'Më morën prapë kompetencat'..
dhe Nishani kthen një tjetër ligj

'Më morën prapë kompetencat'..<br />dhe Nishani kthen një tjetër ligj
TIRANE - Presidenti Bujar Nishani kthen për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit të Forcave të Armatosura”, projektligj ky që ka marrë pro votat e mazhorancës dhe kundërshtinë e opozitës në seancën e 26 Qershorit.
 
Sipas njoftimit zyrtar të Presidencës, kreu i shtetit e argumenton vendimin e tij se “ky ligj, sjell probleme dhe pasoja në ushtrimin e kompetencave kushtetuese të Presidentit, si dhe prish balancën e ndarjes së pushteteve”, ndërsa shton se “ndryshimet ligjore që sjell ky ligj shkelin parimin e sigurisë juridike”. 

"Ky ligj, sjell ndryshime të cilat kanë pasoja kritike në ushtrimin e kompetencave kushtetuese të Presidentit, si dhe në balancën e ndarjes së pushteteve midis Kuvendit, Presidentit, Kryeministrit, si dhe autoriteteve të tjerë të përcaktuara në ligj. Përqendrimi i pushtetit, duke parashikuar kalimin e shumicës së kompetencave brenda ekzekutivit (qeverisë), përben një qasje jo vetëm të gabuar por edhe të rrezikshme".

Një nga ndryshimet kryesore në ligj sipas presidentit është kalimi i kompetencave për miratimin e strukturës organizative dhe planit të përhapjes dhe vendosjes të Forcave të Armatosura nga Presidenti tek Kryeministri.

Një tjetër aspekt që trajton kreu i shtetit eshtë dhe kufizimi i kompetencave të Presidentit të Republikës lidhur me emërimet, lirimet e ushtarakëve me grada madhore. 

Në relacionin e projektligjit, pretendohet se kalimi i kompetencave lidhur me emërimet apo shkarkimet e oficerëve me grada madhore, të cilat i përkasin Presidentit të Republikës, do të sjellë “më shumë frytshmëri në menaxhimin e karrierës së gjeneralëve, si dhe do të rritë demokratizimin e këtij procesi sa delikat aq dhe të rëndësishëm të drejtimit të FA-ve”. Ky pretendim është i pabazuar pasi procesi deri më tani ka qenë shumë transparent dhe demokratik duke filluar nga propozimi i Ministrit të Mbrojtjes dhe miratimi i Presidentit të Republikës. Kalimi i këtyre kompetencave tek Kryeministri nuk i shërben demokratizimit të procesit dhe është në kundërshtim me parimin e kontroll-balancës, duke marrë në konsideratë varësinë e Ministrit të Mbrojtjes nga Kryeministri”.

Së fundmi, presidenti thekson se ky ligj përveçse kufizon ndjeshëm kompetencat e Presidentit si Komandant i FA, nuk parashikon shprehimisht detyrimin e Kryeministrit dhe të Ministrit të Mbrojtjes që të jenë përgjegjës para Kuvendit dhe Presidentit të Republikës për drejtimin dhe gjendjen e FA në kohë paqeje.

Arsyetimi i Nishanit per kthimin e ligjit per rishqyrtim Kuvendit
Në seancën plenare të datës 26 qershor 2014, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 64/2014 “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.
Ky ligj është paraqitur për shpallje më datë 30 qershor 2014. Në bindje të Kushtetutës së Shqipërisë dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të Kushtetutës kam vlerësuar se ky ligj i duhet kthyer për rishqyrtim Kuvendit mbështetur në arsyet dhe argumentet e mëposhtme.

Analiza e kompetencave të Presidentit të Republikës së Shqipërisë konfirmon karakterin e paanshëm që hartuesit e Kushtetutës kanë dashur t’i japin funksioneve të tij duke dalë qartë roli i rëndësishëm dhe i veçantë i Presidentit si dorëzanës i balancës ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor.

Ligji nr. 8671, datë 26.10.2000 “Për pushtetet dhe autoritetet e komandimit e të drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, është në përputhje të plotë me kushtetutën dhe është hartuar në konsultim me strukturat e NATO-s. Shfuqizimi apo ndryshimi i tij, si i çdo ligji tjetër, duhet të arsyetohet dhe justifikohet. Në rastin konkret përveç mungesës së arsyetimit nuk kemi të bëjmë as me një ndryshim apo domosdoshmëri reale për çështjet në diskutim.

Në relacionin e ligjit pretendohet se “Ligji nr. 8671/2000 që është akoma në fuqi është miratuar para 14 vjetësh dhe nevojat për rishikimin e një sërë çështjesh janë imediate”, por pa u shprehur se çfarë ka ndryshuar, cilat janë çështjet imediate dhe përse ka dalë si nevojë heqja e kompetencave të Presidentit të Republikës lidhur me Forcat e Armatosura.

Ky ligj, sjell ndryshime të cilat kanë pasoja kritike në ushtrimin e kompetencave kushtetuese të Presidentit, si dhe në balancën e ndarjes së pushteteve midis Kuvendit, Presidentit, Kryeministrit, si dhe autoriteteve të tjerë të përcaktuara në ligj. Përqendrimi i pushtetit, duke parashikuar kalimin e shumicës së kompetencave brenda ekzekutivit (qeverisë), përben një qasje jo vetëm të gabuar por edhe të rrezikshme.

Kushtetuta, ndër të tjera, i ka dhënë Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Kryetarit të Shteti, Përfaqësuesit të Unitetit të Popullit, edhe postin e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura duke pasur si qëllim të sigurojë komandimin dhe drejtimin e Forcave të Armatosura nga një organ i pavarur dhe garant të balancimit të pushteteve.

Hartuesit e Kushtetutës, duke njohur dhe vlerësuar rëndësinë e madhe të Forcave të Armatosur për mbarëvajtjen e sigurisë së një shteti, ia kanë njohur Presidentit të Republikës mbajtjen e postit më të lartë drejtues. Ky fakt tregon qartë frymën e Kushtetutës lidhur me zinxhirin e komandim/drejtimit të tyre.

Kushtetuta, në nenin 169 pika 4, parashikon se: “Kompetencat e Presidentit të Republikës si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe ato të Komandantit të Forcave të Armatosura dhe varësia e tyre nga organet kushtetuese, caktohen me ligj”, duke i lejuar pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ të parashikojnë në mënyrë më të detajuar mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Forcave të Armatosura, por kjo nuk mund të shërbejë, në asnjë mënyrë, si një mundësi e këtyre pushteteve për të minimizuar kompetencat e Presidentit të Republikës në një nga detyrat kryesore që i njeh Kushtetuta.

Në analizë të detajuar të dispozitave të këtij ligji vërejmë:
Së pari, një nga ndryshimet kryesore është kalimi i kompetencave për miratimin e strukturës organizative dhe planit të përhapjes dhe vendosjes të Forcave të Armatosura nga Presidenti tek Kryeministri.
Ky ndryshim mbrohet nga propozuesit e ligjit me arsyetimin se: “përcaktimi i strukturës së FA-ve, ashtu dhe përcaktimi i planit të përhapjes, që ka të bëjë me administrimin e pronave të FA-ve, janë më tepër çështje të ekzekutivit sesa të Presidencës. De facto dhe de jure, buxhetin e shtetit, punonjësit e administratës shtetërore (ku përfshihen dhe Forcat e Armatosura) si dhe pronat e shtetit i menaxhon Këshilli i Ministrave drejtpërdrejt, si dhe nëpërmjet ministrive apo strukturave të veçanta në varësi të tij”.  “duke qenë se planifikimi i një strukture dhe i një plani përhapjeje kërkon të mbahen parasysh elemente të tilla si numri limit i punonjësve buxhetorë, shpenzimet financiare që kërkohen si dhe pronat e asetet e ndryshme në dispozicion, është menduar se zgjidhja më e drejtë dhe efektive është kalimi i kësaj kompetence te Kryeministri”.

Ky arsyetim nuk mund të qëndrojë pasi Kushtetuta shprehet qartë në nenin 169 pika 1, se “Presidenti i Republikës, në kohë paqeje, ushtron drejtimin e Forcave të Armatosura nëpërmjet Kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes”. Drejtimi i Forcave të Armatosura nënkupton, përveç të tjerash, mundësinë e përcaktimit të strukturës së FA dhe planit të përhapjes së tyre. Nëse kjo kompetencë ushtrohet nga Kryeministri, në çfarë mënyre do të ushtronte drejtimin e Forcave të Armatosura, Presidenti i Republikës?

Për sa më sipër, parashikimet e nenit 12 pika d dhe dh të ligjit nr. 64/2014 nuk janë në përputhje me Kushtetutën.

Kryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes mund të rezervojnë të drejtën e propozimit të strukturës së FA apo planit të përhapjes së tyre por kurrsesi nuk mund të ushtrojnë kompetenca tej atyre që parashikon Kushtetuta.
Së dyti, kufizimi i kompetencave të Presidentit të Republikës lidhur me emërimet, lirimet e ushtarakëve me grada madhore (gjeneralët) nuk është i justifikuar.

Në relacionin e projektligjit, pretendohet se kalimi i kompetencave lidhur me emërimet apo shkarkimet e oficerëve me grada madhore, të cilat i përkasin Presidentit të Republikës, do të sjellë  “më shumë frytshmëri në menaxhimin e karrierës së gjeneralëve, si dhe do të rritë demokratizimin e këtij procesi sa delikat aq dhe të rëndësishëm të drejtimit të FA-ve”. Ky pretendim është i pabazuar pasi procesi deri më tani ka qenë shumë transparent dhe demokratik duke filluar nga propozimi i Ministrit të Mbrojtjes dhe miratimi i Presidentit të Republikës.

Kalimi i këtyre kompetencave tek Kryeministri nuk i shërben demokratizimit të procesit dhe është në kundërshtim me parimin e kontroll-balancës, duke marrë në konsideratë varësinë e Ministrit të Mbrojtjes nga Kryeministri.

Së treti, vihet re se ligji i ri ka suprimuar disa parashikime ligjore lidhur me kompetencat e Presidentit të Republikës për të:
-    Urdhëruar fillimin e veprimeve luftarake, kur shkelet integriteti i hapësirave tokësore, ajrore e detare të Republikës së Shqipërisë;
-    Urdhëruar vendosjen e shkallëve të ndryshme të gatishmërisë luftarake të Forcave të Armatosura, në kushtet e masave të jashtëzakonshme;
-    Urdhëruar lëvizjen, rivendosjen dhe përdorimin e Forcave të Armatosura, në kushtet e masave të jashtëzakonshme.
Mungesa e këtyre parashikimeve krijon vakum ligjor për veprimtarinë e Forcave të Armatosura kur shkelet integriteti i Republikës së Shqipërisë apo në kushtet e masave të jashtëzakonshme.

Së fundmi, ky ligj përveçse kufizon ndjeshëm kompetencat e Presidentit si Komandant i FA, nuk parashikon shprehimisht detyrimin e Kryeministrit dhe të Ministrit të Mbrojtjes që të jenë përgjegjës para Kuvendit dhe Presidentit të Republikës për drejtimin dhe gjendjen e FA në kohë paqeje.

Për sa më sipër, ndryshimet ligjore që sjell ky ligj, nuk janë aspak të justifikuara dhe shkelin parimin e sigurisë juridike në një shtet demokratik.

Të nderuar deputetë,
Si përfundim, kërkoj mirëkuptimin tuaj në rishqyrtimin e ligjit nr. 64/2014 pasi bie ndesh me nenet 168 pika 2, 169 pika 1 dhe pika 4 të Kushtetutës.

Me respekt,
 
PRESIDENTI I REPUBLIKËS
BUJAR NISHANI


​Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Krijohet dhe 'Djathtas', a do i mbështesni partitë e reja në 2025?



×

Lajmi i fundit

Furnizoi Rusinë me raketa balistike, BE do të vendosë sanksione ndaj Iranit

Furnizoi Rusinë me raketa balistike, BE do të vendosë sanksione ndaj Iranit