TIRANE - Mega-skandali në institucionin më të lartë financiar në vend, me vjedhjen e 713 milionë lekëve të rinj nga Thesari i shtetit, ka sjellë për herë të parë reagimin Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Përreth një orë, ambasadori amerikan në vendin tonë,  Aleksandër Arzivu zhvilloi një takim me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani në zyrën e tij në selinë qendrore të BSH-së. Në një prononcim për mediat, menjëherë sapo u përcoll nga guvernatori, Arzivu e cilësoi vjedhjen një çështje serioze dhe theksoi rëndësinë e vijimit të hetimeve nga Prokuroria  dhe funksionimin e bankës në mënyrë të pavarur dhe profesionale.
 
“Vjedhja e Bankës është një çështje serioze, është e rëndësishme të rikthehet besueshmëria në operacionet e brendshme të bankës, mbikëqyrjen e brendshme dhe aftësitë e tyre. Dua të theksoj se vjedhja është vetë raportuar. Është e rëndësishme të kujtojmë disa gjëra. Së pari është një hetim në vazhdimësi për krimin pasi jemi përballë një çështje serioze. Së dyti, janë problemet e kontrolli të menaxhimit të brendshëm. Kjo ngjarje nënvlerëson rëndësinë e asaj se çfarë ndodh në kontrollin e brendshëm dhe kjo bankë funksionon në bazë të modeleve të bankave perëndimore dhe ka marrë praktikat më të mira nga bankat e tjera. Por dukshëm sistemi mund të përmirësohet, kjo është e rëndësishme për të parë në të ardhmen. Së treti, është normale që ka implikime politike të brendshme, por Banka e Shqipërisë ndërvepron me Fondin Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, BERZH dhe shumë banka të tjera. Stabiliteti i Bankës është shumë i rëndësishëm ndërkombëtarisht, siç është i rëndësishëm për rimëkëmbjen e ekonomisë shqiptare. Dhe gjithashtu ne e kuptojmë zemërimin e njerëzit dhe ata kanë të drejtë të jenë të indinjuar, kjo është një ndjenjë e natyrshme.  Por, e rëndësishme është që t’i lihet vend hetimit. Është e rëndësishme për bankën, kur flas për bankën flas për stafin për guvernatorin, për bordin e bankës, për të ushtruar detyrën e tyre profesionalisht të pavarur. Banka duhet të funksionojë zyrtarisht profesionalisht e pavarur në interes të vendit që kjo të ndodhë. Dhe është e rëndësishme që populli ta kuptojë këtë”, tha Arvizu.

Interesit të gazetarëve nëse duhet të ketë shkarkim të Fullanit, Arvizu iu përgjigj se nuk është një çështje për të cilën vendosin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por është vetë Këshilli i këtij institucioni që e ka në dorë një gjë të tillë.

“Nuk është diçka që më takon mua të vendos, nuk besoj se është një vendim që i takon një personi të vetëm. Gjeja e rëndësishme është që banka të vazhdojë të operojë profesionalisht, zyrtarisht e pavarur në interes të vendit. Ka procedura për këtë, ai është Guvernatori i Bankës, por është bordi, është një mekanizëm mbikëqyrës, Parlamenti ka një rol. Kështu që nuk është në pozicionin e SHBA që të adresojë këtë lloj problemi. Por mesazhi që SHBA kërkon të japë është se stabiliteti i vendit është shumë i rëndësishëm, njerëzit janë kuptueshëm të mërzitur. Mua më duket se ka një proces që po vepron, së pari duke adresuar akuzat kriminale, por edhe në tërësi për të rregulluar procedurat dhe populli do të ketë besim te banka”, u shpreh Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu.

Sipas ambasadorit Arvizu, çështja e vjedhjes së thesarit i takon edhe Parlamentit, që përmes seancave dëgjimore t’i japë përgjigje nevojës së qytetarëve për të ditur mbi këtë skandal.

Deklaratat e ambasadorit Arzivu shënojnë reagimin e parë zyrtar nga ndërkombëtarët në lidhje me skandalin në Bankën e Shqipërisë.

Kur kanë kaluar 3 javë nga ky skandal prokuroria është ende duke hetuar ndërsa pas hekurave ndodhen 10 personave, ku mes Ardian Bitrajt dhe Mimoza Bruzisë, si të dyshuarit kryesorë për vjedhjen ndodhet dhe Dorian Collaku, ish-drejtori i thesarit, njëherësh bashkëshorti i mbesës së guvernatorit Fullani.

Arvizu, takim në zyrën e Fullanit
Kryediplomati amerikan në vendin  tonë Aleksandër Arvizu, pak pas orës 09:00 të mëngjesit të kësaj të Enjteje, është takuar me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, në selinë qendrore të BSH-së tek sheshi “Avni Rustemi”.

Asnjë reagim zyrtar nuk kishte ardhur deri më tani nga ndërkombëtarët në lidhje me skandalin në Bankën e Shqipërisë, ndërsa takimi i Arvizut është i pari në nivel ndërkombëtarësh, duke pasur parasysh që SHBA-të gjithmonë kanë shprehur qëndrimin e tyre për çështje të rëndësishme që kanë prekur politikën shqiptare, por jo vetëm.

Takimi i Arvizut me Fullanin vjen në një moment kur shoqëria civile dhe disa deputetë kanë kërkuar dorëheqjen e Fullanit dhe të Këshillit Mbikqyrës së Bankës së Shqipërisë, duke i bërë përgjegjësit kryesorë për vjedhjen e thesarit, për mënyrën se si kanë menaxhuar funksionimin e këtij institucioni në shmangien e këtij skandali.