Shoqëria Civile dhe ambientalistët po protestojnë para parlamentit kundër miratimit të ligjit për importin e mbetjeve nga jashtë.
 
Protestuesit janë përplasur për disa minuta me policinë në hyrje të Kuvendit, pasi tentuan që të bllokojnë rrugën duke vendosur një kazan plehrash.
 
Forcat e policisë kanë ndërhyrë duke mos lejuar bllokimin e rrugës dhe larguar protestuesit.
 
Policia u ka kërkuar protestuesve që të shmangin incidentet. Situata është qetësuar pas disa minutave tensionimi.
 
Protestuesit u kanë bërë thirrje deputetëve që mos e votojnë ligjin, pasi do të ndotë akoma më shumë vendin, pasi nuk po trajtohen mbetjet brenda vendit dhe me importin e atyre nga jashtë situata do të rëndohet akoma më shumë.
 
Protestuesit janë shprehur se ligji nuk jep garanci për ndalimin e plehrave të rrezikshme në dogana.
 
"Shqipëria nuk ka vendgrumbullime dhe landfille për trajtimin e mbetjeve të vendit. Nuk rritet zhvillimi ekonomik me hapjen e vendeve të punës me plehrat. Pasojat janë të mëdha, do të ndikojë te shëndeti i njerëzve dhe turizmi.
 
Shoqatat e biznesit duhet të ushtrojnë presion për ndalur mbetjet, ne kemi tonelata plehra, ndërsa po lejojmë që të futem edhe të tjera nga jashtë.
 
Duam një shoqëri të pastër, jo plehrave. Është e pafalshme dhe e patolerueshme që ligji të kalojë sot në parlament.  Ne importojmë plehra nga shumë shtete të botës. 
 
Ne duhet të vlerësojmë vlerat tona, fatkeqësi e madhe është që politikanët mendojnë vetëm për xhepat e tyre, për pasuritë e tyre, e shfrytëzojnë këtë vend vetëm të pasurohen dhe nuk e duan popullin e vet.
 
Këta nuk bëjnë fabrika për zhvillimin e Shqipërisë që rinia të ketë dinjitet për të punuar në vende të mira. Ku e çojnë rininë, nëpër plehra. Turp të kenë
", thanë ndër të tjera protestuesit.
 
Shoqëria Civile dhe ambientalistët pas Kuvendit kanë deklaruar se do të protestojnë edhe para Presidencës për t'i kërkuar kreut të shtetit që të mos e dekretojë ligjin, ndërsa nëse Nishani e kalon do të mbledhin firmat për referendum. 

Në seancën e sotme është parashikuar votimi i ligjit për importin e mbetjeve, ndërsa LSI ka propozuar një amendament sipas të cilit Shoqëria Civile ka të drejtë që të mbikëqyrë procesin e zhdoganimit të plehrave dhe për të ndjekur procesin për ta bërë të besueshëm.

Zhvillimet nga protesta e Shoqërisë Civile

Ora 18:20 Kryebashkiaku i Parmës mbështet protestën e Shoqërisë Civile
Kryetari i bashkisë së Parmës, Federico Pizzaroti iu bashkua për pak momente protestës së qytetarëve kundër miratimit të ligjit për importin e mbetjeve. Ai është shprehur se e mbështet këtë protestë dhe është gjë e mirë që ka një lëvizje qytetare që mbron interesat e publikut.
 
Ju mbështes për protestën. Në Parma ka një vëmendje për të edukuar publikun për diferencimin e mbetjeve. Në Parma nuk lejohet impiant djegiesh, të cilët sjellin ndotje të ambientit. Në Parma janë rritur impiantet ricikluese deri ne 70 % e mbetjeve. Më vjen mirë që ka një lëvizje qytetare, në mbrojtje të interesit publik”, ka thënë kryebashkiaku i Parmës, Federico Pizzaroti.

Ora 18:00 Aktivistët mblidhen sërish përpara Kuvendit

Ora 14:10 Shpërndahen protestuesit e Shoqërisë Civile

Ora 13:00 Lavdosh Feruni: Shqipëria s'ka kapacitetet për trajtimin e mbetjeve
"Shqipëria nuk ka vendgrumbullime dhe landfille për trajtimin e mbetjeve të vendit. Nuk rritet zhvillimi ekonomik me hapjen e vendeve të punës me plehrat. Pasojat janë të mëdha, do të ndikojë te shëndeti i njerëzve dhe turizmi", u shpreh aktivisti i Shoqërisë Civile, Lavdosh Feruni. 

Ora 12:10 Protestuesit tentojnë të vendosin një kazan plehrash në hyrje të Kuvendit
Protestuesit janë përplasur për disa minuta me policinë në hyrje të Kuvendit, pasi tentuan që të bllokojnë rrugën duke vendosur një kazan plehrash. Forcat e policisë kanë ndërhyrë duke mos lejuar bllokimin e rrugës dhe larguar protestuesit.

Ora 12: 00 Protestuesit konfrontohen me Policinë

Ora 11:20 Shoqëria Civile protestë para Kuvendit kundër ligjit të mbetjeve
Shoqëria Civile dhe ambientalistët po protestojnë para parlamentit kundër miratimit të ligjit për importin e mbetjeve nga jashtë. Paralelisht me protestën e Shoqërisë Civile zhvillon punimet edhe seanca e Kuvendit, ku në rendin e ditës është pikërisht ligji për importin e mbetjeve urbane.