4 vjet SPAK, sukseset dhe defektet e institucionit që ka mundur politikën

4 vjet SPAK, sukseset dhe defektet e institucionit që ka mundur politikën

SPAK

Për pak kohë mbushen 4 vjet nga ngritja e Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion, ose siç njihet me akronimin SPAK. Si fillim e brishtë, e paformëzuar me strukturat e saj, e paplotësuar me burimet e duhura njerëzore dhe cilësohej shpresa e fundit e një shoqërie që lëngonte nga korrupsioni dhe krimi duke e katandisur Shqipërinë në vendet e fundit në kontinent. Fakti që mori bekimin e SHBA, masa e shqiptarëve krijoi një besim ekstrem si asnjëherë ndaj një institucioni të drejtësisë dhe që nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Aq e dukshme u bë kjo saqë vërshimi i padive dhe denoncimeve në sekretarinë e këtij institucioni është për t’u shënuar si rekord në analet e drejtësisë. Me togëfjalëshin në mendje se e “kishin krijuar amerikanët”, naiviteti për disa shkoi deri atje sa edhe për një konflikt gardhi të dy palët iu drejtuan SPAK si një vend ku do “t’i tregonin qejfin njëri-tjetrit”. Por, i gjithë ky vrull besimi nisi të bjerë kur të njëjtët njerëz dhe e njëjta shoqëri kuptuan se nuk ishte tamam ashtu siç shihej në ëndrra. Një institucion pa përvojë, një institucion ende pa strukturat e duhura, veçanërisht pa Byronë Kombëtare të Hetimit, vërtetë SPAK ishte diçka, por jo gjithçka. Duhet të kalonin afër tre vjet që i gjithë kjo crescendo-decrescendo të arrinte një stabilizim. Arrestimet e disa politikanëve të rëndësishëm, arrestimet e disa ish-ministrave, deputetëve, kryebashkiakëve dhe më e rëndësishme hapja e dosjeve për të cilat as që mendohej më parë, ka arritur në një pikë që sot ka bërë që politikanët jo vetëm të jenë në panik nga SPAK-u, por mund ta themi me plot gojën se ky institucion është bërë një qendër graviteti e rëndësishme në të gjithë piramidën e shtetit shqiptar. Këtu nuk po përfshijmë goditjet e mëdha që ky institucion ka bërë ndaj krimit të organizuar duke arrestuar pjesëtarë të grupeve kriminale më të rrezikshme dhe të paprekshëm më parë. Por vetëm raportet e tij me atë pjesë të korruptuar të politikës.

ARRITJET E SPAK

Antidoti i të gjitha të zezave në politikën shqiptare, tashmë duket se është gjetur. Ajo që për 30 vjet thoshim se askënd që është pjesë e politikës nuk e gjen gjë, tashmë është përmbysur. Vetëm në 4 vjet politika shqiptare dhe strukturat e administratës kanë një kundërshtarë të fortë nëse abuzojnë me pushtetin dhe financat. Çdo zyrtar që ka bërë një zullum apo një vjedhje, vërtetë mund të ketë futur në llogarinë e vetë bankare miliona, por ama kokën në jastëk nuk e vë të qetë. Fle me ëndrrën se nëse një ditë dikush do t’i trokas në derë dhe t’i lërë në dorë një urdhër me firmën dhe vulën e përfaqësueseve të SPAK dhe për pak të përfundojë në qeli. Të gjithë i kemi parë live skenat përpara godinës hijerëndë të SPAK teksa një e nga një ministra, deputetë, kryebashkiakë, gjeneralë, e gjithëfarësoj janë paraqitur aty një pjesë duke u dridhur, një pjesë të sforcuar të mbajnë veten dhe një pjesë që ngatërrojnë edhe derën e hyrjes, sigurisht nga frika dhe jo nga trimëria. Dhe të gjithë kemi mësuar se një pjesë e atyre që kanë kaluar atë prag, kanë përfunduar në pranga. Janë të njëjtët që nuk pyesnin më parë, ishin të sigurtë se vjedhjen e tyre nuk e godiste kush dhe krekoseshin si gjela se ishin të paprekshëm edhe pse kishin bërë miliarda. Pikërisht kjo është arritja e parë e madhe e SPAK. Pa asnjë hezitim mund të themi se kjo është fitorja më e madhe në Shqipëri që nga rënia e komunizmit. Dikush edhe mund ta ironizojë këtë arritje, sepse nuk ka ç’të bëjë tjetër në jetë, por kujtojmë vetëm katër vjet më parë një politikani me pushtet as donte t’ia dinte se kishte prokurori dhe gjykata. Ligji, prokuroria dhe gjykatat ishin vetë ata. A ka shanse ta thotë ndonjë politikan këtë qoftë me zë të lartë dhe qoftë me zë të ulët? Sigurisht që jo. SPAK është bërë tmerri i politikanëve dhe zyrtarëve të korruptuar. Arrestimi i disa kryebashkiakëve, mes tyre më i pushteshmi Vangjush Dako i Durrësit, arrestimi i ish-ministrit Lefter Koka dhe deputetit Alqi Bllako, arrestimi së fundi dhëndëri i Berishës dhe vendosja e masës së sigurisë edhe ndaj vetë Berishës, kanë bërë që klasa politike të mos quhet më untouchable (e paprekshme). Në Shqipëri më në fund ka një institucion që është bërë tmerri dhe frika në palcë e çdo politikani dhe zyrtari që vjedh dhe abuzon me financat e shtetit. Kjo gjë as nuk vihet më në dyshim dhe as e kundërshton dot njeri. Në 4 vjet ekzistencë, edhe kaq mjafton. Në një Shqipëri kur hajdutët viheshin në garë se kush do të vidhte më shumë shtetin dhe nuk e çanin kokën për asgjë, padyshim që kjo është fitorja më e madhe që nga rënia e komunizmit. SPAK ka edhe një arritje tjetër edhe më të madhe, atë të mos ndikimit nga politika. Kritikët dhe akuzatorët vijojnë të lëshojnë akuza se SPAK është vegël e Edi Ramës, por për këtë duhet të japin shumë prova që të besohen. Janë të njëjtët njerëz që e cilësojnë qeverinë e Ramës të rënë vetëm për faktin se SPAK i ka arrestuar dhjetëra bashkëpunëtorë si ministra, zëvendëskryeministër, deputetë dhe kryebashkiakë. Por harrojnë se këtë e ka bërë SPAK dhe nëse Rama do ta kishte në xhep së paku nuk do t’u sugjeronte t’i arrestonin kaq shumë bashkëpunëtorë. Ndërkohë, nuk ka fakt më të fortë kundërshtues për të hedhur poshtë akuzat se ky institucion është vegël e Ramës se sa fakti që SPAK është një krijesë ekskluzive e SHBA. Rrjedhimisht nuk mund të besohet se kryeministri Rama ka aq fuqi hyjnore që të ketë futur në xhep të gjithë: SHBA, Departamentin e Shtetit, FBI-në, CIA-n dhe çdo strukturë të shtetit më të fuqishëm në botë. Fakti që SPAK ka qenë nën rrebeshin e kritikave si nga ana e opozitës, por edhe e qeverisë, të bën të mendosh se është në rrugë të mbarë. Nuk duhet ta harrojmë fjalimin e kryeministrit Rama më 7 maj 2022 kur publikisht, pothuajse i “kërkonte llogari” SPAK përse kishte arrestuar vetëm socialistë si zëvendësministrja e Brendshme Rovena Voda për një arkë me peshk dhe përse nuk hetonte dhe arrestonte Sali Berishën, duke sjellë për këtë edhe reagimin e ambasadës amerikane. Tha Rama:

“E dini ju që SPAK ka pasur shpejtësinë e rrufeshme dhe gatishmërinë për të vepruar minutë për minutë që të bllokojë Ardian Dvoranin. Njeriun e dekoruar nga DASH. A thua se ishte i koordinuar si sahat zviceran me atë zotërinë që do largohet nga zyra e Presidentit të Republikës. Çështjen e tij procesi e shfryu si fluskë sapuni. Sa gjykatës e prokurorë të nxjerrë nga vettingu do ishin sot në burg? Se u bë kohë që peshkaqenët vettingu i ka flakur jashtë, ku janë sot? Janë në punën e tyre, asnjë gjemb nuk i ka hyrë në këmbë. Për të mos folur pastaj për këtë non gratën e madhe, bashkë me shpurën e tij, që na treguakan se nuk ulen me ne për të biseduar për presidentit, po nuk ua dhamë atyre presidencën. Non grata nuk është një problem i Amerikës, është një problem i Shqipërisë, nuk është një hall i Amerikës, por i Shqipërisë”.

Ndërkaq, Sali Berisha ka qenë në mënyrë të pandërprerë mosbesues dhe kritikues ndaj SPAK. Herë duke e shpërfillur dhe herë me etiketime KAPS, SKAP, et, Berisha ka qenë akuzatori më i madh i këtij institucioni. Një nga deklarata e tij më konkrete lidhet me Edi Ramën, por edhe Lulzim Bashën. Tha Berisha më 14 korrik 2022:

“Pse nuk heton SPAK sarajet e Edi Ramës me gjatësi themele 75 me 57. Pse nuk hetojnë pallatin e familjes Basha për të cilin nuk kanë asnjë faturë, por shpërblejnë ndërtuesin vetëm para tre javësh me 11 milionë Euro, me 99 % të fondit limit dhe i vetëm në garë”?

Mjaftojnë këto dy deklarata për të kuptuar që SPAK sulmohet nga të dy anët e politikës, gjë që konfirmon konkluzionin se nuk i përket asnjë krahu.

DEFEKTET E SPAK

Është më e lehtë të konstatosh defektet e një pune se sa arritjet. Dhe padyshim që SPAK nuk është institucioni i kulluar. Defekti më kryesor është mosarritja e pritshmërisë së madhe që ka publiku dhe rreziku se kjo pritshmëri mund të kthehet në zhgënjim. E vërteta është se ka patur momente që SPAK ka qenë shumë afër zhgënjimit të madh popullor. Por, tashmë këtë e ka kaluar dhe besimi është në rritje. Por ama ky rrezik qëndron i tillë nëse kurba e punës dhe e goditjeve nuk do jetë në ngjitje. Vijimësia dhe cilësia e hetimeve duhet të jetë deviza e funksionimit të këtij institucioni, ndryshe një fije e hollë e ndan suksesin nga dështimet. Një defekt që vihet re në punën e SPAK është zgjatja e kohës së hetimeve. Janë disa procese që vërtetë janë bërë të padurueshme për kohën e gjatë që kanë marrë. Provat aty janë, njerëzit aty janë dhe për një pjesë SPAK kërkon ende kohë. Kjo lë një shije të hidhur të masës së njerëzve sepse krijon perceptimin sikur SPAK u jep kohë të implikuarëve të shmangen nga procesi.

Një tjetër defekt që bie në sy në punën e SPAK është goditja në nivele të larta. Është e vërtetë që SPAK ka goditur politikanët e korruptuar. Por, goditja në nivele të larta dhe rrufe do të thotë që kjo strukturë të arrestojë një ministër në zyrë që është duke abuzuar me pushtetin e detyrës së lartë. Sigurisht që kjo të bëhej mbi bazën e fakteve të vërtetuara. Dhe për disa dosje ato ekzistojnë, por askush nuk e di përse prokurorët hezitojnë. Ne nuk mund të fërkojmë duart me një skenë të tillë, e cila ngjan me ato bënin komunistët gjatë regjimit të tyre me arrestimet publike për interesa të pushtetit. Por, nëse rezulton që një zyrtar i një niveli kaq të lartë abuzon me fondet dhe financat e shtetit, nuk ka pse SPAK të mos grumbullojë me shpejtësi rrufe provat dhe faktet bindëse dhe ta kryejë një goditje e tillë sa më shpejt të jetë e mundur pa përdorur taktikën “prisni edhe pak”. Pikërisht kjo skenë do të kishte efektin e 100 arrestimeve që marrin nga 3 vjet kohë dhe çdo zyrtar do ta mendonte mirë vjedhjen e radhës kur të futej në zyrën e shtetit. Një element tjetër shumë i rëndësishëm është mosruajtja e të njëjtit standard juridik për disa çështje. Vërtetë çdo dosje hetohet dhe menaxhohet nga prokurorë të pavarur, pa ndonjë hierarki dhe që nuk kanë asnjë interferencë me njëri-tjetrin. Por, kjo nuk do të thotë se secila dosje të ketë mënyrë të ndryshme funksionimi. Fjala vjen, nëse i bllokohet pasaporta Sali Berishës që të gjithë e dimë që nuk lëviz nga Shqipëria edhe për faktin se është shpallur non grata në SHBA dhe Britaninë e Madhe, por në të njëjtën kohë nuk i bllokohet pasaporta Arben Ahmetajt, ky është një institucion me dy standarde. Nëse SPAK do t’i kishte bllokuar pasaportën Ahmetajt, ai sot do ishte në qeli dhe jo i fshehur në liri. Apo edhe sekuestrimi pasurive të Pëllumb Gjokës u bë shumë kohë pas arrestimit, ndërsa Jamarbër Malltezit ia sekuestruan pasuritë brenda disa orëve

M.T/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Taku: 30/10/2023 13:58

    SPAKu mundi politikën... Apo po bën lojë politike me politikën për politikën

    Përgjigju
  • Mali: 30/10/2023 13:03

    Ajo me Dvoranin qe sukses i madh. Vetem se duhet te dini qe Dvorani ha e pi si derrat me prokuroret e SPAK. Madje bashke me ta e vendosi ecurine e akuzes se vet. Dhe mos ia fut kot, Rama nuk i korrupton te gjithe, thote: vetem Ambasaden me Kim, dhe McGonigal. Epo ma keta te dy e ca te tjere e beri golin pra. E si tja bllokonte pasaporten Benit, je ne vete?? Si do te rregullojne llogarite bankare ne Zvicer, sidomos ate te Rames , pa qene prezent mjeshtri i mashtrimit dhe hakdutllekut, pra Beni.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Bashar Al-Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Bashar Al-Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare