Në të 61-tën ditë të protestës, tubuesit para kryeministrisë iu referuan fjalimit të sotëm të Ramës me drejtuesit politikë të PS duke thënë se tashmë është i frikësuar.
“Sa më shumë del në media dhe thotë se nuk do të japë dorëheqjen, aq më shumë i ka hyrë frika”, tha aktivisti Edison Lika.
Këtë frikë, sipas tyre, kryeministri e ka manifestuar duke u shprehur për herë të parë se ka konsideruar dorëheqjen.
“Sa më shumë kalojnë ditët, aq më i madh bëhet presioni ndaj Ramës. Në fillim nuk na merrte seriozisht, ndërsa tani thotë se për herë të parë ka menduar dorëheqjen. Kjo tregon se e ka kuptuar se kjo protestë nuk do të tërhiqet pa u larguar ai nga detyra”, tha një tjetër aktivist.
‘Lumë’ kritikash patën edhe për ministrin e Jashtëm Ferit Hoxha për mundësinë e hapjes së konsullatës shqiptare në Luginën e Preshevës e asaj serbe në Shkodër, ku për këtë të fundit shprehën kundërshtim.
“Ai u përpoq që pazarin që ka bërë me Serbinë ta shesë si marrëveshje reciprociteti. Ky është pazar sepse nëse në Luginën e Preshevës, Bujanoc, ka shqiptarë, në Shkodër nuk ka minoritet serb dhe ky është fakt!”, tha një aktivist.
Protestuesit nisën marshimin rreth orës 21:25 dhe e mbyllën në 22:45. Gjatë tij, ata krijuan në asfalt edhe fjalët "Balluku në burg", duke ripërsëritur kështu apelin për arrestimin e zv. kryeministres.
Lajm në përditësim...
Komente











