Shtatë drejtorë të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit kanë bërë një kallëzim penal në Prokurorinë e Përgjithshme për shpërdorim detyre ndaj ministres teknike Mirela Karabina.

Sipas tyre Karabina ka penguar punën në Ministri dhe e ka kthyer institucionin në një ambjent stresues.

Ata nuk ndalen në raste konkrete të atyre që ata i cilësoj shkelje, por shprehen se një ndër to është rasti i dhunës i treguar ndaj Sekretarit të Përgjithsëm i cili u ndalua me forcë të futej në institucion, ndërsa theksojnë se të gjitha janë sqaruar në padinë.
 
“I ka shkaktuar dëm ministrisë duke penguar punën dhe duke e kthyer Ministrinë e Arsimit në një stres të paparë. I kërkojmë prokurorisë ta ndjeki çështjen me përparësi.
E akuzojmë edhe për dhunën, njëri rast është ai i ndalimit me forcë të sekretarit të përgjithshëm për të hyrë brenda, dhe kjo është skandale”,
tha drejtori Vladimir Gjoni.
 
Ministrja teknike: Të hetojë prokuroria
Pas kallëzimit ka ardhur edhe reagimi i ministres së Arsimit dhe Sportit, e cila thekson se parregullsitë dhe situata antiligjore po vërtetohen me veprimet e drejtorëve.
 
Sipas ministres teknike të PD, veprime të tilla dëshmojnë domosdoshmërinë urgjente të reformimit rrënjësor të administratës publike.
 
Ndërsa në fund fton Prokurorinë të hetojë këtë situatë, sipas saj absurde të krijuar në MAS.
 
Nisur nga prononcimi publik i ditës së sotme i disa punonjësve të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (MAS), sqarojmë se:
 
Parregullsitë dhe situata antiligjore në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit të deklaruara nga Ministri Mirela Karabina, që në javën e dytë në drejtim të këtij institucioni, po vërtetohen nga akti i prononcimit publik, këtë herë edhe nga disa punonjës së institucionit të MAS.
 
Veprime të tilla dëshmojnë domosdoshmërinë urgjente të reformimit rrënjësor të administratës publike.
 
Ftojmë institucionin e Prokurorisë të hetojë me seriozitetin më të madh këtë situatë absurde të krijuar në MAS
’ thuhet në reagimin e ministres.
 
Konflikti mes ministres dhe punonjësve nisi pas përplasjes me Sekretarin Plarent Ndreca.
 
Karabina dhe Ndreca janë përplasur për pagesat e aparatit të MAS, emërimet, shkarkimet dhe çështje të tjera brenda institucionit të arsimit.
 
Drejtoria e Administratës Publike (DAP) vendosi nisjen e hetimit disiplinor ndaj Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit dhe të Sportit, Plarent Ndreca në datë 4 gusht.
 
Ministrat teknikë të PD vijojnë që të rrinë në detyrë që pas marrëveshjes së 18 Majit mes Ramës dhe Bashës, ndërsa zgjedhjet përfunduan në 25 qershor.
 
Ministrat kanë deklaruar se do të largohen sapo të përgatisin raportin për zgjedhjet.