Tragjedia e 66-vjeçares në Fier që vdiq nga i ftohti, Komisioneri kundër Diskriminimit: Ndërprerja e energjisë familjeve të varfra, diskriminim! Deputetja e PD: Qeveria asnjë masë për njerëzit në nevojë

Tragjedia e 66-vjeçares në Fier që vdiq nga i ftohti, Komisioneri kundër Diskriminimit: Ndërprerja e energjisë familjeve të varfra, diskriminim! Deputetja e PD: Qeveria asnjë masë për njerëzit në nevojë

Liliana Sema dhe banesa ku ajo jetonte

Tragjedia e Liliana Semës, e cila ndërroi jetë e vetme në banesën e saj të rrënuar e të pandriçuar, në mes të ftohtit dhe pa asnjë familjar pranë, tronditi jo pak, duke sjellë reagime.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, e ka konsideruar diskriminim ndërprerjen e energjisë elektrike ndaj familjeve të varfra. Në një deklaratë, ata i bëjnë thirrje Këshillit të Ministrave që miratojë sa më shpejt "Statusin e Klientit në Nevojë", si dhe i kërkojnë OSHE që të sigurojë furnizimin me energji elektrike dhe për familjet në pamundësi ekonomike.

"Ndërprerja e energjisë elektrike dhe mosfurnizimi me energji elektrike të familjeve të pamundura ekonomikisht përbën diskriminim. Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka ndërmarrë disa veprime institucionale, me vendime, rekomandime dhe duke kryer studime të cilat theksojnë se energjia elektrike është shërbim thelbësor që duhet të garantohet për çdo person në Republikën e Shqipërisë, në mënyrë që për çdokënd të garantohet një jetesë dinjitoze. Mosgarantimi i energjisë elektrike për personat dhe familjet e pamundura ekonomikisht cenon dinjitetin e tyre duke i mohuar të drejtën për shëndet, të drejtën për strehim, të drejtën për arsim, të drejtën për informim, të drejtën për të qenë qytetarë me të drejta të barabarta. KMD i bën thirrje Këshillit të Ministrave që miratojë  sa më shpejt "Statusin e Klientit në Nevojë" si një e drejtë tashmë e njohur me Ligj. Gjithashtu, i bën thirrje OSHEE dhe të gjitha agjencive përbërëse të saj që të mos ndërpresin energji elektrike në asnjë moment dhe të garantojnë furnizimin me energji elektrike në çdo moment për të gjitha familjet e pamundura pa diskriminim", thuhet në reagim.

I ashpër ka qenë edhe reagimi i deputetes së PD, Eralda Bano, e cila akuzon Qeverinë se nuk ka marrë asnjë masë për njerëzit në nevojë. Me një postim në Facebook, Bano i bën thirrje autoriteteve që të vendosin para drejtësisë personat neglizhentë që çuan drejt vdekjes Lilianën për shkak të ftohtit. Deputetja paralajmëron se do të ndërmarrë të tjera masa, pa specifikuar, nëse autoritetet nuk do të vendosin drejtësi.

"Liljana Sema 6 vjeç, nga fshati Ferras të Qarkut Fier, humb jetën tragjikisht nga i ftohti. Trupi i pajetë i 6 vjeçares u gjet në kasollen e saj të pandriçuar, të pangrohur dhe pa rezerva ushqimore. Ajo që më shkon ndërmend është që tashmë është bërë metodologji kjo mbyllja e institucioneve apo e njerëzve në shtëpi. Kështu na mbyllën për pandemi, kështu mbyllën shkollat nga i ftohti i “acartë” -7 gradë. Qeveria jonë antinjerëzore në vend të marrjes së masave ndaj ngjarjeve të tilla, vendos të mbyllë përherë diçka. Po pyetja ime qëndron këtu: Po ata që nuk kanë ku mbyllen si e ndjera Liljana?!  Asnjë masë për njerëzit në nevojë. 0!  Vetëm Ministren e Arsimit pamë të dilte. Na tha që do bëjë acar dhe që kishte vendosur të mbyllte shkollat. Kaq bëri qeveria jonë për qytetarët e saj. E ndjera Liljanë sot do të ishte gjallë nëse dikujt që rri në zyrë do t’i kishte shkuar ndërmend që atje jashtë ka njerëz si Liljana që nuk kanë mundësi të paguajnë energjinë. Janë këta njerëz që Rama i burgosi në fillim kur erdhi në pushtet për të vendosur rendin e tij të hekurt ndaj kriminelëve fatkeq që kanë vetëm shpirtin e tyre dhe asgjë tjetër. I bëj thirrje autoriteteve që të vendosin përpara drejtësisë neglizhentët që çuan drejt vdekjes një njeri për shkak të të ftohtit. Paralajmëroj se kjo ngjarje nuk do të kalojë me një reagim në media sociale nëse nuk shoh drejtësi! Ngushëllime familjarëve të të ndjerës! Shpirti i Liljanës u prehtë në paqe", shkruan ajo.

 

Liliana Sema u gjet e pajetë ditën e djeshme në banesë nga vëllai i saj, ndërsa kishte vdekur 3 ditë më parë si pasojë e acarit që 'mbërtheu' vendin. Në banesën e Lilianës mungonte energjia elektrike prej më shumë se një viti, kjo për shkak se i ishte ndërprerë kontrata sepse ishte debitore.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) interesimit të Report Tv për rastin e rëndë të 66 vjeçares, ka sqaruar se ajo ka qenë debitore për pagesat e energjisë elektrike ndër vite, që nga vitit 2007. Në gusht të vitit 2018, 66-vjeçarja ka lidhur akt-marrëveshje me OSHEE për të shlyer në 53 këste me vlerë 1200 lekë debitë ndër vite. Pasi ka paguar 18 këste, në tetor 2020 zonja ka ndërprerë pagesat e kësteve prej 1200 lekë. Pavarësisht se ajo ishte pa drita e pa ngrohje prej një viti, asnjë nga familjarët nuk ka shkuar të bëjë kërkesë për t'i rilidhur energjinë.

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Puna e SPAK në 2024, Dervishi: Po u zbardh çka ndodhur me Ervis Martinajn bie piramida e krimit! Petraj: Si u privatizua CEZ do hap 'Kutinë e Pandorës'

Puna e SPAK në 2024, Dervishi: Po u zbardh çka ndodhur me Ervis Martinajn bie piramida e krimit! Petraj: Si u privatizua CEZ do hap 'Kutinë e Pandorës'