Pas 8 majit, kur ishte hera e fundit që Sali Berisha organizoi të tijët në shesh kundër qeverisë Rama, kreu i Partisë Demokratike thotë se kishte protestën e radhës opozitare, por planet e tij u prishën nga një tjetër protestë që e ka “rezervuar” kryeministrinë prej 42 ditësh tashmë.

“Me datën 8 qershor do te thërrisnim protestën e radhës, dhe ndodhi kjo, dhe ne nuk donim te bënim karshillek, kjo ishte proteste jo e thirrur nga ne”, tha Berisha.

Në një bashkëbisedim online me qytetarët, Berisha la të kuptuar se nuk do të këmbëngulë më për primaret për kandidatët për Kryetar Bashkie në zgjedhjet e 2027, por topin ia kalon Këshillit Kombëtar.

“Të gjitha këto do i përcaktojë Këshilli i ardhshëm Kombëtar në mbledhjet e veta. Edhe shumë shpejt do fillohet përgatitja për zgjedhjet lokale”, tha Berisha.

Pavarësisht se ka deklaruar se i është revokuar non grata, pyetjes së kur do të shkojë në SHBA për vizitë Berisha nuk i dha një përgjigje të drejtpërdrejtë.

“Unë do vij në Amerikë, mendoj në ndonjë rast, shpresoj nga vjeshta, po të ketë ndonjë aktivitet ndërkombëtar ose kombëtar domethënë, do vij me kënaqësi të madhe”, vijoi Berisha.

Kryedemokrati vijoj sulmet ndaj SPAK, duke thënë se e gjithë struktura e posaçme është e kontrolluar politikisht, kur u pyet për një kërkesë tjetër të SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut,

“Totalisht. I kontrolluar nga Edi Rama. Është nga alfa tek omega o i dashur mik, i kontrolluar nga Edi Rama. Dosjet aty për qeveritarët janë me dhjetëra dhe qindra. Dosje sa të Ballukut janë dosja e Olta Xhaçkës, të Olsi Ramës, të Pirro Vengut, e të dhjetëra e dhjetëra e dhjetëra hajdutëve të tjerë. Por siç keni parë ju, po shkohet drejt zvogëlimit të akuzave ndaj atyre që janë të arrestuar, dhe bllokimit të akuzave ndaj të tjerëve.

Po provohet ajo që ne kemi thënë me kohë, se SKAP-i është një seksion apo një organizatë, një seksion juridik i Partisë Socialiste apo organizatë e saj. Kjo është e vërteta”, tha Berisha.

Kreu i PD e quajti edhe një herë antikushtetuese aktin normativ përmes së cilit qeveria dha 4.2 milionë euro për koncertin e Kanye West. Berisha tha se Rama ndau fondin e emergjencave me këngëtarin amerikan, vetëm për lobingje të tij.

“Në mënyrë të papritur, antikushtetuese, absolutisht antikushtetuese, Edi Rama merr nga fondi rezervë i qeverisë, krijimi i të cilit bazohet në nene të qarta të Kushtetutës së Shqipërisë, dhe ky fond që i është besuar atij për ta përdorur për emergjence, urgjenca dhe raste tepër të veçantë, këtë fond Edi Rama e ndan me Kanye West, një këngëtar i mirënjohur, vetëm e vetëm për lobingje të tij. Ky është një krim antikushtetues.

Në asnjë rrethanë dhe asnjë rast, një koncerti privat nuk mund t’i jepeshin paratë e emergjencave të një vendi apo paratë e rezervës së Këshillit të Ministrave. Këtë e bën vetëm ai që nuk pyet për Kushtetutë. Vetëm ai që nuk ka asnjë interes të shtetit ligjor apo interes kombëtar. Ka vetëm interesa personale. Me një grusht servilësh të inkriminuar ministra, të cilët nuk duhet të pranonin kurrë të bëheshin bashkëautorë në këtë krim”, tha Berisha.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:07
Kur do vish në Amerikë? Berisha vihet në vështirësi nga qytetari: Shpresoj në vjeshtë...nëse do ketë aktivitete (VIDEO)

Një muaji pasi u bë publik njoftimi i DASH për Sali Berishën, se u përjashtua nga ndalimi për të hyrë në SHBA, kreu i PD ende nuk e ka një datë se kur do të shkelë në Amerikë. Një qytetar e pyeti gjatë bashkëbisedimit në rrjetet sociale se kur do të shkojë në SHBA, por Sali Berisha ende po shpreson për një ftesë, të paktën në shtator.

“Do vi në Amerikë shpresoj nga vjeshta, po të ketë aktivitet ndërkombëtar, ose kombëtar. Do vi me kënaqësi të madhe”, tha Berisha.

Vetë Berisha nuk thotë që ia kanë hequr non gratën, por se ai dhe familja e tij tashmë mund të udhëtojnë drejt Uashingtonit. Më herët, kryedemokrati e ka pranuar se rikthimi i vizës ka ardhur si pasojë e një lobimi në SHBA, i paguar sipas tij nga një fondacion, por që ende nuk e ka zbuluar shifrën.

Me argumentet se është i korruptuar dhe minues i demokracisë, më 19 maj 2021, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shpallën Sali Berishën “non grata”, së bashku me familjen e tij të ngushtë, bashkëshorten dhe 2 fëmijët, Liri Berishës, Shkëlzen Berishës dhe Argita Berisha Malltezit. 

Ora 12:58
1.5 mld euro për ‘Rilindjen Urbane 2.0’, Berisha: Fond i caktuar për zgjedhjet lokale, Rama do i vjedhë bashkë me kryebashkiakët (VIDEO)

 

Kreu i PD, Sali Berisha pretendon se Edi Rama po përgatitet që tani për vjedhjen e zgjedhjeve lokale të 2027-ës. Në një komunikim me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha tha se 1.5 mld eurot që do të shkojnë për programin “Rilindja Urbane 2.0” janë fond ii caktuar për zgjedhjet, që sipas tij do të vidhet nga Rama në bashkëpunim me kryebashkiakët.

"Është fondi që ka caktuar për zgjedhjet elektorale. Fond që do ta vjedhë bashkë me kryebashkiakët. Akt i shëmtuar në prag të fushatës elektorale”, tha Berisha.