8 dhjetori, revolucioni që 'hëngri bijtë e vet'

8 dhjetori, revolucioni që 'hëngri bijtë e vet'

Dita simbol e Shqipërisë post diktatoriale, 8 dhjetori, edhe këtë vit po kremtohet në mënyrë të njëanshme, kryesisht nga Partia Demokratike, që ishte pasoja e parë e 8 dhjetorit 1990, ku pas lëvizjes studentore, lindi dhe partia e parë jo komuniste në vend pas 45 vjetësh.

Dhe vendi hyri pas kësaj kohe në një sistem demokracie parlamentare ku qeveritë vinin në krye të vendit, pas zgjedhjeve të përgjithshme. Megjithatë, Partia Demokratike, nuk ka përse ta trajtojë 8 Dhjetorin si festë të saj, kur ajo edhe me ligj është një “festë kombëtare”.

Janë disa arsye që nuk i japin PD-së të drejtën e “legacy” ekskluzive për 8 dhjetorin; por më semplistja është që partia që u drejtua për 23 vjet nga Sali Berisha e për 7 vjet nga Lulzim Basha, nuk është edhe formalisht “partia e lëvizjes”.

Në kupolën drejtuese të PD-së nuk janë më ata njerëz që drejtuan Lëvizjen e Dhjetorit, nuk janë më ata studentë e pedagogë që morën pjesë në takimin me presidentin e kohës Ramiz Alia, ku dhe u vendos pluralizmi politik. I  vetmi pjesëmarrës me ‘post politik’ në PD, është Sali Berisha, sot i tërhequr jo plotësisht nga politika. Pjesëmarrësi tjetër Besnik Mustafaj, është thjesht pjesëtar i një bordi honorifik për shoshitjen e deputetëve.

Tritan Shehu, një nga pedagogët pjesëmarrës është periferik në partinë që themeloi së bashku me të tjerë, ku Arben Imami, Neritan Ceka, e shumë të tjerë themelues të PD, sot ose janë jashtë, ose janë kritikë të lidershipit të PD-së. Ose janë në jetën e tyre madje edhe në kampin kundërshtar politik.

Kështu: Ilir Meta, pjesëtar i përfaqësisë së studentëve që takoi Ramiz Alinë është President i Republikës dhe ka qenë gjatë kundërshtar i PD-së dhe drejtues i PS-së më pas i LSI-së.

Edi Rama, protagonist i lëvizjeve të Dhjetorit ‘90 sot është kryeministër e kryetar i PS-së, Pandeli Majko po ashtu si Meta, pjesëtar i dërgatës studentore te takimi me Alinë është ministër e drejtues i PS-së. Blendi Gonxhe, një nga liderët e lëvizjes së studentëve është zyrtar i nivelit të dytë i administratës. Por ka edhe një numër të madh protagonistësh të 8 Dhjetorit që jetojnë jashtë, janë të mënjanuar dhe nuk i ka dhënë askush hapësirë këto 30 vite postkomunizëm.

Por kjo është vetëm njëra anë, pasi thelbi qëndron në trajtimin që ne i kemi bërë e i bëjmë datës më të rëndësishme që solli Shqipërinë e sotme. Lëvizja studentore që kulmoi me demonstratën e 8 dhjetorit rrëzoi një regjim diktatorial 45-vjeçar dhe solli në Shqipëri sistemin demokratik, me zgjedhje të lira dhe natyrisht me pluralizëm politik.

Si rrjedhojë e 8 dhjetorit në radhë të parë lindi Partia Demokratike, partia e parë jo komuniste pas 45 vitesh, që u lançua si alternativë politike drejt një shoqërie perëndimore dhe euroatlantike. Por përveç Partisë Demokratike, lindën edhe parti të reja, madje që në ditët e para të dhjetorit 1990, siç ishin Partia Republikane, Partia Ekologjike, Organizata Politike e Minoritetit grek Omonia, por edhe shumë forca të tjera politike që u krijuan më pas.

Ndërkaq, partia që kishte qeverisur për 45 vjet, Partia e Punës e Shqipërisë PPSH, u transformua, duke larguar udhëheqjen e vjetër dhe zgjedhur një ekip të ri, i cili përqafoi politikisht doktrinën perëndimore të Shqipërisë drejt ekonomisë së tregut, sistemit demokratik dhe integrimit në NATO e BE.

Dhjetori ‘90, ishte një lëvizje popullore dhe intelektuale që u shndërrua në një revolucion paqësor, pa dhunë, duke ndryshuar rrënjësisht shoqërinë shqiptare.

Këtë lëvizje e përkrahën shumica e shqiptarëve, natyrisht të parët ishin ajo shtresë që ishte shtypur egërsisht nga regjimi komunist, më pas shtresa që ishte ndjerë e papërfaqësuar natyrisht, por edhe pjesa më e madhe e intelektualëve, të rinjve, apo edhe punëtorët që me rënien e regjimit dhe kolapsin e sistemit absurd, dolën të papunë dhe u përshtatën menjëherë me kapitalizmin e ri shqiptar, i cili që në fillim ishte i egër, por edhe premtues dhe me mundësira të mëdha.

Të gjitha këto rrjedhoja janë një premisë shumë e rëndësishme që historiografia jonë t’i japë 8 dhjetorit dimensionin e një kremtimi mbarëkombëtar dhe me një konsensus shumë të madh.

Vendosja e 8 dhjetorit në kalendarin e festave kombëtare, i dha edhe më shumë seriozitet një fakti të tillë, çka edhe juridikisht të gjithë shqiptarët e ndjejnë si kremtim nacional përkujtimin e lëvizjes që solli rrëzimin e diktaturës në Shqipëri.

Por realisht ç’ka ndodhur në këto vite dhe ndodh edhe sot?

8 dhjetori, më shumë si një kremtim kombëtar gjithëpërfshirës, është kthyer në një lubi rrëfimesh e nxjerrje ditarësh, se ku ishte kush atë ditë dhe me një protagonizëm frenetik të protagonistëve apo aspirantëve për protagonizëm, në një ditë kaq të madhe për shqiptarët.

Ndërkaq, Partia Demokratike, si parti që mori pushtetin pas vitit 1992, e trajtoi krejt sektarisht Lëvizjen e Dhjetorit, duke e vënë 8 dhjetorin në një rang politik kremtimi si komunistët kishin bërë me 8 nëntorin 1941, datë kur u themelua Partia Komuniste Shqiptare.

E si pasojë e këtij trajtimi, lindën më pas polemikat me efekt domino se kush mori pjesë në mbledhjen themeluese, kush erdhi nga jashtë, çfarë u tha dhe si u zunë protagonistët. Shoqëruar normalisht me ditarë e shënime që sjellin më shumë konfuzion sesa një qartësi politike e normalisht institucionale, për një datë që realisht duhej trajtuar si ditë Çlirimi Kombëtar.

Realisht, trajtimi i kronologjisë historike të ndodhive që shoqëroi të gjithë lëvizjen studentore është detyrimi dialektik për të ushqyer brezat, por ai duhet trajtuar ftohtë dhe i fokusuar: si lindi lëvizja studentore, kush ishin protagonistët, çfarë kërkuan ato, si e realizuan ndryshimin dhe cilat ishin pasojat.

Këtu përfundon gjithçka, por që padyshim duhet pasuruar edhe me elementet shoqëruese të garniturës historike. Është fakt historik dhe unik krijimi i Partisë Demokratike dhe si i tillë ai duhet trajtuar, por nuk mundet që vetëm PD të privatizojë dhjetorin, pasi ishte një shoqëri e tërë që mbështeti ndryshimin, edhe pse nuk u ngjiz më këtë forcë politike për shumë e shumë arsye.

Partia Demokratike është “bija” e parë e dhjetorit ‘90, por nuk ka të drejtë të bëhet “nëna”, ashtu si komunistët e trajtonin PPSH-në si një “big mama”, që mendon për të gjithë. Kush e mban mend 1990-n, shoqëria shqiptare ishte e gjitha që vibronte, në radhë të parë intelektualët, me Kadarenë e madh që dha sinjalin nga Parisi, me të përndjekurit e fisëm që ofruan mesazhin e pajtimit, me intelektualët që shkruanin në gazetat e kohës si “Drita”, “Zëri i Rinisë”, “Bashkimi”, apo daç edhe “Zëri i Popullit”, që jepnin sinjale për të përkrahur ndryshimin e madh.

Intrigat dialektike të diskutimeve për formimin e PD-së mes protagonistëve të Lëvizjes së Dhjetorit janë pjesë gossipi, më shumë sesa një fakt historik relevant. Normalisht ata duhet të pasqyrohen se i japin ngjyrime lëmisë së dëshmive frenetike të atij dhjetori vibrant, por nuk duhet të pengojnë ndriçimin e së vërtetës së madhe të asaj lëvizjeje. E cila duhet përkujtuar si një festë e të gjithëve, e jo vetëm e atyre që kanë qenë përfaqësues të komiteteve të rinisë së fakulteteve për të marrë pjesë në takimin me Ramiz Alinë.

Ka shumë njerëz që kanë përfituar personalisht nga 8 Dhjetori, duke marrë poste e gjësende që ndoshta nuk i kanë merituar, ka shumë sosh që nuk i kanë marrë këto përfitime, por ka shumë e shumë shqiptarë që e kanë ndjerë dhe e ndjejnë që ajo ditë ishte një rrëzim i Murit të Madh të Berlinit shqiptar.

Dhe si e tillë duhet të mbetet një kremtim kombëtar i ardhjes së lirisë. Po kush janë tribunët e saj?! Eh, ne nuk patëm as një Havel apo Valesë, por kishim një Azem Hajdari, një Sali Berishë, një Gramoz Pashko e të tjerë që u bënë udhëheqësit e asaj lëvizje.

Mendoni pak sikur të kishim vënë Ismail Kadarenë apo Isuf Vrionin në krye të asaj Shqipërie të re pas 8 dhjetorit…Por këto janë hipoteza, historia e ka dhënë verdiktin e saj, si gjatë por edhe pas 8 dhjetorit! “Revolucioni” shqiptar kishte megjithatë një favor të rëndësishëm, sepse u krye pa gjak dhe ndryshoi vendin. Megjithatë, ky revolucion, siç ndodh edhe rëndom; i “hëngri bijtë e saj”…

I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër