TIRANE - Policia e Tiranës ka dorëzuar kallëzim penal ndaj drejtuesve të bashkisë së kryeqytetit dhe punëtorëve të cilët sipas policisë nuk kanë respektuar urdhërat për të ndërprerë punimet si dhe kanë prerë pemët dekorative dhe kanë dëmtuar trotuarin e rrugës, në punimet që ata nisën për vendosjen e semaforit në aksin rrugor "Asim Vokshi".
 
Kjo pasi sipas policisë, nga hetimet e deritanishme rezulton se punimet janë të paligjshme dhe bëhen për interesa private të disa individëve. Efektivë blu sqarojnë në komunikatën e tyre për shtyp se semafori në fjalë nuk do të vendoset përpara shkollës së mesme “Harri Fultz”, siç pretendohet nga Bashkia, por rreth 30-40 metra me larg, në kryqëzimin pranë një biznesi privat.
 
Në këtë mënyrë sipas policisë ky semafor është ndërtim i paligjshëm dhe pengon qarkullimin e mjeteve për të cilat është një semafor në kryqëzimin që ndodhet vetëm 10 metra më larg, vetëm për komoditetin e një individi dhe ndërtimeve të tij. 

Edhe ditën e djeshme policia e Tiranë, ndërpreu punimet e bashkisë për vendosjen e semaforit në rrugën "Asim Vokshi", ndërsa shoqëroi në komisariat, pasi sipas policisë, kishin kryer punimet pa leje. Pasi u morën në pyetje, ata u lanë të lirë, ndërsa nisën hetimet ndaj tyre për veprën penale të “Shkatërrim i rrugëve” dhe “Prerja e drurëve dekorative dhe frutorë”  si dhe ndaj Fatmir Nezaj Drejtor të Planifikimit dhe Bujar Elezi, Drejtor të Menaxhimit të Shërbimeve, të akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. 

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)