'Xibraka', PD: Kolumbiani u la i lirë
ditën e aksionit! Policia: Po shpifni!

'Xibraka', PD: Kolumbiani u la i lirë<br />ditën e aksionit! Policia: Po shpifni!
TIRANE - Operacioni “Xibraka” ku u zbulua laboratori i kokainës në janar të këtij viti dhe ku u vunë në pranga 11 persona, mes të cilëve edhe nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, Ermal Hoxha, është bërë objekt akuzash dhe replikash ndërmjet Partisë Demokratike dhe Policisë së Shtetit.
 
Në një dalje për mediat deputeti demokrat Alban Zeneli akuzoi policinë se një nga kolumbianët e arrestuar, ditën e operacionit, është lënë i lirë të kalojë pikën kufitare të Kapshticës, pavarësisht se qeni anti-drogë kishte dhënë sinjalizimin për lëndë narkotike. Sipas selisë blu, kjo është bërë me urdhër nga instancat shtetërore duke ngritur pikëpyetje mbi operacionin.
 
Por në një reagim të saj, Policia e Shtetit i ka quajtur shpifje dhe të pavërteta akuzat, dhe që sipas saj kanë për qëllim vetëm të përbaltin policinë, në një kohë kur edhe partnerët ndërkombëtarë po vlerësojnë operacionin në fjalë.
 
Policia thekson se operacioni i 15 janarit është kryer në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe se hetimet për këtë ngjarje vijojnë po në frymën e këtij bashkëpunimi.

Ora 19:22 Akuzat e PD, Policia: Të pavërteta! 'Xibraka' aksioni me ndërkomëtarët 
Policia e Shtetit ka reaguar ndaj akuzave të Partisë Demokratike se një ndër kolumbianët e arrestuar në operacionin “Xibraka” në Elbasan është lënë lirisht të kalojë kufirin shqiptar, në një kohë që sipas PD ai ishte akuzuar për përfshirje në trafikun e drogës.
 
Përmes një komunikate për shtyp, Policia e Shtetit i cilëson të pavërteta akuzat e bëra nga opozita, që sipas saj kanë vetëm për qëllim përbaltjen e punës së uniformave blu.
 
Siç nënvizon policia, operacioni “Xibraka” është zhvilluar në bashkëpunim me parnerët ndërkombëtarë dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda, dhe ku u arrit të kapen 11 persona, mes të cilëve edhe Ermal Hoxha nip ish-diktarorit Enver Hoxha, si dhe një sasi kokaine, e cilësuar si më e madhja ndonjëherë e sekuestruar nga policia shqiptare.

Ndër të tjera policia thekson gjithashtu se hetimet për laboratorin e kokainës nuk kanë përfunduar, dhe ato vijojnë në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

“Në lidhje me deklarat e bëra nga subjekti politik Partia Demokratike , për akuza ndaj Policisë së Shtetit , duke synuar përbaltjen e punën se saj, bëjmë me dije për publikun, se: Akuzat për lejimin e një shtetasi kolumbian të kalonte në Pikën Kufitare, edhe pse sipas kësaj deklarate, për të kishte prova për implikim në trafikun e heroinës të zbuluar në Xibrakë, janë tërësisht të pavërteta. Operacioni Policisë në Xibrakë është organizuar dhe realizuar në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorine e Krimeve te Renda dhe Partneret Ndërkombëtarë, me të cilët është mbajtur kontakt për të gjitha veprimet dhe për personat e perfshirë në këtë veprimtari. Si rezultat i këtij bashkepunimi u bë i mundur finalizimi me sukses të plotë i këtij operacioni me përmasa ndërkombetare, ku u bë e mundur arrestimi i 11 personave dhe u sekuestrua sasia më e madhe e kokaines që është kapur në këto 24 vite në Shqipëri. Në kohën kur partnerët më prestigjozë ndërkombëtarë falenderojnë punën e Policisë së Shtetit, nuk e kuptojmë tendencën e një Partie politike Shqiptare për të zbehur rolin e policisë duke sajuar të pavërteta. Hetimet nuk kanë perfunduar, pasi Policia dhe Prokuroria në bashkepunim me partnerët nderkombetare po vazhdojnë me intensitet hetimet per zbulimin e antareve te tjere te ketij rrjeti të trafikut nderkombetar.” thuhet në deklaratën e Policisë së Shtetit.

Ora 14:00 PD: Kolumbiani u la i lirë  ditën e aksionit, kush dha urdhër?
Partia Demokratike ka publikuar faktet që sipas saj janë tronditëse rreth përfshirjes së zyrtarëve të lartë të policisë dhe qeverisë në fabrikën e kokainës, të zbuluar në Xibrakë të Elbasanit. Deputeti demokrat  Alban Zeneli ka ngritur pikepyetjet në lidhje me qëndrimin e kolumbianit në shtetin shqiptar si dhe largimin e tij nga pika kufitare të cilën PD e ka quajtur si një lidhje të ngushtë të krimit me politikën qeverisëse. Zeneli në një deklaratë për mediat tha se kolumbiani, i njohur si një nga shefat e biznesit kriminal, është ndaluar në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, në datën 15 janar të këtij viti, pasi qeni antidrogë ka konstatuar lëndën e dyshimtë në rrobat dhe në çantën e tij. Sipas tij shumë shpejt ka mbërritur urdhri nga lart dhe ai është lënë i lirë. Zeneli tha se nga të dhënat e sistemit TIMS tregojnë se shefi kolumbian i drogës, Gilberto Sanabria Hernandez, me pasaportë me numër AN 870127, ka kaluar në orën 18 e 26 minuta në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës. 

Deklarata e plotë e deputetit demokrat Alban Zeneli

Fakte tronditëse janë zbuluar rreth përfshirjes së zyrtarëve të lartë të policisë dhe qeverisë në fabrikën e kokainës së Xibrakës. Kolumbiani i njohur si një nga shefat e biznesit kriminal është ndaluar në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, me datën 15 janar të këtij viti, pasi qeni anti-drogë ka konstatuar lëndën e dyshimtë në rrobat dhe në qantën e tij.Por shumë shpejt, ka mbërritur urdhri nga lart, dhe ai është lënë i lirë. Eshtë lënë i lirë pikërisht ditën e aksionit në Xibrakë, pra me 15 janar, ku u ndaluan një pjesë e trafikantëve, dhe kolumbiani po arratisej ndërkohë.Të dhënat e sistemit TIMS tregojnë se shefi kolumbian i drogës, Gilberto Sanabria Hernandez me pasaportë me numër AN 870127, ka kaluar në orën 18 e 26 minuta, në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës.Kjo tregon se Policia jo vetëm kishte dijeni për aktivitetin e grupimit kriminal, jo vetëm e dinte për instalimin e fabrikës së kokainës, por u kishte krijuar edhe lehtësi e mbrojtje personave të përfshirë.Kjo shpjegon edhe faktin se aksioni i ndalimit dhe i arrestimit, kurseu kapot e vërtetë.Partia Demokratike i kërkon prokurorisë të nisë menjëherë hetimin, për lirimin e kolumbianit, pas ndalimit nga policia në kufi. Të hetojë e të zbardhë këtë ngjarje të rëndë, gjë që do të ndihmonte në zbulimin e mekanizmit dhe të kokave të vërteta të trafikut të kokainës.Pse u lirua kolumbiani?Kush e dha urdhërin?Kush fshihet pas fabrikës së kokainës?Kjo ngjarje tregon se krimi ka depërtuar deri në kupolën më të lartë të policisë dhe të shtetit. Inkriminimi është tronditës, duke krijuar lehtësi e favore për trafikantët ndërkombëtarë të drogës.Nuk ka si të ndodhë ndryshe, kur Kryetari i Kuvendit është nën akuzë për porositjen e vrasjes së dy deputetëve, dhe kryeministri e ministri i Brendshëm bashkëpunëtorë në fshehjen e ngjarjes për 6 muaj. Shqipëria do të ecë përpara, vetëm kur të clirohet nga sundimi i krimit në pushtet.

Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI