Hidrocentrali i Fierzës do të hyjë në një tjetër fazë rehabilitimi pas një financimi të ri prej 40 milionë eurosh nga banka gjermane për zhvillim KfW. Marrëveshja për huanë u miratua sot në Kuvend vetëm me votat e mazhorancës.

Paratë do të përdoren për rehabilitimin elektromekanik të hidrocentralit, me synim rritjen e sigurisë dhe eficiencës së prodhimit të energjisë nga burimet e rinovueshme.

Ndërhyrjet parashikojnë modernizimin e pajisjeve dhe rritjen e besueshmërisë së funksionimit të HEC-it të Fierzës. Sipas projektit, investimi pritet të zgjasë jetën e shfrytëzimit të hidrocentralit me të paktën 30 vjet.

Ky financim i ri i shtohet mbështetjes së mëparshme për projektin dhe do të përdoret për ndërhyrje të tjera rehabilituese që janë identifikuar gjatë vlerësimeve teknike të kryera nga ekspertë ndërkombëtarë.

Projekti do të zbatohet nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), ndërsa punimet pritet të përfundojnë në korrik të vitit 2030.