Përfaqësues të Aleancës Kundër Importit të Plehrave (AKIP), janë pritur sot në një takim nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
 
Përfaqësuesi i AKIP, Lavdosh Feruni, u shpreh gjatë një prononcimi për mediat se kanë marrë mbështetjen e PD, ndërsa njoftoi se protesta e radhës kundër Mbetjeve do të jetë të shtunën, në 30 Tetor.
 
"Ne do të reagojmë në mënyrën siç kemi reaguar tani, me reagim qytetar dhe protesta.
 
Z.Basha tha se PD është krah jush dhe jo ju krah nesh. Kemi mbështetjen e PD dhe do të kontribuojnë për të ndaluar importin e plehrave në komisionet parlamentare. Diskutuam edhe për çështjen e referendumit për të cilat PD ka ndërmarrë iniciativë. Të ndalojmë njëherë ligjin e plehrave dhe më pas të ndiqet edhe rruga e referendumit"
, u shpreh Feruni, duke theksuar se AKIP do të vijojë takimet gjatë ditës së sotme, edhe me grupin parlamentar të PS e PDIU. 

Të pyetur se pse ligji për mbetjeve u kundërshtua pas miratimit të tij në Kuvend, përfaqësuesit e Shoqërisë Civile theksuan se rezistenca e tyre është eklipsuar prej debatit të reformës në drejtësi. Pedagogia e njohur, Brisida Gjikondi u shpreh se ligji është kundërshtuar që në hapat e tij të parë, në vitin 2004-ër. "E kemi kundërshtuar ligjin që në vitin 2004-ër dhe vijojmë ta kundërshtojmë njësoj", tha Gjikondi. 
 
"Menjëherë sapo ligji është prezantuar në axhendën e Kuvendit, kemi dalë në protestë. Por ka qenë debati i reformës në drejtësi dhe vëmendja e medias dhe qytetarëve ka qenë te reforma në drejtësi. Ka qenë e planifikuar të votohej në të njëjtën ditë me reformën në drejtësi dhe mazhoranca e hoqi nga rendi i ditës së Kuvendit këtë ligj
", tha përfaqësuesi i AKIP, Besjan Pesha.  

Ndërkohë, kryetari i PD, Lulzim Basha, kërkoi moratorium për ndalimin e mbetjeve deri në mbajtjen e referendumit.

Ai iu drejtua me fjalor të ashpër kryeministrit Rama, duke e akuzuar se e ka kthyer Shqipërinë në burg të madh, ku ai sillet si drejtori psikopat i droguar i këtij burgu.  

"Sot Edi Rama ka dështuar të zbatojë Vendimin e Këshillit të Ministrave (VKM) që vetë miratoi. Shqipëria është e mbuluar nga plehrat. Në vend që të pranojë dështimin dhe të marrë masat për zbatimin e VKM që ka firmosur, tani del e thotë se, edhe nuk pastroj dot plehrat e Shqipërisë, do ju sjell edhe plehrat e Evropës. Pafytyrësi politike e një qeveritare që ja ka lënë peng Shqipërinë krimit dhe kartelit të drogës. Pafytyrësi i një njeriu që e konsideron Shqipërinë jo një vend me qytetarë të cilëve iu ka marrë votën dhe ka detyrimin t'i shërbejë, por një burg të madh ku ai sillet si drejtori psikopat dhe i droguar i këtij burgu. Ne jemi të bashkuar me Shoqërinë Civile. Na bashkon ky ligj për të cilin qëndrimi ynë është i qartë: Të miratohet dekreti i Presidentit, të miratohet një moratorium për importin e plehrave derisa qytetarët të shprehen me referendum sepse ky vendim nuk i takon më asnjë qeverie, por i takon qytetarëve", u shpreh Basha. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com