6 mesazhe të këshilltarit të dorëhequr të Bashës, sekserët vranë shpresën, mos votoni lista të bëra natën nga kryetari pa këllqe i PD

Kreu i PD-së Lulzim Basha

Në detyrim dhe respekt të mijra mesazheve tuaja dhe kërkesave të medias mbi arsyet e dorëheqjes, po ndaj 6 MESAZHE rreth angazhimit tim politik mbas 26 Prillit!

Së pari, nëpërmjet këtij akti, ju ftoj të gjithëve për të zgjuar sensin fisnik të përgjegjshmërisë qytetare dhe më 25 Prill të refuzojmë për ta përbaltur dhe rivrarë të ardhem e Shqipërisë nga RICIKLIMI i këtyre politikanëve zullumqarë, shtetarëve hajdut dhe ushtrisë së uritur të rambo‐sekserëve të pushteteve, që për 30 vitet që po lëmë pas ju kanë vjedhur votat, pronat vrarë shpresën, që kanë pushtuar partitë, emërojnë deputetët, pusht‐etarët, që kanë përdhosur vlerat e të djathtës Euroatlantike, si dhe sundojnë si pashallarë “as kuq e as blu” atdheun tonë të begatë!

Së dyti, si një mesazh=detyrim i një ushtaraku të lartë, Gjenerali me eksperiencë të spikatur perëndimore, ju ribëj thirrje mbarë shqiptarëve të zgjohen nga sindroma e Stockholm‐it dhe të mos votojnë listat e bëra natën nga politikanët zullumqarë, por që të nesërmen, më 26 Prill, të refuzojmë dhe rinisim  betejën e shpëtimit të Shqipërisë duke besuar 100% tek fuqia e votës tuaj, ashtu si Kosova, Bosnja dhe gjithë Europa!

Së treti, sigurisht Shqipëria ka nevojë ulëritëse për rotacion politik, por rrezikon seriozisht të mbetet nën sundimin e Sulltan Surrelit edhe pas 25 Prillit.

Por rotacioni politik nuk vjen as me “ishalla o Zot dhe o Perëndi”, as “nga ata të rrugës së Elbasanit”, as duke numëruar mandatet e kalorësit Rama‐2 për 3, as nga rambo‐kamikaz që japin jetën për shefin/karrigen e rradhës, as me dëshmorë Don Kishotë, as duke bërë “sexy=share (ndarë)” statuset e ushtarit të bindur, apo familjarit dhe shoferit të mirë, as duke ricikluar listën e sekserëve të familjes 2017 (sipas Rulit të parë), as duke u zvarritur si qënie inferiore dhe shpërdoruar demokratët si mercenarë për axhendën e partisë familjare, as nga mbledhjet e tipit Enverist, me militantët e PD dhe të deleguarit e Kryetarit në tribuna qesharake, as me duartrokitje dhe brohoritje neveritëse për partinë dhe “udhëheqësin e (pa) lavdishëm” !

E thënë më qartë, funksionarët e lartë të PD, përfshi vetë Kryetarin e “çuditërisht votuar”, por pa këllqe mbas humbjes dëshpëruese 2017 si dhe mungesa foshnjarake e kurajos për t’u përballur me “ushtrinë bolshevike të Rames” në zgjedhjet lolake, etj., por edhe të 12 të emëruarit/deleguarit politik në 12 qarqe, apo në riciklimin në funksione qesharake (si medaljet e Enverit) i personazheve të diskretituara (trima të tërbuar mbas dopios së dyte, funksioneve, gardës së servilëve dhe statuseve në facebook) nga fronti i koalicioneve “pa ushtarë” të VETĒ – VENDOSEN në kufijtë e vijës së kuqe të humbjes së radhës, të cilën në respekt të demokratëve kurrësesi nuk do ta uroja.

Kjo është përqasja, përgjegjësia kombëtare dhe “dorashka morale”, jo për të burrërruar Lulezimin as Gazin e Elbasanit, dhe asnjërin nga 10 kryesuesit e listave në 10 qarqet e tjera, por për të merituar dhe frymëzuar demokratët e dëshpëruar dhe shqiptarët e inatosur nga Rama-2 me besimin dhe shpresën e fitores së pushtetit mbi 71 deputet! Kaq fare e thjeshtë!

Të tjerat janë pallavra mashtruesish të stërvitur, si përkëdhelitë e holla/cinike si biro‐t e xha Rulit të «Komisionit të mbarsur me dekorata, por që s’polli as minjë»: si lebetitjet me “lot e qurra” të oligarkëve të thirrur “nën armë”; si përbetimet e ushtrisë së sekserëve dhe servilëve të “blinduar” në listat fituese që sigurisht do ta braktisin të parët “mavro‐kapitenin e anijes së mbytur”, mbas humbjes turpëruese të 25 Prillit!

Së katërti, e vërteta, mundet të jetë shumë e hidhur por ështē si ilaçi më i mirë për të shëruar të sëmurët!

Prandaj do të vijoj, përditë dhe më fortë, të ndajë me mbarëshqiptarët dhe jo vetëm, shqetësimin ulëritës që e «djathta e gjunjëzuar nga mungesa e kurajos, kohezionit, konsistencës dhe besimit» si dhe pazaret e natës me listat po shkon drejt humbjes dëshpëruese të rradhës më 25 Prill.

Kjo, pa asnjë mëdyshje, është fatkeqësi kombëtare, por për asnjë merit të Ramës, as Ruçit, as Ballës & co, por vetëm për shkak të qasjes dhe platformës piramidale alla xhaferi, duartrokitjeve enveriste për udhëheqësin dhe 12 të deleguarit politik në qarqe, mungesën cinike të “inventari të memories” dhe respektit për kontributorët e pashpërblyer dhe vlerat fisnike në PD, nga “blindimi” në listat e sigurta me ish-zyrtarë zullumqarë, aleat të diskretituar si dhe sekserë të sukseshëm por të neveritur para shqiptarëve !

Së pesti, e thenë qartë, asgjë fare personale me kërkënd, por edhe asnjë arsye e vetme për dëshpërim dhe për të ulur kokën askujt! Në të kundërt, e çmoj si detyrim dhe mbas 26 Prillit do të mbetem ushtar i përkushtuar, përulur dhe i pamposhtur në betejën e rikthimit te vlerat e demokracive funsionale, si dhe për mbrojtjen e interesave kombëtare!

Mesazh shtesë (6) ju bëj thirrje të sinqertë, prindërore, vajzave dhe djemve, emigrantëve, «qyteterëve me arsye të shëndoshë» dhe mbarëshqiptarve, që ëndrrën për të ardhmen e vendit të tyre si gjithë Europa të mos e lënë më, asnjē ditë mbas 26 Prillit, në dorë tē këtij sekti politikanësh sojësëz, shtetarëve zullumqarë dhe ushtrisë së rambo‐sekserëve të pushteteve, që jo vetem kanë pushtuar (privatizuar) politikën, por edhe kanë përdhosur vlerat Euroatlantike, sundojnë dhe i kanë nxirë faqen e Shqipërisë. Besimplotë se mbas 26 Prillit bashkë do t’ia dalim në misionin fisnike për ta çliruar të ardhmen e Kombit tonë të begatë nga ky sekt i rrezikshëm pusht-etarësh !

Përkushtimisht & përgjegjshmërisht, Juaji!

J.GJ./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me rekomandimin e Komitetit të Imunizimit për dozë të tretë vaksine për mbi 60 vjeçarët?

Komento


×

Lajmi i fundit

John

‘Shahu’ i dy superfuqive, SHBA skeptike ndaj Kinës për çështjen e Tajvanit: Nuk mund t’i zëmë besë, nuk kanë miq as aleatë