Mediat greke vijojnë 'sulmet' ndaj kryeministrit Edi Rama, pas deklaratës së tij se 'Himara është shqiptare' dhe 'Akropoli mbijetoi falë shqiptarëve'.  Gazeta 'thepressroom.gr' e cilëson kryeministrin shqiptar, si kukull politike të presidentit të Turqisë, Erdogan në Ballkan.

"Autoritetet shqiptare provokuan duke shkatërruar shtëpitë që u përkasin grekëve në Himarë, ndërsa kryeministri i Shqipërisë e përshkallëzoi provokimin me një postim në Facebook, si përgjigje e një deklarate të Ministrisë së Jashtme greke. Edi Rama, i cili është një kukull politike e Rexhep Erdoganit, në Ballkan dhe Shqipëri, pohon se “Himara është shqiptare” dhe se “Akropoli mbijetoi në sajë të një shqiptari!”- shkruan gazeta greke.

Një ditë më parë disa portale greke komentuan duke vlerësuar ‘Ramën si mosnjohës të historisë’, ndërsa disa të tjera janë shprehur se ‘kryeministri shqiptar, po i hedh benzinë zjarri’.

rama, erdogan
STATUSI I EDI RAMËS PËR AKROPOLIN
“Kjo gravurë e vjetër e Athinës e 1670 (qytet në të cilin, shkruante ende më 1925 princi grek fanariot Eugene Rizo-Rangabe, “…popullsia autoktone është edhe sot e kësaj dite kryesisht shqiptare”), na kujton, ndër të tjera se, nëse Akropoli i lashtë është ende në këmbë për lavdi të njerëzimit dhe qytetërimit, kjo i detyrohet edhe kurajos dhe vizionit të primatit shqiptar të Athinës, Gjergj Dushmanit! I cili, më 1686, negocioi me flotën veneciane të Francesco Morosinit që qyteti të mos bombardohej prej limanit të Falerës, edhe pse aty ndodhej një garnizon turk.

Një histori e tillë e një qyteti që dikur ishte sipas historianëve e dëshmive autentike, qytet kryesisht shqipfolës, nuk e bën absolutisht atë një qytet shqiptar, edhe pse shqiptarëve Athina diçka u ka borxh në historinë e saj të jashtëzakonshme. Dhe, tamam po kështu, nëse Himara përjetoi me arqipelagët grekë dhe greqishten si “lingua franca” të Orientit, nëpërmjet shkëmbimeve detare, një bashkëjetesë të afërt e të frytshme, kjo nuk e bën atë absolutisht një krahinë greke; aq më shumë që popullsia e saj, në të gjithë aktet ndërkombëtare, për të mos folur veç për Historinë, njihet thjesht e vetëm si SHQIPTARE”.

(er.nu/shqiptarja.com)