TIRANË-Presidenti i Republikës Bujar Nishani dhe kreu i opozitës Lulzim Basha kanë qenë në sinkron sa i përket deklaratave për situatën e kanabisit në vendin tonë.

Në të njëjtën kohë, sot të dy kanë bërë deklarata rreth bimës narkotike, ku i pari ka kërkuar që të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare, kurse i dyti u shpreh se hashashi është kultura bujqësore që u ofron Edi Rama fermerëve dhe arat me kanabis si vendet pune për shqiptarët.

Presidenti Bujar Nishani e konsideroi çështjen e kanabisit si një problem serioz për vendin, ndaj ka vendosur të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Këtë deklaratë, Nishani e ka bërë sot në Shkodër, teksa ka marrë pjesë në një leksion në Universitetin ‘Luigj Gurakuqi”. 

Kanabisi është një shqetësim serioz. Do thërras Këshillin e Sigurisë Kombëtare për këtë çështje që ka marrë përmasa të mëdha”, u shpreh Nishani. 

Presidenti vë në dukje se duke kanabisi po largon qytetarin nga prodhimtaria dhe se këto shqetësime janë adresuar dhe nga ndërkombëtarët. 

Sipas tij, "shërbimet inteligjente ndërkombëtare janë shqetësuar për këtë fenomen". Deklarata e Presidentit pason atë të ish-kryeministrit Sali Berisha bërë pak ditë më parë. Gjatë një interviste për një televizion Berisha paralajmëroi se Shqipërisë nuk duhet t'i çelen negociatat. Sipas Berishës, Shqipëria nuk ka plotësuar kushtet, ndërsa shton se një kusht i ri mund të jetë çështja e kanabisit.

Por deklarata e Presidentit u kundërshtua nga Kryeministri Edi Rama, i cili iu përgjigj "Jo" mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare. 

Rama shkruan në Facebook duke ironizuar se, "duhet të mblidhet Këshilli Kombëtar i PD-së dhe redaksitë e gazetave e të portaleve të SHQUP-it".

Kryeministri publikon dhe letrën e Komisionerit Europian për Punët e Brendshme, i cili vlerësonte punën e Ministrit Tahiri për punën e bërë në luftën ndaj kanabisit.

rama ne fb
(Reagimi i Kryeministrit Rama)

Statusi i Ramës në Facebook:
"Të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare për kanabisin?!
Jo, duhet të mblidhet Këshilli Kombëtar i PD-së dhe redaksitë e gazetave e të portaleve të Shqupit.
Bashkëngjitur letra e sotme e Komisionerit Europian për Punët e Brendshme, si kontributi ynë dashamirës për mbarëvajtjen e mbledhjes.
Suksese✌"


(d.b-l.q/Shqiptarja.com)