79 vjet nga vrasja e pabesë e Heroit Thoma Kalefit, Elbasani nuk harron mënxyrat e Ballit Kombëtar

79 vjet nga vrasja e pabesë e Heroit Thoma Kalefit, Elbasani nuk harron mënxyrat e Ballit Kombëtar

Thoma Kalefi

Në një nga këngët e Mjeshtrit të Muzikës Popullore Shqiptare Isuf Myzyri (Ustai nga Elbasani) thuhet ndër të tjera, “Thoma Kalefi trim me nam, e dha jetën për vatan”. Në 9 Maj, u mbushen plot 79 vjet nga krimi i pabesë i Ballit Kombëtar, ndaj drejtuesit komunist të Qarkorit të Elbasanit Thoma Kalefi. Thomai dha jetën për lirinë e Shqipërisë, duke u lidhur me PKSH qysh në krijimin e saj, dhe mbeti një ndër figurat kryesore të asaj partie në Qarkun e Elbasanit. Ai ka lindur në 24 Mars 1920, në lagjen Shën-Koll të Elbasanit. Fëmijëria e tij do të kalonte në SHBA pranë babait të tij, i ikur pak vite më parë si emigrant ekonomik. Në moshën 10 apo 12 vjeçare Thoma Kalefi do të kthehej nga SHBA dhe do të stabilizohej në qytetin e Elbasanit, duke u rritur me frymën e patriotizmit nga të afërmit e tij dhe rrethet shoqerore. Shumë shpejt ai do të njihej me rrethet më të ngushta drejtuesish komunistë, dhe njëkohosisht ishte me autoritet të padiskutueshëm tek krerët e PKSH. Thoma Kalefi ka një histori të trishtë familjare, pasi ai pavarsisht se kishte nënshtetësinë amerikane (pasi kishte jetuar me familjen për shumë vite atje) ai kurrë nuk do të arrinte të ribashkohej me babain e tij pasi Lufta e Dytë Botërore e gjeti në Elbasanin e pushtuar.

Pak biografi e Heroit Thoma Kalefi

I ati Thoma Kalefit quhej Kristo, dhe e ëma quhej Polikseni, ishin të dy njerëz të respektuar. Thomai kishte një vëlla më të vogël me emrin Milto. Qysh në vogëli Thomai kishte dëshirë të madhe për dije, dhe pse në kushte të vështira ekonomike, biblioteka e tij ishte e pasur me libra. Për t’i ardhur në ndihmë familjes, dhe për të realizuar ëndrrën e tij që të vazhdonte studimet, kishte gjetur mënyrën për të përballuar këtë gjendje, duke kopjuar në fletore tekstet e mësimeve nga librat shkollorë, dhe ua shiste me çmim të ulët, atyre që nuk kishin mundësi ekonomike të blinin libra. Pak vite të fëmijërisë i ka kaluar familjarisht në SHBA pranë të atit. Për arsye familjare, kthehet në Shqipëri me nënën. E ëma e Thomait kishte kushëri të parë (djalë xhaxhai) Llambi Peçinin. Gjatë viteve të LANÇ, Toma dhe Llambri, iu përkushtuan qëllimit mbarëkombëtar të çlirimit të vendit, pavarësisht se rreziqet, apo edhe vetë vdekja ishte e pranishme në çdo sekondë të jetës.Fillimi i prillit 1939 e gjen Thomain në vitin e tretë të Shkollës Normale në Elbasan. Për tragjedinë që po kalonte Shqipëria në prag të pushtimit fashist italian, ishte shumë i revoltuar.

Nga shënimet dorëshkrim të z. Mali Llanaj që gjenden në muzeun e Shkollës Pedagogjike Elbasan, ndër të tjera thuhet:“Ishte mëngjesi i datës 6 prill 1939. Nxënësit ishin mbledhur në oborrin e shkollës, dhe diskutonin mbi atë që po ndodhte. Në këtë kohë, në oborr të shkollës, hyjnë me nxitim Toma dhe nja dy shokë të tjerë dhe thonë: -Shokë, Italia fashiste po na pushton! Të shkojmë në qendër të qytetit e të protestojmë! Kaq u desh dhe tërë nxënësit u nisën drejt qendrës së qytetit duke thirrur: -Poshtë Italia fashiste! Të mbrojmë Atdheun!Në godinën e prefekturës, ishte varur flamuri italian. Toma me disa të tjerë, duke hipur mbi trupat e njerëzve, arrijnë pranë ballkonit dhe e heqin flamurin duke e grisur atë”.Thomai ishte nga ata që bëri thirrje për të shkuar në kazermat e ushtrisë, për të rrëmbyer armë, e të bëjnë rezistencë kundër pushtimit. Shkojnë në kazermat tek Ura e Shkumbinit, por armët ishin pa gjilpëra. E njëjta gjë kishte ndodhur edhe me armët në kazermat e Krastës. Ky veprim siç u diskutua më pas, ishte bërë me urdhër të mbretit Zog. Kjo e revoltoi edhe më shumë Thomain dhe mbarë popullin elbasanas. Si rrjedhim, pushtuesit hynë në Shqipëri duke hasur vetëm atë rezistencë në Durrës, Shëngjin e Vlorë, nga një grup njerëzish, me atë pak armatim që kishin. Me këtë veprim të qeverisë së mbretit, popullit shqiptar, iu u hoq e drejta e vetëmbrojtjes ndaj pushtimit. Sipas tregimeve të mëpasshme, mësohet se, Thoma Kalefi, me disa shokë, kanë dashur të pengojnë arratisjen e Mbretit Zog nga Shqipëria.

Me ardhjen në fuqi të qeverisjes fashiste në Elbasan, Thoma Kalefi u konsiderua si njeri i rrezikshëm antifashist, dhe nisi përndjekja e tij. Në këto rrethana, Thomai me disa shokë, ikin për në ish-Jugosllavi. Atje ka shërbyer në mësimin e gjuhës shqipe, si në Tetovë, Gostivar e vise të tjera shqiptare. Thuhet se Thomai ka hapur shkollën e parë shqipe në Novipazar (por në fakt nuk është e vërtetuar deri sot). Krahas punës si mësues, nuk u shkëput nga aktiviteti antifashist edhe në ish-Jugosllavi. Në Gjakovë është njohur me Emin Durakun, duke krijuar një miqësi të ngushtë. Për veprimtari antifashiste, në Gjakovë arrestohet dhe burgoset. Sipas dokumenteve në AQSH, ka tentuar të arratiset nga burgu me katër shokë të tjerë, duke çarmatosur rojen e burgut. Është arrestuar sërish, pasi ishte plagosur në gjurin e këmbës ë majtë. Nga aty e kanë transferuar në burgun e Shkodrës, e më pas e kanë sjellë në burgun politik të Tiranës. Në kujtimet e tij për Thoma Kalefin (intervistë me gojë), z. Xhaferr Vokshi (vëllai i Asim Vokshit), ndër të tjera thotë: “Më arrestuan dhe më dërguan në burgun politik të Tiranës. Atje shokët e burgosur më pritën mjaft mirë. Binte në sy një djalë me triko të zezë golf. Atë shokët e ruanin me shumë përkushtim. Edhe pse ishte në gjendje izolimi brenda burgut, shokët e kishin nxjerrë dhe e fshihnin në mes tyre. Ky ishte Thoma Kalefi.

Në burgun politik, Toma mbante lidhje me shokët e Njësitit Gueril të Tiranës, duke këmbyer informacione. Toma, duke qenë se kishte qenë në Jugosllavi dhe e njihte mirë gjuhën, përkthente materiale të ndryshme për shokët e burgosur. Toma ishte personi më i rëndësishëm në atë burg. Ai i mbante lart moralin shokëve të arrestuar. Ishte gjithmonë i qeshur dhe i afërt, dhe kurrë nuk pati frikë nga asgjë. Në atë burg, e njoha për herë të parë, dhe po në atë burg u ndava përjetësisht me shokun tim më të mirë Thoma Kalefin. Sa herë që vija në Elbasan, shkoja para shkollës që mbante emrin e tij, dhe çmallesha duke medituar para bustit të tij, që ishte vendosur në oborr”. Nga Gjykata Ushtarake e kohës, për Thoma Kalefin ishte marrë dënimi me vdekje. Më 10 gusht 1943, kur shkojnë për ta marrë e ta ekzekutojnë, Toma nuk gjendet në burg. Me ndihmën e shokëve të Njësitit Guerril të Tiranës, duke u maskuar si mjek, kishte mundur të arratisej pa rënë në sy. Për këtë ikje të tij, fashistët ekzekutuan në oborr të burgut katër të dënuar të tjerë, për të rritur terrorin e për të mbjellë frikën tek të tjerët. Nga burgu i Tiranës, Thoma Kalefi vendoset në Çetën e Pezës. Atje kishte detyrën të mbante lidhje me qarkorin e Elbasanit.Bazën ku strehohej në Elbasan, e kishte tek një kushërira e tij po në lagjen Shënkoll, shumë pranë shtëpisë së tij. Në krijimin e Brigadës së III Sulmuese, në drejtimin e saj, Thoma Kalefi caktohet intendent i kësaj brigade.

Arrestimi dhe pushkatimi në murin e Kalasë Elbasanit

Në fillim majin e vitit 1944, në Elbasan ishte shpallur një shtetrrethim shumë i rreptë nga forcat pushtuese gjermane. Në këto kushte duke e patur të pamundur hyrjen në qytet, dhe me porosi të qarkorit, Thomai ka qenë i strehuar në fshatin Kózan të Elbasanit, bashkë me Liri Dodbibën. Edhe pse kjo bazë quhej e sigurt, tradhtia e bëri të vetën. Informacioni që shkoi në xhandarmëri të Elbasanit ishte i saktë. Më 5 maj 1944, drejt fshatit Kózan, nisen rreth pesëmbëdhjetë mercenarë ballistë. Edhe pse e çau rrethimin, Thomain mundën ta arrestojnë, sepse u kthye të merrte shoqen që kishte mbetur mbrapa. I sjellin në burgun e qytetit. Për të treguar forcën dhe terrorin, bashkëpunëtorët me pushtuesit, i nxjerrin edhe në pazarin e qytetit të lidhur sëbashku në njërën dorë. Në atë kohë, si drejtues i forcave bashkëpunëtore me gjermanët ishte Xhaferr Deva. Në burg Thomain e torturojnë shumë keq. Nga mercenarët i kërkohet të nënshkruajë një deklaratë, që heq dorë nga lufta kundër pushtueseve. Këtë Thomai nuk e pranon.

Ai ndodhej përpara dy rrugëve, e para, të nënshkruante dhe t’i falej jeta, dhe e dyta, nëse nuk nënshkruante, do të ekzekutohej me pushkatim. Toma Kalefi zgjedh me vetëdije rrugën e dytë. Në mëngjesin e 9 majit 1944, Thomain e nxjerrin në sheshin e pushkatimit, para Kullës së Sindanit të Kalasë Elbasan (përballë bustit të Kristoforidhit sot).Edhe pse me duar të lidhura, me shkathtësi, ai i ikën skuadrës së pushkatimit, duke u ngjitur mbi murin e kalasë. Aty, pengohet duke i ngecur pantallonat në telat me gjemba. Sipas tregimeve të dëshmitarëve në ngjarje, skuadra e pushkatimit u vu në panik, duke thirrur: -Na iku, na iku! Rreth pesëdhjetë metra më larg, në këtë kohë vinte në këtë drejtim një nga bashkëpunëtorët me gjermanët. Duke parë ngjarjen, nxjerr automatikun dhe qëllon mbi Thomain (që ishte mbi mur, në përpjekje për t’u shkëputur nga telat me gjemba). Plumbat e tij e rrëzojnë përtokë, duke e goditur në kokë dhe në anën e majtë të gjoksit. Në atë vend, Thoma Kalefi u tregoi pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tij ballistë, se vdekja është më e bukur nga tradhtia e Atdheut.

Vendosja e bustit të Heroit dhe heqja nga “demokratët” në 2005

Në vitin 1962 me vendim të Presidiumit të Kuvendit Popullor, emrin e Thoma Kalafit e merr një shkollë në qytetin e Elbasanit, një shkollë e cila për afro 40 vjet do të nxirrte breza të aftë dhe të pergatitur për sektorë të ndryshëm të jetës së vendit. Shkolla “Thoma Kalefi” ishte pararoja e institucioneve arsimore, pasi kishte drejtues dhe staf të pergatitur mësuesish. Nga ajo shkollë kanë dalë breza të shumtë nxënësish, që vite më vonë do të bëheshin të famshëm dhe të dëgjuar në fusha të ndryshme si në politikë, shkencë, ekonomi, bujqesi, ushtri etj. Ajo shkollë do të nxirrte edhe emra të spikatur që më vonë u bënë falë aftësive të tyre, drejtues vendore dhe qëndrorë. Pas vitit 1992, me ndryshimet politiko-shoqerore, dhe me ardhjen në pushtet të PD, duket se gjithçka nisi mbrapsht. Përgjatë viteve 1992 deri në 2005, u tentua dhjetra herë ti hiqej emri dhe busti i Thoma Kalefit, por ishte mbështetja e fortë që ai kishte nga qytetarët e Elbasanit dhe shumica e këshilltarëve në Bashki, nuk lejonte “të përndjekurit dhe demokratët”, ti vendosnin me veton e tyre. Busti i Thoma Kalefi, është hequr përfundimisht pas afro 40 vitesh nga një vendim i njëanshëm i Këshillit Bashkiak të 2005, kur kryetar Bashkie ishte asokohe Ardian Turku, duke plotësuar njëherësh një dëshirë të një grupi anonim që nuk e donte bustin e Thoma Kalefit në sheshin e një shkolle me emër. Heqja e bustit ishte pabesi ndaj një Heroi të Popullit që vetëm 24 vjeç, dha jetën në lulen e rinisë për lirinë e Shqipërisë. Heqja e bustit ishte pabesi ndaj atyre që nuk ngurruan të hidheshin në zjarrin e luftës ndaj pushtuesve dhe tradhëtarëve të vendit, për idealin e tyre, Shqipërinë. Eshtë në nderin e qytetarëve të Elbasanit, shoqatave të Veteranëve, ti vendosin emrin e Dëshmorit të Atdheut Thoma Kalefi, një institucioni arsimor apo kulturor kryesor të qytetit, apo një shkolle, për të ndrequr një gabim historik të bërë me dashje nga ish-kryetarët e PD, me gjakun e tij, të derdhur për çlirimin e vendit.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • alma tirane: 09/05/2023 10:11

    une jam nga elbasani thoma kalefi meriton vertete nje nderim me te madhe kam bere shkollen qe mbante emrin e tij bravo te qofte gazetar ajazi

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Presidenti ukrainas Zelensky: Kemi çdo shans për t'i dhënë fund luftës në 2025-ën

Presidenti ukrainas Zelensky: Kemi çdo shans për t'i dhënë fund luftës në 2025-ën