Prokurori i Marsejës, Brice Robin, që po heton mbi avionin 'Germanwings' që u rrëzua në datën 24 mars mbi alpet franceze duke shkaktuar vdekjen e 150 personave, ka njoftuar se është gjetur dhe kutia e dyte e zezë e avionit. Me gjetjen e saj shpresohet që të hidhet dritë mbi atë çfarë ndodhi gjatë fluturimit.  

Nga ana tjetër pas analizimit të një pajisjeje “tablet”, që i përkiste pilotit të dytë të fluturimit 9525 të “Germanwings”, Andreas Lubitz, është mësuar se ai kishte kërkuar për metoda vetvrasjeje në internet vetëm pak ditë përpara sesa të ndodhte përplasja, tha një zëdhënës i Zyrës së prokurorit publik në Dyseldorf të Gjermanisë, këtë të enjte. 

Zëdhënësi Christoph Kumpa shtoi gjithashtu se nga tableta e Lubitz është gjetur informacion në lidhje me dyert e kabinave të pilotëve. Analizat e policisë mbi korrespondencat e fundit dhe historikun e tabletit, të gjetur në apartamentin e Lubitz në Dyseldorf, tregojnë se piloti i dytë e kishte përdorur atë prej 16 Marsit deri më 23 Mars.



Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)