Protesta qytetare sot shënon ditën e 37-të e nuk prodhoi asgjë ndryshe nga ditët e kaluara. Nga sheshi ‘Skënderbej’ te kryeministria, me radhë qytetarë e aktivistë u ngjitën në foltore ku folën për probleme të ndryshme.

Aktivisti Andi Tepelena, gjithashtu pjesë e grupit organizator të protestës, iu drejtua SPAK-ut duke i kërkuar të hetojë librin ‘Albanian Files’ që përmbledh investimet e planifikuara për në Shqipëri gjatë viteve të ardhshme. Protestuesit e kanë dorëzuar në SPAK libirn disa ditë më parë, ndërsa thonë se ‘Albanian Files’ është provë e krimeve të Edi Ramës.

“Kemi dorëzuar dosjen Albania Files, aty përmblidhet i gjithë krimi i Ramës. Vepro SPAK, çfarë bëhet me dosjet, çfarë bëhet me Belinda Ballukun, bëjini publike transparent për shqiptarët. Parlamenti i krimit, është momenti të zhbëjë dy komisionet, elektorale dhe territoriale, janë pengmarrje e demokracisë”, tha Tepelena.

Ndër të tjera, aktivisti Tepelena i bëri thirrje të rinjve, intelektualëve e profesionistëve, që të mos presin zgjidhje vetëm nga mikrofoni i protestës, por të vetorganizohen nëpër grupe për ‘Shqipërinë e re’.

“I bëj thirrje të gjithë të rinjve e të rejave të organizohen ku janë. Mos të presin zgjidhje vetëm nga ky mikrofon. Të vetorganizohen, ne kemi nevojë për të rinj, idealistë e profesionistë. Mos të presin intelektualët zgjidhje nga ky mikrofon. Është e rëndësishme që profesionistët kudo që janë të japin zgjidhje për vendin”, tha Tepelena.

Nga foltorja foli dhe mamaja e Arbër Lleshit, një prej 19 të arrestuarve pas protestës së dhunshme përpara godinës së Kuvendit të enjten e kaluar. Ajo tha se i biri ka ende shenja në trup nga goditjet që ka marrë nga efektivët gjatë shoqërimit për në polici.

“Shenja te grushteve ne furgoni e policisë i ka dhe tani që është data 6. Edi Ramës po i them, ti kujton se do na trembësh me arrestimi ne fëmijëve tanë, përkundrazi. Jemi bërë dhe më të forta. Këtu do të jemi jo 37 ditë, po 37 javë, 37 muaj po deshe deri sa klasa politike e kalbur që e zhvati këtë popull, të shkoni në koshin e plehrave. Një kryeministër të tillë, nuk është parë në asnjë vend të botës”, tha ajo.

Pas përfundimit të fjalimeve, protestuesit kanë nisur marshimin. Ata kanë ndaluar te drejtoria e Policisë së Shtetit me thirrjet 'Policia e krimit', 'Hiqini kapelet'.

Nga foltorja u artikuluan përsëri të njëjtat kërkesa drejtuar Ramës dhe qeverisë së tij. Protesta fillimisht nisi si paqësore me qytetarë që kundërshtonin investimin prej 4 miliardë dollarësh në Zvërnec e kërkonin transparencë nga qeveria e Edi Ramës për shitjen e tokës. Ndërkohë tashmë ka pasur dhe episode dhune, kujtojmë këtu 2 rastet përpara Kuvendit, që kanë përfunduar me arrestime.

Nga bulevardi, protestuesit kërkojnë jo vetëm dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, por dhe largimin e Sali Berishës.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:20
Rama ndan fotot nga mbrëmja në kryeqytet, qytetarë të shumtë që shohin Botërorin në shesh dhe të tjerë që protestojnë: Kjo osht Tirona jon, Tirona kontradiktës

Kryeministri Edi Rama ka postuar në rrjetet e tij sociale foto nga protesta e 37-të para Kryeministrisë, krahas fotos së qytetarëve futbolldashës të cilët po ndjekin nga sheshi :Skënderbej" ndeshjen e Botërorit Portugali-Spanjë, që po zhvillohet paralelisht me tubimin.

Kreu i qeverisë thekson larmishmërinë e zgjedhjeve të qytetarëve në Tiranë duke shkruar “kjo osht Tirona jon, Tirona kontradiktës”.

“Live nga kryeqyteti i Europës së Ballkanit

Kjo osht Tirona jon, Tirona kontradiktës

E luftës, e paqes, errsirës dhe e dritës

Mashtrimit të vërtetës, shpifjes interesit,

e qejfit dhe e stresit, ahengut dhe biznesit”,- shkruan Rama, duke risjellë për publikun disa vargje nga një këngë e tij.

Ora 22:10
Protestuesit shkojnë te drejtoria e Policisë së Shtetit, thirrje në kor: Mos e shisni Shqipërinë për 600 mijë lekë

 

Një prej ndalesave të marshimit të mbrëmjes së sotme, është te drejtoria e Policisë së Shtetit. Protestuesit në kor thërrasin ‘Policia e krimit’, ‘Hiqini kapelet’, ‘Mos e shit Shqipërinë për 600 mijë lekë’.

Ora 21:59
PAMJE ME DRON/ Protestuesit nisin marshimin nëpër Tiranë

Pas përfundimit të fjalimeve të mbajtura poshtë zyrës së kryeministrit Edi Rama, protestuesit kanë nisur marshimin nëpër Tiranë. Thirrjet janë po të njëjtat, ‘Rama në burg, Berisha në burg’.

Ora 21:32
Protestuesi nga diaspora: Kujtesa është më kokëfortë se propaganda

 

Një protestues i ardhur nga diaspora mbajti një fjalim në ditën e 37-të të protestës qytetare përpara Kryeministrisë, ku akuzoi politikën shqiptare se prej vitesh ka ndërtuar qeverisjen mbi propagandën dhe nënvlerësimin e inteligjencës së qytetarëve.

Në fjalën e tij, ai tha se problemi kryesor nuk janë vetëm varfëria apo korrupsioni, por bindja se qytetarët mund të mashtrohen pafundësisht. Duke iu referuar veprave të George Orwell dhe Hannah Arendt, protestuesi argumentoi se propaganda synon të lodhë qytetarët dhe t'i bëjë ata të humbasin besimin te e vërteta, duke shtuar se një pushtet që fyen inteligjencën e popullit ka nisur të shkruajë fundin e vet.

“Vij nga diaspora, nga Brukseli. Atje është gjithë administrata shtetërore evropiane. Aty vjen edhe xhaxhi Edi Rama dhe flet në emër të popullit. O popull, sa shumë gjëra bëhen në emrin tënd, edhe ‘naltmadhnia’ flet në emrin tënd! Mund të gënjejë për një farë kohe, por kurrë nuk gënjen një popull të tërë bashkë! Ndaj bashkimi dhe bashkëpunimi është shpëtimi.

Nëse jemi të gjithë bashkë, kemi durim e qëndrim… unë kam ardhur sepse e dua vendin tim. Dua t’ju përgëzoj të vazhdoni të mbani këtë ritëm, të qëndroni! Çfarë ka Europa dhe bota më shumë se Shqipëria? Asgjë nuk kanë, vetëm disiplinë dhe standarde të tjera. Ne e kemi mundësinë t’i krijojmë! Pse të mos ecim në vendin tonë? Na mungon vetëm drejtësia e duhur dhe njerëzit e duhur”, tha ai.

Ora 21:20
Tepelena nga protesta: SPAK të veprojë mbi 'Albania Files', deputetët e PS të largohen nga Rama

 

Aktivisti Andi Tepelena u ka bërë thirrje deputetëve të Partisë Socialiste të japin dorëheqjen dhe të ndjekin shembullin e Mariana Koçekut, duke braktisur kryeministrin Edi Rama.

Gjatë fjalës së tij në ditën e 37-të të protestës qytetare përpara Kryeministrisë, Tepelena i kërkoi gjithashtu SPAK-ut të veprojë mbi dosjen “Albania Files”, për të cilën tha se përmbledh “të gjithë krimin e Ramës”. 

“Kemi dorëzuar dosjen Albania Files, aty përmblidhet i gjithë krimi i Ramës. Vepro SPAK, çfarë bëhet me dosjet, çfarë bëhet me Belinda Ballukun, bëjini publike transparent për shqiptarët. Parlamenti I krimit, është momenti të zhbëjë dy komisionet, elektorale dhe territoriale, janë pengmarrje e demokracisë. Keni bërë pazare në kurriz të demokracisë. Është momenti që deptueti e PS t’i thërrasin mendjes. Të japin dorëheqjen, të ndjekin shembullin e Mariana Koçekut, është momenti ta braktisin në fatin e turpshëm Edi Ramën. Është Parlament i delegjitimuar”, tha ai.

Ora 21:13
Tubimi i 37-të para Kryeministrisë, qytetarja: Nëse rrëshqasim në dhunë, dështon misioni i protestës

 

Në ditën e 37-të të protestës përpara Kryeministrisë, një qytetare u bëri thirrje pjesëmarrësve të ruajnë karakterin paqësor të tubimit, duke theksuar se dhuna do të dëmtonte misionin e tij.

Në fjalën e saj, ajo e cilësoi situatën në vend si një "diktaturë oligarkike" me përmasa ndërkombëtare, duke deklaruar se "koka është vetë qeveria". Sipas saj, protesta duhet të mbetet paqësore, pasi vetëm kështu mund të arrihet qëllimi i saj.

 “Nëse rrëshqasim në dhunë dështon misioni i kësaj proteste, e cila kërkon fundin e këtij tranzicioni. Ky tranzicion është një diktaturë oligarkike, është e një oligarkie të ngritur në nivelin e një mafia ndërkombëtare! Dhe koka është vetë qeveria,” deklaroi ajo prerë.

Duke e krahasuar situatën aktuale me të kaluarën e errët të vendit, ajo vuri në dukje se kjo protestë ka prodhuar tashmë një vlerë të madhe që nuk duhet humbur: zgjimin e vetëdijes popullore pa ndërmjetës politikanësh.

“Rrëzimi i Ramës është detyrë e protestës, jo e institucioneve që mund të ngrihen në emër të protestës. Pasi të rrëzohet Rama, atëherë të ngrihen institucione, qoftë edhe një Kuvend i protestës! Këtë vlerë solli protesta”, u shpreh ajo.

Ora 20:50
Mamaja e protestuesit të arrestuar i drejtohet Ramës: Mos mendo se do na trembësh, do na kesh këtu derisa të të largojmë

 

Mamaja e Arbër Lleshit, një prej 19 personave të arrestuar pas protestës së dhunshme te Kuvendi, tha se i biri ka ende shenja në trup nga goditjet që ka marrë nga efektivët gjatë shoqërimit për në polici. Ajo iu drejtua kryeministrit Edi Rama duke thënë se me arrestimin e fëmijëve janë bërë më të fortë dhe se nuk largohen nga bulevardi deri në dorëheqjen e tij.

“Shenja te grushteve ne furgoni e policisë i ka dhe tani që është data 6. Edi Ramës po i them, ti kujton se do na trembësh me arrestimi ne fëmijëve tanë, përkundrazi. Jemi bërë dhe më të forta. Këtu do të jemi jo 37 ditë, po 37 javë, 37 muaj po deshe deri sa klasa politike e kalbur që e zhvati këtë popull, të shkoni në koshin e plehrave. Një kryeministër të tillë, nuk është parë në asnjë vend të botës”, tha ajo.

Ora 20:15
Deklaratat e ambasadorit të Gjermanisë në Shqipëri për protestat, Andi Tepelena: Mbështetje për ne

 

Andi Tepelena, një prej organizatorëve të 37 protestave të zhvilluara në Tiranë kundër qeverisë, tha sot nga sheshi para Kryeministrisë së tasmë edhe Gjermania i mbështet këto tubime. Tepelana përmendi një deklaratë të bërë sot nga ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner.

"Sot kemi marrë një mbështetje të jashtëzakonshme nga ambasadori i shtetit më të fuqishëm të BE-së, Gjermanisë. Prej 37 ditësh po zhvillojmë një revoltë paqësore qytetare për largimin e Edi Ramës. Ambasadori komentoi protestat paqësore që po zhvillohen në Shqipëri, duke i cilësuar pjesë të vlerave evropiane. 'Çdo aktivitet i shoqërisë civile që është në përputhje me vlerat e BE-së është i mirëpritur, protesta e dhunshme nuk janë pjesë e vlerave të BE. Dhe se kush ka faj për dhunën e ushtruar është ende në diskutim.' Me këto fjalë ambasadori gjerman na jep një mbështetje të qartë dhe të fuqishme për protestën tonë paqësore. Ai e sheh si pjesë të vlerave evropiane dhe si e drejtë e qytetarëve që të kërkojnë ligj e drejtësi",- tha Tepelena.

Më herët gjatë ditës së sotme, Bergner tha se: "Çdo aktivitet nga shoqëria civile që është në përputhje me BE, dhe protestat e dhunshme qartazi nuk janë në përputhje me vlerat e BE. Kush duhet fajësuar për të është ende në diskutim. Protestat janë të mirëpritura sepse mbështesin vlerat e BE siç i shohim ne".

Më tej, Tepelena tha se nëse protesta vazhdon me qëndrueshmërinë që ka patur deri sot, qeverisja e Edi Ramës është e destinuar të përfundojë shpejt.

"Shumë pyesin çfarë do të ndodhë me protestën. A ju kujtohet që para një muaji ky ishte një mbret i fuqishëm, sot i është diskredituar në sytë e qytetarëve dhe botës demokratike. Sot Edi Rama është ky figurë politike, pas një muaji do të jetë një hiç politik dhe asgjë",- tha Tepelena.