhi në tribunën e njerëzve më të shquar të botës nga të gjitha fushat.
 
Anjezë Gonxhe Bojaxhiu e njohur si Nënë Tereza lindi në Shkup më 26 gusht të vitit 1910 dhe vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkuta, (Indi), ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen, kurse më 19 tetor të vitit 2003 u shpall e bekuar nga Vatikani.
 
Nënë Tereza u bë një nga urat ndërlidhëse të njohjes së shqiptarëve në botë. Bill Clinton është shprehur në qershor 2002: “Nënë Tereza, ishte e para Ajo qe më bëri ta dua kombin shqiptar. Dhe tani ndihem shumë krenare që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë”.
 
“Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë.  Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri” deklaronte Nënë Tereza.
 
Por Shqipëria heshtte. Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë nuk i kishte dhënë vizë nobelistes së ardhshme as sa për të parë nënën e saj që jetonte në Tiranë, as për te marrë pjesë në varrimin e saj më 1974, as për të parë varrin.
 
Madje këtë vizë nuk ia dhanë as kur fama e saj kishte marrë dhenë në të katër anët e botës deri në fillim të viteve '90. Shqiptarja trupvogël ishte kthyer në një legjendë të gjallë.
 
Ajo ishte nënë kujdestare e 7,500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960,000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë qe trajtonte 47,000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3,400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitimë e bonjakë.
 
Pas marrjes së çmimit në Oslo, Nënë Tereza më 1979 deklaronte “E kam më të lehtë të mjekoj një të gërbulur, sesa të përgjigjem në një intervistë.
 
Duhet të them se pranoj të shkoj në ceremoni të ndryshme publike, vetëm sepse më krijohet mundësia t’u flas për Jezusin njerëzve, të cilët nuk dihet në se do të kishin ndonjë rast tjetër për të dëgjuar fjalën e Zotit.
 
Sot për sot, arma më e rrezikshme kundër paqes, është aborti. Shumëkush interesohet për fëmijët e Indisë e të Afrikës, ku vdesin me mijëra nga mungesa e ushqimit.
 
Por në vende të tjera miliona fëmijë mbyten nga vetë prindërit e tyre.
 
E nëse një nënë mbyt fëmijën e vet, pse u dashka të çuditemi, kur njerëzit ia marrin shpirtin njëri-tjetrit?!”. Duke kaluar nëpër Romë, gjatë udhëtimit të kthimit,
 
Ati i Shenjtë Papë më tha: “Mos harro të flasësh si në Oslo, kudo që të shkosh!”, ka treguar ajo mbi atë ditë të veçantë në jetën e saj.
 

d.b/shqiptarja.com