60- vjetori i Tefta Radit

60- vjetori i Tefta Radit
Kur hyri për herë të parë në zyrat e Radio Televizionit shqiptar dhe kapi me dorë mikrofonin e lajmeve, për të dhënë edicionet, Tefta Radi nuk do ta mendonte kurrë se 60 – vjetorin do e festonte mes miqsh, gazetarësh, artistësh në sallën e ish shtëpisë së ushtrisë në Tiranë. Fondacioni “Nermin Vlora Falaschi” organizoi konferencën për gruan gazetare, duke e konsideruar këtë edhe si një organizim të rëndësishëm në vitin e 100 vjetorit të Pavarësisë së vendit. Tefta Radi, mes lulesh dhe emocionesh, ndodhej aty, jo për të ulur kokën, por e vlerësuar si një ikonë e televizionit publik shqiptar. Fatkeqësi, në fakt, që në sallën e mbushur me gazetarë dhe artistë, nuk ishte prezent asnjë nga drejtuesit e Televizionit Publik Shqiptar, një institucion, në të cilin zonja Radi ka hyrë që në vitin 1979. Por, kishte shumë nga gazetarët e televizionit që kishin ardhur në këtë aktivitet, ashtu sikurse edhe shumë gazetarë të tjerë nga media të ndryshme në vend. Që prej atij viti, nuk i është ndarë asnjëherë, në ecejaket e saj nga Radio drejt Televizionit.

Në këtë 60 vjetor, për zonjën Radi u thanë shumë e shumë gjëra: ikonë e televizionit publik shqiptar; një grua me një shqipe të pastër, që përcolli lajmin dhe jo aktrimin për teleshikuesit e ekranit të vogël; institucion më vete brenda televizionit publik shqiptar, e konsideroi kolegia Ilva Tare. Por më së shumti, një medalje mirënjohje nga fondacioni “Nermin Vlora”, medalje që iu dorëzua nga zëvendëspresidentja e fondacionit artistja Tinka Kurti.

Aktiviteti
Tefta Radi që nga dita e djeshme nuk do të shfaqet më në televizion, edhe për shkak të ligjit të pensionit. Por sikurse deklaroi edhe vetë, do të vazhdojë aktivitetin e saj me disa dokumentarë të rëndësishëm, një prej të cilëve ai për Migjenin, i cili sikurse pranoi edhe vetë zonja Radi, ka pasur sukses në shumë vende të botës, në komunitete shqiptarësh. Konferenca e organizuar edhe si një nderim për të gjithë plejadën e gazetareve femra, në vitin e 100 vjetorit të Pavarësisë, solli shumë të reja interesante. Gazetarja Zenepe Luka, njëkohësisht presidente e fondacionit që organizoi aktivitetin (e munguar dhe bojkotuar edhe nga TVSH që duhet ta merrte përsipër në fakt organizimin e kësaj ceremonie) përveçse foli për 450 gazetaret femra që numërohen sot nga motrat Qirjazi që janë të parat gazetare të fillimit të shekullit të kaluar, e deri tek gazetaret që punojnë në terren, vuri në pah dy probleme të rëndësishme.

“Si ka mundësi që deri më sot, asnjë emër i shquar i gazetarisë femërore shqiptare nuk është nderuar me asnjë titull nga organet më të larta të shtetit, kur në fakt, ka pasur shumë dekorata dhe tituj për shumë emra të tjerë që kanë kontributet e tyre në fusha të tjera?” ishte pyetja e ngritur nga Luka. E një tjetër propozim, i cili ndoshta duhet të dëgjohet nga organet ekzekutive, ishte ai i pensionit suplementar që duhet të jepet për gazetaret femra që kanë kontribuar gjatë gjithë këtyre viteve, duke u nisur edhe nga rasti i zonjës Radi. Ishte shumë prekësh, shumë emocionues, rrëfimi i gazetares së lënë në harrëse, gazetares së parë radiofonike të Shkodrës, Adile Xhabija. Sot, ajo mban në kurriz 87 vite jetë, por emocionet e gazetares së parë të vitit 1945, kur nga Shkodra deklaronte “ju flet radio Shkodra”, ishin po njëllojsikurse tha edhe në sallën e djeshme. Ajo ishte ndër të parat gazetare të pasluftës që mes emocionesh rrëfeupër të pranishmit, sesi në atë kohë gjimnaziste, ishte thirrur në redaksinë e parë në Shkodër, në një ambient me dy dhoma për të bërë gazetari.“Lajmet tona të para, ishin ato që tëthyenim mentalitetet, e sidomos, ato të luftës kundër analfabetizmit dhe heqjes së ferexheve”. Zonja Xhabija, është e para gazetare shqiptare që foli nga seksioni shqip në Rusi: “Ju flet Moska”. Shumë prekëse, shumë emocionuese, me një barrë të vitesh eksperiencë mbi supe, tregoi sesi ia kishte kaluar të bijës gjithë eksperiencën e saj të punës. Gazetarja Ludmilla Xhabija, vajza e vetme e gazetares së parë të pasluftës, u nda nga jeta në vitin 1995, por la pas, një trashëgimni të madhe shkrimesh, intervistash radiofonike, e shumë libra.

Mes fjalësh të ngrohta dhe emocionuese në ceremoni, folën edhe koleget Briseida Mema e Ilva Tare, ndërsa profesorët e nderuar Hamit Boriçi e Kiço Fotjadhi, ndër të parët gazetarë në vend, dhanë vlerësimet e tyre për Tefta Radin. Plot emocione dhe histori njerëzore dhe vuajtjesh, ishte edhe eksperienca e dy gazetareve që mënyra të ndryshme janë lënë po ashtu
në harresë Elsa Xhaja dhe Kozeta Mamaqi. E si qershia mbi tortë, ishin përshëndetjet e dy artisteve “Nderi i Kombit”, Margarita Xhepa e Tinka Kurti. U ndjeva shumë e nderuar dhe e emocionuar që moderova këtë aktivitet në 60-vjetorin e ikonës së televizionit shqiptar Tefta Radi. Më vinte po aq turp, që unë, dhe shumë nga koleget e mia sot, nuk e njohim asfare historinë dhe ecejaket e gruas gazetare shqiptare. Ndjeva po aq emocion, kur dëgjoja nga ato zonja në moshë, tek përgëzonin brezin e ri për kurajon...Por aty kuptova, se jemi shumë larg tyre. Tefta Radi në 60 vjetor, na e mësoi këtë gjë. ah/Shqiptarja.com/

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

‘Kam qenë duke u nda me gruan’, banori i Thethit i drejtohet Ramës pasi merr certifikatën e pronësisë: Më solle pajtimin dhe unitetin

‘Kam qenë duke u nda me gruan’, banori i Thethit i drejtohet Ramës pasi merr certifikatën e pronësisë: Më solle pajtimin dhe unitetin